Kozma Ndoni: Arsimi në Seman histori lavdie

330
Sigal

Zona e Semanit shtrihet në Fierin Perëndimor dhe kufizohet me lumin Seman në veri, me detin në perëndim, me kishën Shën Premte në jug dhe në lindje. Së paku deri në vitin 1946, shtrihej deri në Sinanbejlli, në Zhavarë (pranë fshatit Çlirim), Nikas dhe Kolkondas (fshatra të vjetër që nuk janë më). Ishte një ndër dy komunat e Fierit deri pas çlirimit dhe është një zonë jo vetëm me ndjenja të larta patriotike (pasi aty është krijuar Çeta dhe Batalioni ‘Seman’, dhe ka dhënë 40 dëshmorë), jo vetëm me prurje dhe arritje në kulturë (pasi ka zënë 8 herë rresht vendin e parë në festivale, në takime lokale e kombëtare, konkurrimet folklorike (K.N. “Kujtesa e Popollit të trevës së Semanit” Fier, 2015. f. 654), jo vetëm me arritje të larta në bujqësi e blegtori (ishte një nga 5 Koop. e Tipit të Lartë në vend, dhe me ekonomi më të mirë në rreth), por populli i kësaj zone ka qenë edhe shumë arsimdashës, temë të cilën do e shtjellojmë në vijim.

 

Sipas regjistrit të vitit 1923 dhe 1927 (bërë nga Teki Selenica), Semani (zona) kishte 25 fshatra, ndërsa sipas Mitropolisë së Beratit (Athimio Aleksudhi “Mitropolia e Beratit 1855-1887”) kjo zonë kishte tre enori me 29 fshatra. I japim këto të dhëna për të sqaruar lexuesin, se për kohën që manastiri i Kolkondasit kishte shkollë greke qysh herët, nga viti 1815, dhe arsimi aty vazhdoi seri në vitin 1944, e merrte Semani dhe të gjithë aktivitetin e tij deri në vitin 1960 kur kaloi me Libofshën, ishte si pjesë e kësaj treve. (Kujtoj se Libofsha deri në vitin 1960 ishte e Lushnjës.) Madje, në vitin 1947 kemi shkollë (shqip) në Kolkondas, në Nikas, në Shterpas, në Seman, në Sheq-Marinas, në Grykë, në Shënpjetër dhe në Sinanbejlli. (E përsëris se ato vareshin nga Semani). Për çdo shkollë ka foto.
Por ndjekim tragën ku kaloi arsimi në këtë zonë:
Murgu, shenjti Kozma Etoli nga Greqia shkoi në Korçë, në Berat dhe u stacionua në Myzeqenë Perëndimore. Në vitin 1764 filloi të bëjë shërbesa fetare për krishterimin në fshatrat e zonës së Semanit. Ai shkonte nëpër fshatra, por qendrën e kishte te kisha Shën Mëri në Kolkondas, ku për koincidencë pranë kësaj kishe kalonte lumi Seman, dhe kur atë e ekzekutuan nxjerr trupin e tij pa kokë. Për nder të tij Ali Pashë Tepelena dhe populli i zonës investuan dhe në vitin 1813 u ngrit manastiri Shën Kozma. (Nuk do shkruaj se me çfarë qëllimi erdhi prifti Kozma, pse u ekzekutua me prerje koke, por grekët gjithmonë kanë ëndërruar Vorio Epirin, kur Iliria shtrihej deri në Athinë dhe shqiptarët i gjen aty që në krye të herës.)

Kozmai krahas shërbesave fetare filloi të jepte edhe gjuhën greke dhe shumë fëmijë të zonës dhe kjo zgjoi interesin për të mësuar.

