Luan Vrioni: Një pikturist në Vlorë ngatërroi emrin e Enverit dhe desh e pagoi me kokë

802
Sigal

PERSONAZH/ Flet karikaturisti Luan Vrioni: Petro Dode, Sekretari më human dhe më korrekt në Vlorë

Ka mbi 55 vjet që bën karikatura, por në regjimin komunist për shkak të biografisë ju ndalua krijimtaria në vitin 1975. Revistat “Ylli” dhe “Hosteni”, ishin ato ku ai gjeti shtratin e krijimtarisë së tij. Puna më e madhe ka konsistuar në ndërtimin e muzeve të Rrethit të Vlorës, ku veçon atë të Hysni Kapos, në Tërbaç. Ndër Sekretarët e Parë të Vlorës veçon Petro Dode i cili ishte shumë njerëzor dhe korrekt. Dita më e vështirë ka qenë kur një shoku i tij, kur bëri një parullë nga nxitimi në vend të shkruante ENVER, shkroi ENEVER. Desh e pagoi shtrenjtë, por meqë ishte i vetmi në Vlorë që gëzonte të drejtën të bënte figurën e Enver Hoxhës e liruan me një dënim të lehtë.

  Kur keni filluar të bëni karikatura dhe çfarë përbën për ju kjo lloj gjinie e pikturës?

 Kjo është pak relative pasi karikaturat  e para për botim i kam bërë kur kam qenë në shkollë të mesme. Por dhe më parë kam bërë diçka në kohën që kam qenë në shkollë fillore, por ato ishin ndjesi fëmije, pa shumë kuptim brenda. Botimi i parë është bërë në vitin 1960, është bërë ose botuar në revistën më të madhe të asaj kohe revista “Ylli”. Kam bërë një karikaturë të thjeshtë, një fëmijë që donte të vendoste një llambë që ishte djegur në portollambë. Nuk arrinte dot as me karrige. Atëherë ai hap çezmën, dhoma mbushet me ujë dhe ai arrin që ta vendosë llambën.  Duke qenë lindur dhe rritur pranë detit, i njoh mirë këto parime. Unë jam vlonjat nga Berati, pasi Vrionasit dihet andej janë. Isha në trysninë e biografisë Sapo mbarova gjimnazin më caktuan mësues në Gorishtë , Rexhepaj, në verilindje të Vlorës, në kufi me Tepelenën. Një fshat naftëmbajtës. Në atë kohë kishte mungesa në mësues ndaj merrnin shumë edhe nga ata që kishin mbaruar gjimnazin. Këtu ndenja 6 vjet mësues nga viti 1960-1966, pastaj më hoqën nga mësuesia për arsye biografie. Pra nga familja e madhe Vrioni. Sa më hoqën prej andej më caktuan në sektorin e dekorit në Vlorë, pra brenda në Vlorë, tek Uji i Ftohtë.

Me se merrej sektori i dekorit dhe a kishe botuar sërishmi karikatura në këtë kohë?

Po, unë në këtë kohë kisha botuar sërishmi si tek revista “Ylli” ashtu dhe tek revista e famshme Hosteni. Këto ishin dy revista shumë prestigjioze në atë kohë. Ishte koha kur unë preferoja dhe shikoja me shumë kujdes karikaturat e të madhit Zef Bumcci. Ai mbetet për mua i  pazëvendësueshëm. Kisha një shok atë kohë, Niko Shtëmbari, i cili ishte në Akademinë e Arteve të Bukura, dhe ai fliste me Zefin për krijimtarinë time karikaturistë. Zefi i thoshte se çfarë duhej të bëja unë, çfarë duhej të punoja, çfarë temash të trajtoja. Unë disa i bëja disa si bëja. Kjo punë vazhdoi me bashkëpunime pikërisht në vitin 1975 më hoqën të drejtën e botimit për biografi të keqe. Biografia më ndiqte kudo.

 Të gjitha karikaturat ua botonin aso kohe?

