Kundërshtim Boris Pasternakut: Si askush s’e do poezinë sa një rus?! Lushnja shkollë poezie

582
Sigal

Faslli Haliti u dënua, por, si në përrallat e vërteta me mbret, u kthye përsëri në fronin e “mbretit”

  Përgatiti dhe përktheu: Prof. Dok. Klara Kodra

 _______________________________________________________________________

 Revista «DISMISURA» që drejtohet nga intelektuali i madh Alfonso Cardamone,  themeluar dhe drejtuar nga poetët dhe intelektualët e mëdhenj: Alfonso Cardamone, Severus Lutrario , Amedeo di Sora, etj., është një shembull i madh i stampimit të shkrimit  dhe artit grafik të avangardë. Në faqet e kësaj reviste gjejnë hapësirë ide nga më modernet. Dismisuratesti është një start i rëndësishëm nisjeje për shumë poetë, shkrimtarë, kritikë dhe artistë të rinj. 

________________________________________________________________________

  LUSHNJA – SHKOLLA E  POEZISË

 Marrë nga revista rivista DISMISURA

Diku, në romanin e tij të famshëm, «Doktor Zhivago», Pasternaku, shkruan pak a shumë: askush nuk e do poezinë sa ç’e do një rus ! Më vjen keq, i madhi Boris, kuptohet që ti nuk dije asgjë për Lushnjën.

Cilën Lushnjë? Meqë ky shkrim është caktuar për një version online, kërkojmë të ndihmojmë ty, lundërtarin e fshatit Kakonkantanja kongoleze ose Miamit amerikan, të Atkazukut, të rrugës së Tikigluk që flasin në inukitut, në Alaska, Shën Pjetroburgun rus dhe, pse jo, edhe Huaoranit të Tarangados së Amazonës ekuadoriane.

Është e lehtë të gjesh Lushnjën : – shko në ëëë.Google.com ; – kërko Google Maps ; – kliko mbi rezultatin e parë : ëëë.maps.google.com ; – mbi butonin «kërko në hartë», type : ” «Albania» dhe pastaj «Lushnjë»; – zgjidh në hartë midis pamjeve të ndryshme të mundshme: hartën satelitore, të përzier dhe pastaj të njihni këtë qytet të çuditshëm, traditat hibride kulturore dhe shumë ish kampe të punës. Vetëm në këtë optikë mund të kuptosh  si vallë lushnjarët e donin aq shumë poezinë, mbase sepse ata ëndërronin tepër lirinë, sepse asgjë më shumë se poezia nuk mund t’i ndihmonte ata të ëndërronin, sepse asgjë më shumë se poezia s’mund t’i bënte të ndjeheshin të lirë. Dhe meqë kjo nuk është përrallë, por i ka të gjitha ingredientët për të qenë e tillë, gjendesh brenda një historie me mbret, moskëtierë dhe ushtarë të thjeshtë që ëndërrojnë karrierën, me mbretër abuzivë dhe mbret të detyruar që të abdikojë, që liria të kthehet përsëri në fron. E fillojmë me mbretin e detyruar të abdikojë? Quhej Faslli me mbiemër Haliti, i lindur ëndërrimtar, i rritur si poet, yll i krahinës, i cili fillon të shkëlqejë në kryeqytetin e vendit, Tiranë midis  shigjetave majëmprehta dhe zilisë në fillim, për të mbaruar pastaj nën optikën e xhelozisë të mbretit abuziv që quhej Parti dhe, me mbiemrin Diktaturë. Mbretëresha Parti nuk mund të toleronte krijimin e një autoriteti të tillë, të cilin njerëzit e donin, që të rinjtë e adhuronin, që poetët e imitonin, sepse ai ëndërronte gjëra të ndaluara, sepse ai guxoi të gjejë njolla edhe në diell, sepse rreth tij po grumbulloheshin Musketarët e parë të cilët  quheshin Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, Sherif Bali e plot të tjerë. Ushtarët e rinj përpiqeshin të përfitonin nga mbreti Faslli Haliti, të cilët shtoheshin rreth tij duke fituar përvojë duke mësuar nga mbreti se, që të bëheshe poet, nuk ishte një profesion komod, në fakt, ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme drejt iluzioneve pa fund, drejt vuajtjes dhe zhgënjimeve të hidhura. Lushnja ishte bërë, tashmë, një shkollë e vërtetë e poezisë e cila, si të gjitha shkollat që respektohen, kishte prekursorin e saj, Faslli Halitin që i instruktonte me vargjet e tij të mahnitshme që ta gjenin poezinë midis njerëzve dhe ta shkruanin atë në një mënyrë të tillë që të thithej e të bëhej e dashur  nga njerëzit. Faslli Haliti u dënua, por si në përrallat e vërteta me mbret, u kthye përsëri në fronin e mbretit. Në këtë pikë dishepujt e tij ishin bërë të shumtë: kush mushqetar, kush princ dhe kush i fortë për të zëvendësuar mbretin kur ta kërkonte koha. Në  redaksitë e Tiranës, më pas të botës shiheshin dhe ndiheshin pastaj në shtëpinë e tyre poetë të ndryshëm Fatbardh Rustemi, Bujar Xhaferri, Gëzim Hajdari, Jozef Radi , Fardinand Laholli etj.. Dhe një gjeneratë e re poetësh të tjerë po rritej.