Me ngritjen e manastirit Shën Kozma aty u çel shkollë në gjuhën greke dhe arsimi në këtë manastir, krahas atij të Ardenicës, eci me hapa të shpejtë. Madje, në vitin 1817, aty u ngrit gjimnaz dhe konvikt dhe arsimi në greqisht eci me ritme të kënaqshme. Kjo pati një ndikim pozitiv në futjen e arsimit dhe u krijuan mundësitë për më tej. Shumë syresh shkuan deri edhe te shkolla e mesme ‘Zosimea’ në Janinë, të tjerë në Korfuz e në Selanik, dhe atje ndodhi mrekullia. Shumë nxënës në këto shkolla greke u njohën me bashkatdhetar nga trojet shqiptare. Ata shkuan për të studiuar për klerikë dhe mësuan gjuhët greqishte e vjetër dhe të re, latinisht dhe frëngjisht, por në mënyrë të fshehtë, ndërmjet shokëve shqiptarë mësuan edhe shqip. Një tregues se klerikët në manastirin e Kolkondasit ishin të arsimuar e jep fakti që në këtë manastir është mbajtur regjistër për aktivitetin kishtar dhe sot njihet si Kodiku i Shën Kozmait, të cilin nuk e gjen në manastire dhe kisha të tjera. Madje, te ky kodik janë mbështetur disa studime të botuara në Etnografia Shqiptare II (Tiranë, 1963) dhe III (Tiranë, 1966) dhe nga studiues të tjerë.

Në Kolkondas të mësuarit shkrim, këndim shqip ndërmjet qendrës mësimore ka filluar qysh më 1895. Patriotët në grupe u mësonin të rinjve të shkruanin e të mësonin gjuhën amtare. Librat i kishte sjell nga Stambolli Spiro Saqellari, ku kishte rënë në kontakt me patriotët e shquar të Rilindjes Kombëtare, nga të cilët kishte marrë udhëzime për realizimin e programit të lëvizjes shqiptare e asaj arsimore. Spirua, mbasi kishte mësuar vet shqip filloi tua mësonte edhe të tjerëve. (Arsimi Fier-Mallakastër, maket, v.1985,. f. 32, 41.)

Kështu kur sundimtari i Beratit mori vesh se në Kolkondas fshehurazi nëpër shtëpi po mësohej gjuha shqipe, dërgoi ekspeditë me 200 ushtarë kalorës dhe mori masa ndëshkimore ndaj atyre që punojnë për çështjen e shkrim këndimit shqip. U arrestua dhe torturua Tasi Llazi. Çuko, të cilit i konfiskuan pasurinë. Ndërsa patriotin tjetër shqiptar Kristo Lule, mësues në shkollën greke, e dërguan të lidhur në burgun e Janinës.

Thoma Josifi (nga Rreth-Lifofsha, fshat afër Kolkondasit) tregonte se në shkollën e manastirit fshehurazi kanë hyrë libra në gjuhën shqipe që në vitin 1904 të shkruara në alfabet të përzier.

Në fshatin Hasalli (fshat ngjitur me Kolkondasin) Kron Joti Hila dhe Kristoi Hila, të cilët kishin mbaruar shkollën greke të Kolkondasadit fshehurazi kishin mësuar edhe shqip. Kështu ata lexonin libra dhe gazeta shqip. (Po aty, f. 33, 34.).

Por pengesat, përplasjet, vështirësitë, bënë që këta klerikë të organizohen dhe të marrin vendime dhe zotime.

Bijtë më të mirë të kësaj krahine, si At Isaia (Irakli Pylli), nga Shënpjetra, Ymer Hoxha nga Radostina ishin ndër të parët që ndërmjet rreziqeve të mëdha u mësonin të rinjve të fshatrave gjuhën amtare. Edhe këtu autoritetet qeveritare së bashku me klerikët reaksionar shpërthyen ndjekjet ndaj elementëve patriotë e përparimtarë që punonin për çështjen e arsimit e të shkollës shqipe. Në fillim morën masa ndëshkimore e diskriminuese ndaj të gjithë atyre që shpërndanin libra. Kështu ushtarët turq me ndihmën e turkomanëve shtinë në dorë të dy patriotët e më sipërm, papa Isain dhe Ymer Hoxhën. Mbasi i arrestuan dhe u konfiskuan librat shqip filluan t’i torturojnë. Në fillim i hipën në një gjemi (varkë) dhe i sillnin nga një breg i lumit në tjetrin që të frikësonin popullin e Semanit se ata që do të merreshin me shpërndarjen e librit shqip, kështu do ta pësonin. (Po aty, f. 51.)