Jo. Disa jo dhe mirë bënin pasi mund edhe të rrezikohesha. Pra ata I përzgjidhnin dhe kjo më ka shpëtuar besoj, pasi ndonjë rast dhe e pata tepruar me problemet e kohës, që atë kohë edhe mund të ndëshkoheshe.

 Përveç Zef Bumcit, kush ishin karikaturistët e asaj kohe që në nxisnin në këtë gjini?

 Përveç Zef Bumçit, mund të them se ishte Sabahudin Xhaferi, Bradhyl Fico (bënte karikaturë inteligjente me shumë humor, qytetare), ishte Tef Palushi nga Shkodra.

 Deri në vitin 1990 nuk ju lanë më të botonit?

Jo, nuk më lanë dhe unë krijoja dhe i mbaja vetë, i mbaja në shtëpi.

 Çfarë punësh konkrete bënit në sektorin e dekorit, pikturës?

-Në këtë sektor, ne bënim gjithë dekoret e rrethit të Vlorës si dhe të gjitha dekoret e Plenumeve, takimeve të rëndësishme por bënim ilustrimet e të gjitha  muzeve të rrethit. Këtu ishte dhe paradoksi. Unë me biografi të keqe bëja ilustrimet e muzeve gjë që ishte e rrallë për kohën. Pra në këtë rreth kishte me dhjetëra muze. Këtu bëheshin projektet, bocetet dhe realizimet. Bënim ilustrimet e fotografive të dëshmorëve.

 Ku keni punuar më shumë, tek cili muze?

Më shumë kam punuar tek muzeu i Hysni Kapoos. Aty unë kam shumë punë të mia. Mua më dhanë të bëja ose të rregulloja dhe ilustroja sendet e muzeut, revolet, makinën e shkrimit, sende të ndryshme që kishte përdorur. Njëkohësisht bëja dhe shkrimet e kokave të stendave. Pra bëja të gjitha logot e stendave. Në Tërbaç, atë kohë kam shkuar me dhjetëra herë.

 Ke bërë ndonjë gabim në logo apo në shkrime ndonjëherë, apo ndonjë shoku juaj?

Të them të drejtën jo, pasi kam qenë shumë shumë i kujdesshëm, por dhe disa gjëra nuk mi besonin mua. Por një shoku im ka bërë njëherë një gabim që desh i kushtoi me jetë. Atij i thanë  të bënte një parullë të madhe rreth 4 metër një citat të shokut Enver për një mbledhje partie. Këtë atij ja kërkuan për tre orë, kur në fakt ajo si kohë punë donte një ditë e gjysmë. Jo vetëm kjo por i rrinin dhe 10 veta mbi kokë. Një punë me shumë stres, me shumë përgjegjësi, sfilitëse. Nga nxitimi, shoku im në vend të bënte apo të shkruante ENVER, shkroi ENEVER. Asnjë nga ata të dhjetë ku kishte dhe të sigurimit nuk e pa. Shoku im ishte njeri shumë i mirë, punëtor, i përgjegjshëm. Shkojnë e vendosin në sallën ku do zhvillohej aktivi i Partisë. Do vinte një nga Byroja politike. Filloi aktivi. Kur nga mesi i takimit një nga salla e kapi gabimin. Çdo bënin ata se kot mblidheshin. Menjëherë pas Plenumit ndodhi gjullurdia. Alarm! Shokut tim ju bënë dokumentet për gjyq për në burg. Por pati shumë ndërhyrje. Atëherë u diskutua të shkonte në prodhim, pastaj punë edukuese e me radhë. Ai i shkreti kaloi një situatë që as vetë se dinte se si ishte. Luante me jetën e tij dhe të familjes. Por mendoj se shpëtoi pasi ai ishte i vetmi që bënte portretin e Enver Hoxhës. Ndaj ja kishin nevojën. Pas disa kohësh e kthyen prapë në punë. Ishte i domosdoshëm. N.q.s atë gabim do ta kisha bërë unë, do të futesha 7 pashë nën dhe.

 Muzetë sot janë shkatërruar, a ishin ata një pjesë e historisë?