E gjithë kjo në klimën artistike të një qyteti që ka lindur kaq shumë prozatorë me cilësi të lartë si poliedriku Lazër Radi, Halil Jacellari, Vath Koreshi, dramaturgu Loni Papa dhe këngëtarja më madhe shqiptare e të gjitha kohërave, lushnjarja, Vaçe Zela. Duke parë numrin e artistëve, poetëve dhe shkrimtarëve të rëndësishëm në krahasim  me numrin  e banorëve, Lushnja, duhet të zërë vend në Librin e rekordmenëve, Gines. Por mbase kjo do të jetë një tjetër temë shkrimi për këtë qytet përrallor.

 Nga Prof. Dr. Klara KodraIntervistë me poetin dhe Kryetarin e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Faslli Haliti

 K.K- Diku, në romanin e tij të famshëm, «Doktor Zhivago», Pasternaku, shkruan pak a shumë: askush nuk e do poezinë sa ç’e do një rus ! Më vjen keq, i madhi Boris, kuptohet që ti nuk dije asgjë për Lushnjën, thotë autori i këtij shkrimi. Kush ka të drejtë?

F.H- Të dy kanë të drejtë. Edhe lushnjari edhe rusi e duan poezinë e poetëve të tyre sepse për ta ajo është prodhimi më i ushqyeshëm  për shpirtin e tyre.

K.K- E fillojmë me mbretin e detyruar të abdikojë, thuhet këtu për ju. Ok?

F.H- Ok.!, Por dhe këtu fjala mbret përdoret, gjithashtu, si metaforë. Unë nuk jam ndier e nuk e ndjej veten mbret në poezi.

 K.K- Quhej Faslli me mbiemër Haliti, i lindur dhe i rritur si poet, yll i krahinës i cili filloi të shkëlqejë në kryeqytet, Tiranë, midis  shigjetave majëmprehta dhe zilisë. Komenti juaj.

F. H- Autori, gjatë gjithë shkrimit përdor një gjuhë figurative, metaforike. Edhe fjala ylli i krahinës, është gjithashtu një shprehje metaforike. Natyrshëm ai mund të thoshte që, spikati me poezinë e tij në krahinën e Myzeqesë. As e kam mbajtur as e mbaj veten për yll në poezi.

KK- Po si e mbani?

FH.- Si një krijues që përpiqet të thotë fjalën e tij, mbase nuk e them me përsosmëri, por që e them  me sinqeritet, këtë s’e luan as topi i karadakut, siç themi ne nga ne Lushnja.

KK- Në një poezi tuajën ju thoni: «Jam /Vidhi/ Më i lartë i fushës/Ah/ Sikur fusha/

Të ishte pyll/ Dhe fijet e brit të ishin lisa! Si ta kuptojmë këtë ah-je/n tuaj?

FH- Një ahje që, nuk jam ai, siç do të dëshiroja të isha në poezi.

K.K. – Mbretëresha Parti, thuhet më poshtë, nuk mund të toleronte krijimin e një autoriteti të tillë, të cilin njerëzit e donin, të rinjtë e adhuronin, poetët e imitonin, sepse ai ëndërronte gjëra të ndaluara, sepse ai guxonte të gjente njolla edhe në diell, Ju gjenit njolla në diell, apo besonit në diellin?

FH- Unë besoja në Diellin, por më mbytën rrëketë, të cilat, shpresoja se Dielli, do t’i thante, por ai më përvëloi mua, kurse rrëketë i la të vërshonin të tërbuara mbi të gjithë ne.

KK- Mbretëresha Parti, nuk mund të toleronte krijimin e një autoriteti të tillë ( si ju, domethënë). Kështu?