Me shpalljen e Hyrjetit turk, më 25 korrik 1908 patriotët shqiptar u besuan premtimeve të xhonturqve për liritë politike. Dhe ata mblodhën me iniciativën e tyre një komision si organ qeverisje… Por patriotët e aktivizuar në këtë nismë u akuzuan nga autoritetet turke se po merreshin me veprimtari politike në kundërshtim me politikën e turqve të rinj. Ata ishin Zoi Ndreko, Jorgji Dhamo, Jovan Ndreko, papa Kozma Dhima, papa Spiro Saqellari etj Në korrik 1908 ky grup patriotësh i njohur si Kryengritësit Myzeqarë me në krye Ikonom Kozma Dhima nga Sinanbejllia u mblodhën në fshatin Zharrnec të Lushnjës dhe vendosën që në Myzeqe të hapeshin shkollat shqipe në Libofshë, Grabian, Divjakë, Karavasta, Seman, Kolkondas etj. Nga ky takim u vendosën dhe mësuesit, klerikët që do hapnin shkollat. (Historia e arsimit Lushnjë. Maket.) Në Seman dhe në Shënpjetër u aktivizuan dy klerikët patriot, At Isaia dhe at Liko Prençe. Ata kishin kohë që merreshin me aktivitet e veprimtari patriotike dhe në vitin 1908 te ndërtesat ndihmëse, te kishat Shën Triadhë dhe Shën Pjetri çelën shkolla shqipe. Në vitin shkollor 1910-’11 të dy mësuesit, me ndihmën e kolegëve, patriotëve, tentuan përsëri të çelnin shkolla shqipe, por duke qenë të survejuar përsëri u ndoqën dhe At Isain e kapën dhe e internuan në Shijak, ndërsa at Ilia nuk u arrit të kapej, se e maskoi populli.

Si u shpall pavarësia, qeveria e Vlorës i dha përparësi arsimit dhe ministri i arsimit Luigj Gurakuqi nxori urdhëresën: “ Shkollat fillore shqiptare do të hapen më 16 të vjeshtës së parë [shtator] e do të jenë të detyrueshme për të gjithë nxënësit e Shqipërisë. (Nxjerrë nga gazeta “Përlindja e Shqypëniës”, organ zyrtar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës Vit’i I, Nr. 10, dt. 13 shtator 1913. {fq. 180.})

Nuk do të zgjatem në këtë odise vuajtjesh, problemesh dhe pasojash deri dhe në mbyllje e çelje disa herë të shkollave në zonë, si p.sh në Luftën e Parë Botërore te kisha Shën Triadhë u vendos një bateri ushtarake austro-hungareze, në kishën Shën Pjetri shkolla u bastis, u dogj dhe At Isaia u burgos. Madje, për t’i diskredituar, për t’i fiksuar, për t’i shantazhuar, për t’i larguar nga idetë, nga qëllimi dhe aktiviteti patriotik, diskreditimi arriti kulmin kur me urdhër të autoriteteve xhonturke ata i nxorën nga burgu dhe iu varën njërit këmborë në qafë, tjetrit një zile dhe ashtu të lidhur i bridhnin nëpër pazar të Fierit, ku ishin grumbulluar shumë njerëz nga fshatrat e Myzeqesë dhe të Mallakastrës. Kjo bëhej për të vetmen arsye që ata që merreshin me veprimtari patriotike dhe arsimore të frikësoheshin, të hiqnin dorë.

Në shtator 1914 rihapet shkolla e Kolkondasit me mësues Zoi Ndrekon, por mbyllet nga trazirat e luftërat e viteve 1914, ’15 dhe hapet në vitin 1917 nga mësuesi klerik Spiro Saqellari.

Në vitin 1916 forcat sadiste (të përbëra nga njerëz me shpirt mizor) persekutuan mësuesin patriot Kozma Dhima dhe papa Isain, pastaj dy mësuesit klerik i burgosën dhe mbyllën shkollat në Kolkondas dhe në Shënpjertër.