 Në këto muze kishte shumë gjëra reale, sikundër dhe sende me vlera. Por kishte shumë ideologji dhe fryrje. Por megjithatë, çdo muze kishte vlerat e tij. Madje ne dolëm dhe jashtë kufijve të Vlorës dhe shkuam në Tepelenë. Ishim ne që bëmë dhe muzeun e fshatit Dhëmblam të Tepelenës. Aso kohe ishte primare ndërtimi i muzeve të fshatrave pasi çdo ngjarje ideologjizohej dhe merrej si vepër e partisë.

 Kë nga udhëheqësit e asaj kohe ke takuar?

Nga të mëdhenjtë? Asnjë. Vetëm Leka Shkurtin kam takuar njëherë. Leka ishte anëtar i KQPPSH për ideologjinë, vlonjat, ku vëllai i tij ishte në ndërmarrjen tonë rrobaqepëse. Leka ishte shumë i rreptë. Unë e kam takuar njëherë tek Banka. Aty ishte një ambient ku vendoseshin pllakate të ndryshme. Leka bërtiste për përmbajtjen e pllakateve dhe më drejtohej mua, kush i ka shkruar. Unë i them shoku Leka, unë vetëm furçën kam, shkruaj çfarë më sjellin. Unë nuk ideoj pllakate apo parulla. Ato i ideojnë dhe i përgatisin të tjerë. Janë të tjerë se kush i sjellin. Shumë shokë më thanë pse e kundërshtove. Unë i thashë nuk e kundërshtova, as kam ndërmend ta kundërshtoj. Fola të vërtetën, pasi nuk përgjigjem unë për përmbajtjen e logove dhe parullave. Por më shumë me ne ishin të lidhur Sekretarët e Parë të Partisë por kryesisht Sekretarët e dytë. Një ndër ta ishte dhe Petrit Broka.  Ai ndoshta ishte më i reformuar. Nuk bëri dëm dhe inkurajonte njerëzit. I them  se në atë kohë janë bërë dëme. Ai më thoshte i kishte koha. Jo i thashë i bënin drejtuesit. I bënin njerëzit. Ndryshe e zbatonte ligjin njëri, ndryshe e zbatonte tjetri.

Nga Sekretarët e Parë kush e zbatonte më mirë ligjin sipas jush?

Petro Dode. Ishte një Sekretar i rrallë, human, i respektueshëm, që kurë nuk ecte me tendencë. Ne, për një farë kohe na çuan në xhami për të punuar. Pra si sallë, apo vend pune na dhanë xhaminë e vjetër tek stacioni i autobusëve. Komiteti i Partisë ka qenë afër xhamisë ku sot është një shkollë e mesme private. Petro Dode ishte i pari dhe i vetmi që është kthyer disa herë dhe na uronte punë të mbarë. Të tjerët jo vetëm që nuk vinin, jo vetëm që nuk na uronin por na thoshin çfarë doni ju këtu ore? Sikur kishim pushtuar Vlorën. Jeni shumë mirë na thoshin. Ku ne aty na priste era dhe na zhuriste dielli. Na trajtonin si skllevër.

 Kur dolët në pension?

Dola në pension në vitin 1991. Pensioni ishte diçka qesharake. Kjo më detyroi të filloj prapë mësimdhënien. Pra fillova mësuesinë në një shkollë 9-vjeçare. Jepja vizatim.

Thuhet se shkolla në periudhën e monizmit ishte në nivele më të larta. Si është e vërteta?

Unë do të thosha nuk është shkolla e mirë apo e keqe, është mësuesi i mirë apo i keq. Në shkollë të mirë mund të kesh fëmijë të dobët dhe nxënësi mund të dalë mirë. Me një mësues të tillë. Në shkollë të mirë mund të kesh nxënës të dobët dhe mund të dalin mirë. Kam qenë shumë vite mësues dhe mund të them se në ato shkolla ku mungon përgjegjësia e mësuesve, ka cilësi të ulët. Por edhe nxënësit kanë përgjegjësinë e tyre. Ndërsa mitmarrja ka shkallët e veta. Në socializëm qerasja e prindërve mund të quhej mitmarrje ndërsa sot ka arritur në 5 mijë euro.

Albert Z. ZHOLI