FH- Jo tamam kështu,  sepse unë nuk isha ndonjë autoritet, por një krijues që admirohesha nga kolegët krijues, por mbretëresha apo mbreti këtë përgjonin: harenë që të sillte puna, krijimi, suksesi, dahuria për njeri-tjetrin, pikërisht këtë nuk toleronin ata, sepse kishin frikë se duke admiruar e dashur njeri – tjetrin, ne, do t’i harronim ata. Mbreti apo Mbretëresha, donin që të rrije si pulë dhe jo si gjel para tyre. Ky ishte zakoni dhe kërkesa e parë etike mizore e epokës së mbretërve me «pashallarë të kuq»; përuljen e njerëzve, ata e merrnin si dashuri e adhurim për veten e tyre. Autoriteti suprem ishin ata, ndaj dhe nuk toleronin asnjë lloj autoriteti të madh apo minimal.

KK- Rreth tij, ( rreth jush) po grumbulloheshin Musketerët e parë të cilët  quheshin Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, Sherif Bali e plot të tjerë apo jo?

FH- Jo plotësisht kështu. Ata nuk ishin muskëtierë. Ata ishin kolegët, shokët e mi krijues, poetët e ardhëm të cilët sot janë poetë e shkrimtarë të shquar. Por është e vërtetë që grumbullimet mbret dhe mbretëresha i shihnin me dyshim dhe i kishin në shënjestër.

KK- Ushtarët e rinj përpiqeshin të përfitonin nga mbreti Haliti të cilët shtoheshin rreth tij duke fituar përvojë duke mësuar nga mbreti se, që të bëheshe poet, nuk ishte një profesion komod, në fakt, ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme drejt iluzioneve pa fund, drejt vuajtjes dhe zhgënjimeve të hidhura. Ju ndiheshit mbreti dhe ata ushtarë apo shokët tuaj krijues.?

FH- Natyrisht. Ata ishin shokët e mi krijues. Ne ishim, shokë dhe krijues që na bashkonte poezia dhe arit. Midis nesh nuk kishte hierarki të tilla. As unë s’isha mbret as shokët e mi nuk ishin ushtarë, por vetëm krijues pasionantë e të talentuar dhe vizionarë që aspironin lirinë. Madje, në vitet ’70-të, unë kam shkruar e botuar poezinë: «Midis jush», mesazhi i së cilës ishte fare i qartë: «Fatbardhi,/ Unë/. Visari/, Unë rri midis jush/, Si më i shkurtër/ Dhe jo si mësues/».

Sa për përvojën, atë e merrnim njëherësh të dy palët reciprokisht: ata nga unë e unë nga ata. Kur unë u dënova për poemën «Dielli dhe rrëkerat»,  dhe Visar Zhiti u burgos sepse shikonte njolla në diell, natyrisht, kjo ishte një përvojë e hidhur, mizore se, të bëheshe poet, nuk ishte një profesion komod, në fakt, ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme drejt iluzioneve pa fund, drejt vuajtjes dhe zhgënjimeve të hidhura. Vladimir Çuni, poet i ri atëherë, shkroi për mua në gazetën Ora e fjalës se: «Nga Faslli Haliti mësuam të rebeloheshim»

KK- Lushnja ishte bërë, tashmë, një shkollë e vërtetë e poezisë e cila, si të gjitha shkollat që respektohen, kishte prekursorin e saj Faslli Halitin. që i instruktonte me vargjet e tij befasues ta gjenin poezinë midis njerëzve dhe ta shkruanin atë në një mënyrë të tillë që të thithej e të bëhej e dashur  nga njerëzit. Ju e mbani veten për prekursorin e kësaj shkolle?

FH- Të them të drejtën nuk më ka vajtur në mend një gjë e tillë. Di se Vath Korreshi dhe Loni Papa janë dy poetë e shkrimtarë lushnjarë që kanë krijuar para meje. Unë vetë, sinqerisht, nuk mendoj se kam krijuar ndonjë shkollë poetike, gjë tjetër seç mund të mendojnë të tjerët duke u nisur nga  poezia ime.

KK- Faslli Haliti u dënua, por si në përrallat e vërteta me mbret, u kthye përsëri në fronin e mbretit.

FH- Suksesin nuk e kam kërkuar vetëm në poezi.  Dhe s’e kam kërkuar kurrë në karrierë, politikë, në biznes. Por se sa i suksesshëm kam qenë dhe jam në poezi, mbetet që këtë ta gjykojnë të tjerët. Shtoj këtu se unë nuk u ktheva përsëri në fronin e mbretit si në përrallat e vërteta me mbretër, por pas dënimit, iu ktheva përsëri të shkruarit furishëm për të fituar kohën e humbur dhe nga poet me një libër kur u dënova, në vitin 1973, sot jam poet me 21 libra poetikë për të rritur dhe fëmijë si dhe me 15 libra të përkthyer në poezi e në prozë.