Në një statistikë të vitit shkollor 1917-1918 për shkollat e mësuesit e nënprefekturës së Fierit rezulton kjo gjendje: mësues në shkollën e Fierit Anastas Ikonomi (Laska), Mustafa Kuçi, Thoma Lluka (Mici). Rexhep Hasani mësues në Radostinë, papa Isaia në Shënpjetër, Ilia Prence në Seman, Kozma Ikonomi (Shanka) në Grecalli, Sefedin Tatzati në Marglliç, Vahid Isufi në Kraps, Rexhep Mustafa në Marinëz, Spiro Saqellari në Kavaklli, Petro Sako (Muzaka) në Vanar, Ikonom Kozma Dhima në Ardenicë, Ferit Bozua në Kallm, Jovan Ndreko në Libofshë, Naun Doko (Prifti) në Zharrëz, Ruhi Gjirokastra në Ballsh, Servet Nivitëza në Cakran, Feim Gjirokastra në Visokë, etj. (Po aty, f. 70, 71.)

Me rënien e Austrisë dhe tërheqjen e forcave të saj, italianët i zëvendësuan menjëherë dhe morën masa për të konsoliduar pushtetin e tyre në administrimin e kësaj zone. Pasojat e kësaj politike u ndjen edhe në drejtim të shkollave e mësuesve. Kështu, në vitin 1918 italianët ndjekin mësuesin papa Isaia dhe pasi nuk e zënë dot i djegin shkollën në Shënpjetër. Në gushtin e vitit 1918 mbyllin shkollën e Kolkondasit dhe pushkatojnë mësuesin e saj Spiro Saqellari dhe internojnë gjithë familjen e Saqellarëve në Nartë të Vlorës. (Figura të shquara të rrethit të Fierit. Fier, 2002. f. 108.)

Është për t’u theksuar kërkesa e fshatarëve të fshatit Kolkondas, të cilët për dy vjet rresht i drejtojnë qeverisë (së Zogut) dy kërkesa ku shprehnin zemërimin e tyre për mbylljen e shkollës nga ana e saj. “Neve megjithëse jemi bujq, – thuhet në njërën prej tyre – me ato thërrime tona u përkujdesëm dhe bëmë godinën e shkollës së re. Dhe kështu megjithëse është dimër, më shumë se 40 nxënës nuk kurseheshin të lageshin prej shiut, të ndyheshin prej llucës dhe të dridheshin prej të ftohtit, të zbathur e zhveshur heqin gjithë këto me dëshirë që të mësonin.” (Arsimi Fier-Mallakastër, maket, v.1985. f, 77.).  “Mirëpo, si përcollëm më sipër me bastisjet e shkollave në kishën Shën Pjetër dhe në kishën Shën Triadhë, shkolla në vitin 1917 në mënyrë të fshehtë u hap në shtëpinë e Bush Janjit në Kavaklli dhe mësues ishte at Spiro Saqellari nga Korkutasi” (shkruan ish nxënësi i v. 1917, Bushi Rina nga Gjokollia në shënimet e tij.), i cili në 1918 siç shkruam më sipër u pushkatua nga italianët.

Por pengesat, problemet me shkollën nuk kanë të mbaruar. Pengesat për mos vazhdimin e rregullt të shkollës ishin nga më të ndryshmet. Ministria (e Zogut) pengoi çeljen dhe vazhdimin e mësimit në shkolla se nuk kishte mësues “me kulturë pedagogjike”, ose shkolla nuk kishte një numër të caktuar nxënësish. Mirëpo populli nuk heshti dhe nuk reshti së përpjekuri. Elementë përparimtar demokrat, që kishin një kuptim realist për jetën, u përpoqën që brenda këtyre kushteve të bëhej diçka për të shuar etjen e popullit për arsim. Për 7 vjet me radhë nga viti 1925 deri në vitin 1931 populli i Semanit nuk rreshti së kërkuari shkollë deri sa e siguroi atë me sakrificat e veta. Në letrën që i shkruanin inspektoriatit të arsimit në Berat semanjakët vinin në dukje: “Meqenëse shkolla jonë nga mos mbushja e numrit të nxënëseve sipas rregullores u mbyll dhe kështu për mos me lënë këtë shkollë të shkretë në errësirë, në mbledhjen që u bë sot dhamë vendim me shpenzimet tona po e hapim.” (Arsimi Fier-Mallakastër, maket, v.1985. f. 96.)

