Krijimtaria profesionale dhe artistike e Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

1194
Sociologu i njohur Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, aktualisht është pedagog në UT, në Departamentin e Shkencave Sociale. Ai është autor i mbi 12 librave, shumica e të cilëve prekin temat më të mprehta sociale të shoqërisë shqiptare. Në tërë krijimtarinë e tij ai thekson se kriza më e madhe s shoqërisë shqiptare postkomuniste është kriza shpirtërore e cila tejkalohet më me vështirësi. Në punën e tij ai në pjesën më të madhe të kohës i kushtohet librit si krijues dhe si lexues. Të heqësh dorë nga një libër i mirë, thotë ai, është sikur të heqësh dorë nga një fener që ndriçon një copë rrugë. Sot, thekson ai në një intervistë, jemi në fazën e shkatërrimit të diktaturës totalitare, ku për politikanë kemi biznesmenë dhe sekserë politikë. Temat më të spikatura të tij në librat dhe në debatet televizive kanë të bëjnë me sistemin arsimor, marrëdhëniet student-pedagog, niveli dhe mangësitë e sistemit tonë arsimor, problemet e studentëve, raportet prindër-student, mangësitë në literaturë, informacioni i domosdoshëm, etj… Kur flitet për arsimin në Shqipëri ai thekson se: Në vendin tonë janë jo të pakta rastet e mbrojtjes së doktoratave të dobëta ose shumë të dobëta, por janë fare të rralla rastet e mosmiratimit të doktoratave nga juritë përkatëse. Sistemi arsimor shqiptar e ka humbur fuqinë selektive në çdo hallkë të tij që fund të viteve ‘60 të shekullit XX. Më lejoni të kthehemi pak prapa në kohë. Sidomos në vitet ‘20 dhe ‘30 të shekullit XX, në hapësirën shqiptare u themeluan disa shkolla me profil të spikatur perëndimor si Liceu Francez i Korçës, Shkolla Teknike e Tiranës etj. Në këto shkolla të mesme kanë dhënë mësim mësues shqiptarë të arsimuar në universitetet më prestigjioze të vendeve perëndimore si dhe pedagogë të huaj francezë, amerikanë etj. Këto shkolla kanë luajtur rol të rëndësishëm për emancipimin e shoqërisë shqiptare, sepse përçuan në të frymën perëndimore që karakterizohej nga kërkesa e ashpër e llogarisë, nga hierarkizmi i nxënësve mbi bazën e arritjeve reale në procesin mësimor, nga forca selektive e rreptë etj. Për ta konkretizuar këtë ide mjafton të përmendim se në Liceun e Korçës i nisnin mësimet në vitin e parë 130-150 nxënës dhe diplomoheshin në vitin e fundit 15-20 prej tyre. Një frymë e tillë selektive u transferua edhe në arsimin e lartë shqiptar. Deri në vitin 1967 në mjaft degë të Universitetit Shtetëror të Tiranës kalueshmëria ishte vetëm 41-42 për qind. Kjo frymë u ruajt deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX, kur filloi lëvizja masive me përmbajtje të thellë politike e karakterizuar si “lëvizje për revolucionarizimin e shkollës”. Përvoja tregon se dobësimi i fuqisë selektive të sistemit arsimor në një masë të caktuar kultivon mediokritetin, ndërsa forcimi i frymës selektive provokon probleme sociale, me kosto ekonomike dhe sidomos emocionale.
Libri “Lente të ndërveprimit simbolik”. Ç’përfaqëson ky libër në krijimtarinë tuaj?
Nëpërmjet këtij libri jam përpjekur të arrij disa pikësynime kryesore. Në radhë të parë t’u ofroj studentëve, veçanërisht atyre të lëndëve shoqërore njohuri teorike e përvoja empirike të shqyrtimit të dukurive, të marrëdhënieve të proceseve shoqërore, nga pikë vështrimi i paradigmës ndërvepruese-simbolike, t’u ofroj, si të thuash, një busull për t’u orientuar jo vetëm në labirintet e simboleve të kulturës shqiptare, por edhe në ato të kulturave të tjera, sidomos të atyre me shtrirje më të gjerë në shkallë botërore. Si i tillë ky libër është praktikisht i dobishëm edhe për masën e madhe të emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë përkohësisht ose përgjithnjë në hapësirat e sistemeve kulturore të tjera.
Sigal