Ilir Çumani: Për Dritëroin që na mban të zgjuar mirënjohjen tonë

(Në 94-vjetorin e lindjes së tij – 13 tetor 1931 – 2025)

Sot, më 13 tetor, kujtojmë lindjen e një njeriu të rrallë që i dha fjalës shqipe shpirtin, ngrohtësinë dhe dritën e tij — Dritëro Agollin, një ndër mendjet më të ndritura të letrave shqipe dhe një personalitet poliedrik që e begatoi përjetësisht kulturën tonë kombëtare.

Sigal

Ai nuk ishte vetëm një poet dhe shkrimtar nga më të lexuarit nga brezat e epokës agolliane, por është një dritë që nuk do të shuhet kurrë, një flakë e qetë që vazhdon të ndriçojë ndërgjegjen tonë edhe sot.

Në çdo kujtim që lidhet me të, ndiej se Dritëroi nuk ishte vetëm njeri i fjalës, por edhe një univers i butësisë njerëzore.

Ai kishte në zemër atë dritë që s’ka nevojë për pasqyrë — sepse gjithçka i buronte nga shpirti.

Mirësia për të ishte frymëmarrje, dashuria — mënyrë jetese, dhe mençuria — udhërrëfyes i shpirtit.

Kam qenë me fat që për dekada më lidhi me Dritëroin dhe bashkëshorten e tij fisnike, Sadijen, një miqësi që më pasuroi shpirtërisht më shumë se çdo përvojë tjetër.

Shtëpia e tyre ishte një vend pelegrinazhi e mikpritjeje për shumë shqiptarë kudo ata jetonin nga të gjitha viset e Shqipërisë, këtej dhe andej kufirit — me muret që frymonin libra, me qetësinë e një biblioteke që ruan kujtime, me atë dritë të butë që del vetëm nga njeriu i mirë. Ishte një dritë që nuk ndriçonte vetëm sytë, por mbi të gjitha zemrën e Njeriut.

Mbrëmjeve të ngrohta, midis librave dhe heshtjeve me kuptim, bisedat me Dritëroin ishin si shëtitje në një kopsht mendimesh.

Ai fliste me qetësi, me humor të hollë, me dashuri për jetën, dhe njerëzit. Fjalët i rridhnin si uji i burimit — të kthjellta, të ngrohta, pa bujë, por me thellësi.

Çdo fjali e tij kishte peshën e një dijetari të urtë e të përulur dhe dritën e një zbulese të re.

“Jeta duhet jetuar me shpirt, jo me frikë,” më tha dikur me atë zërin e tij të qetë, por me timbër të veçantë kumbues.

“Sepse kush e do jetën, e do edhe tjetrin.”
Në këto pak fjalë mbyllej filozofia e tij e jetës: dashuria për njeriun.

Ai i këndoi njeriut të thjeshtë — punëtorit, minatorit, peshkatarit, bujkut, gruas, fëmijës, natyrës, çdo gjëje që frymon me jetën.

Në poezitë e tij nuk kishte mure, kishte dritare. Nuk kishte përbuzje, kishte mirëkuptim. Nuk kishte hije, por dritë.

Sadija, bashkëshortja e tij fisnike, ishte si një dritë e heshtur që mbante botën e Dritëroit të ekuilibruar.

Ajo ishte qetësia pas stuhisë, zëri i butë që përkthente ndjenjat e një poeti në gjuhën e jetës së përditshme.

Në sytë e saj lexoje përkushtimin, dashurinë e qetë që ndriçon pa zhurmë, si llamba e vjetër që s’e fik as nata.

Kujtoj takimet tona të gjata, ku flisnim për artin, për jetën, për njeriun dhe moralin që shpesh humbet në rrugët e kësaj bote moderne.

Dritëroi nuk filozofonte me fjalë të mëdha — ai e bënte filozofinë të prekshme, të kuptueshme, njerëzore. Ishte një mësonjës i heshtur i shpirtit, një urtak zemërdhembshur që të ftonte të shihje botën me sy më të butë, të mos harroje të ishe njeri.

Në çdo takim me të kuptoje se madhështia e njeriut nuk matet me famën, por me dritën që lë pas.

Dritëroi ishte burim i pashtershëm drite; ai ndriçonte pa u lodhur, duke i nxjerrë njerëzit nga errësira e mendjes dhe zemrës, me një fjali, me një buzëqeshje, me një humor të hollë që i shëronte plagët e shpirtit.

Sa më shumë kalon koha nga ndarja e tij fizike, aq më tepër ndiej se ai nuk mungon, sepse është bërë frymë, kujtesë, zë i ndërgjegjes sonë kombëtare.

Ai jeton në çdo varg që frymon, në çdo rresht që na kujton se njeriu është i madh vetëm kur është i mirë.

Dritëroi nuk shkroi vetëm poezi e romane, por mbi të gjitha shkroi jetën tonë. Ai ishte kronisti i shpirtit shqiptar.

Fjalët e tij ishin si fara që mbijnë në çdo brez, në çdo stinë. Ai foli për dashurinë pa e stolisur, për dhimbjen pa lot të tepërt, për atdheun pa dekor, por me dhembje të vërtetë.

Ishte zëri që kundërshtonte padrejtësinë me urtësi, jo me mllef; me dritë, jo me zjarr.

Në këtë 94-vjetor të lindjes së tij, kujtimi i Dritëroit më rikthen te ajo ndjesi e rrallë që të fal vetëm prania e njerëzve të mëdhenj: ndjesia e mirësisë që s’shuhet.

Në një botë ku zhurma e kotë shpesh mbulon mendimin e thellë, ku fjalët humbasin peshën dhe njerëzit harrojnë të dëgjojnë, kujtimi i tij është një kambanë e butë që na thërret për t’u kthyer te fjala me shpirt dhe jeta me dashuri.

Për mua, Dritëroi dhe Sadija janë dy emra që rimojnë me fjalën lumturi. Më mësuan se lumturia nuk është te ajo që ke, por te mënyra si e ndan me të tjerët.

Dhe sot, ndërsa kujtoj poetin që prekej nga një fëmijë që i dhuronte një karafil apo nga një bujk që i tregonte tokën e vet, dua të përsëris me mall: Dritëroi nuk ka ikur.

Ai është në çdo frymë që mbart mirësi, në çdo buzëqeshje të sinqertë, në çdo varg që mbjell shpresë.

Mjafton që kur të jemi mërzitur dhe të trishtuar, librat e tij le t’i zbresim nga raftet e pluhurosura dhe t’i shfletojmë në çdo faqe, e “në çdo fjalë e në çdo shkronjë” do ta gjejmë përsëri Dritëroin tonë, si një pelegrin të amshuar që ecën përmes jetëve tona, duke na mësuar ende si të duam, si të mendojmë dhe si të jemi gjithmonë mirënjohës, e në radhë të parë, si të jemi NJERËZ edhe më të mirë.