At Isaia edhe pse u burgos, u torturua, u fye, u sha e përbuz, u tërhoq zvarrë prej mjekre, për ta diskretituar, për të hequr dorë, por ai qëndroi si burrat, dhe nuk u tërhoq nga lidhja me kauzën për mësimin shqip. Madje, bindjet e tij patriotike e lidhën edhe më LANÇ dhe fundi i tij qe tragjik. Ai u burgos në burgun Zemun të Jugosllavisë dhe atje (12.4.1944) vdes nga torturat. Dhe ky klerik që dha shpirtin, trupin dhe idetë për këtë vend e popull, për të cilin historiani Nuri Plaku ka shkruar: “Për kontributin e dhënë… At Isai Pyllit i duhet bërë një shtatore në qendër të Fierit…”, paradoksi dhe shëmtia është se kjo figurë e mbrujtur me kaq vlera patriotike, ky njeri kaq i flaktë, ky bir i këtij vendi, për të cilin dha edhe jetën, sot nuk njihet ende Dëshmor i Atdheut!

Ndërsa në Shënpjetër së bashku me këshilltarët e Shënpjetrës më 13.11.1943 u pushkatua pionieri 14 vjeçar Lili Stavre, i cili është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe sot emrin e tij e mban shkolla 9 vjeçare “Lili Stavre” Topojë.

Po kështu mësuesi Thanas Ikonomi, i cili krahas arsimit u aktivizua edhe në LANÇ, madje u zgjodh edhe në këshillin antifashist nacionalçlirimtar dhe për aktivitetin e tij në arsim dhe pjesëmarrjen në luftë u pushkatua më 9.4.1944. Ai u shpall Dëshmor i Atdheut dhe emrin e tij sot e mban shkolla 9 vjeçare “Thanas Ikonomi” Grecalli. (K. Ndoni “Lufta nacionalçlirimtare në krahinën e Semanit” Fier, 2022. f. 135, e 148.)

Fill pas çlirimit pothuaj në të gjithë fshatrat, qendër të zonës, si e përmendëm në fillim, u hapën shkolla fillore me 4 klasë, si në Kolkondas, Nikas, Shterpas, Seman, Sheq-Marinas, Grykë, Shënpjetër, Sinanbejlli dhe më vonë edhe në Sek. Seman.

Por një handikap ka qëndruar gjithmonë prezent, duke e quajtur Kolkondasin një herë të Myzeqesë, një herë të Fierit (Arsimi Fier-Mallakastër, maket, v.1985), e herë të Libofshës dhe askush asnjëherë nuk e ka përmendur se ka qenë pjesë e krahinës së Semanit, por kjo është injorancë dhe keqdashje me dashje, dhe Saqellarët nuk janë të Libofshës, por të Kolkondasit.

Në vitin 1947 në Seman u hap shkolla 7 vjeçare dhe në vitin 1960 edhe në Topojë. Sakaq në Seman dhe në Topojë u hapën kurse kundra analfabetizmit në çdo fshat dhe shkollë mbrëmje 7 vjeçare, ndërsa në Seman u hap edhe shkollë e mesme bujqësore natën. Më vonë u hap edhe shkollë dite e mesme bujqësore, ndërsa pas viteve 1990 u kthye shkollë e mesme e përgjithshme.

Si argument të fundit për jetën e shkollave në zonë do të shtonim se Athimio Aleksudhi (Mitropolit në Berat) në lib. “Mitropolia e Beratit 1855-1887” në fund të librit shkruan: “…funksionojnë tetë shkolla: në Kolkondas, Ardenicë, Fier, Libofshë, Divjakë, Nartë, Vlorë dhe Vokopolë. Ndjekin mësimet 500 nxënës, ku përveç mësimeve në gjuhën greke jepen dhe mësime muzike kishtare… Kurse në enoritë e tjera të krahinës [Myzeqesë. Shënimi ynë] funksionojnë mbi 60 shkolla të tjera të përbashkëta në të cilat mbi 800 nxënës mësojnë shkrim, këndim dhe aritmetikë elementare.

Populli shqiptar edhe pse i varfër nga ekonomia, por jo nga mendësia, nga dëshira, nga pasioni, nga dhuntia shpirtërore, madje të drejtat e tija gjithë kohërat i ka kërkuar dhe i mbrojtur me forcë, deri edhe me armë. Kjo e bënë shqiptarin të ndjehet mirë, me kokën lart, i pamposhtur dhe dinjitoz. Këto veti të larta shpirtërore dhe burrërore e entuziazmojnë, e motivojnë, andaj shqiptarët janë të mbushur me krenari.