“From Afar” bër triumfuese Venezuelën në Festivalin e Venecias

486
Juria e kryesuar nga Alfonso Cuaron, në edicionin e 72-­të të Festivalit të Filmit në Venecia, të shtunën mbrëma, ka ndarë çmime për disa prej filmave që janë pranuar mirë nga publiku, por po ashtu ka lënë anash disa prej filmave të preferuar të kritikëve, për të cilët ishte diskutuar më së shumti.
Për më tepër, ka shënuar histori duke i dhënë «Luanin e Artë» (Golden Lion) për herë të parë një film të Amerikës Latine. Drama «From Afar» (Desde Alla) është po ashtu filmi i parë artistik i Lorenzo Vigas dhe filmi i parë nga Venezuela që ka arritur të futet në garë për çmimet e Festivalit të Venecias, shkruan sot Koha Ditore.
Skenari i këtij filmi fokusohet në një burrë të pasur të moshës së mesme, i cili bie në dashuri me një rrugaç, gjë që ndryshon jetët e të dyve. Filmi bazohet në rrëfimin me titull «21 Grams», të shkruar nga Guillermo Arriaga.
Udhëheqësi i Festivalit, Alberto Barbera, ka thënë se Amerika Latine ishte «një prej zonave më interesante, nëse shikohet nga pikëpamja e talenteve që janë në zhvillim», transmeton «Koha Ditore» shkrimin e deadline.com. Ky vend është përfaqësuar mjaft mirë në mesin e fituesve të këtij edicioni, duke marrë parasysh që edhe argjentinasi Pablo Trapero mori «Ariun e Argjendtë» për regjinë më të mirë, për filmin e tij «El Can».
Ky rrëfim që ka të bëjë me familjen vrastare e kidnapuese Puccio të viteve ‘80, në vend të vetin ka pasur sukses të madh në arka filmike, sikurse edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi është realizuar nga «Fox International Productions». Në një konferencë të mbajtur pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, kryetari i jurisë, Cuaron, ka mohuar disa zëra se trashëgimia e tij meksikane ka mundur të ndikojë në vlerësimin e jurisë.
«Roli im është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Edhe nëse do të doja të mbështesja Amerikën Latine, do të duhej një konspiracion më i madh dhe unë do të duhej t’i ndaja paratë», ka thënë ai duke bërë shaka. E me gjithë vlerësimet e diskutimet që ndodhën gjatë festivalit, çmimet e sivjetme përjashtuan filma, duke përfshirë «The Danish Girl» me Eddie Redmayne dhe Alicia Vikander, sikurse edhe «A Bigger Splash» të Ralph Fiennes.
Cuaron ka thënë se vendimi i jurisë ka qenë i unanim. «Nuk është testament i ndonjë së vërtete universale. Ky është vetëm vendim i një grupi njerëzish. Ju e dini se nëse do t’i vëni filmat e njëjtë me një grup tjetër njerëzish, do të mund të kishit rezultate të tjera. Një çmim nuk dëshmon shumë. E vetmja gjë që dëshmon diçka janë koha dhe historia», ka thënë ai.
Do të ishte mirë ta përkujtojmë se filmi «Birdman» dhe Michael Keaton vitin e kaluar ishte kthyer duarthatë nga Lidoja. Në mesin e filmave të popullarizuar e që morën çmim ishte «Anomalisa» e Charlie Kaufman dhe Duke Johnson, që mori «Grand Jury Prize». Po ashtu në mesin e atyre që mund të duartrokiten për çmim ishte Abraham Attah, ylli i «Beasts Of No Nation» që mori çmimin për aktorin më të mirë të ri.
Në këtë film ai portretizon një ushtar të mitur të rekrutuar nga kryekomandanti Idris Elba. Në një konferencë për medie javën e kaluar ai dukej të jetë goxha i turpshëm në komunikimin me gazetarët. Por në skenë është dukur më i guximshëm, teksa ka falënderuar jurinë, organizatorët e Festivalit, producentët dhe kolegët e vet.
Veterani francez Fabrice Luchini u shpall aktori më i mirë për rolin në «L’Hermine» që po ashtu mori çmimin për skenarin më të mirë. Valeria Golino nga Italia u emërua aktorja më e mirë për rolin në «Per Amor Vostro» të regjisorit Guiseppe Gaudino, një dramë për një grua napolitane që përpiqet ta tejkalojë depresionin.
Një tjetër film që befasoi ishte «The Childhood of A Leader» i Brady Corbet, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si aktor dhe ky është filmi i tij debutues si regjisor. Drama mori çmimin «filmi më i mirë i parë» (Best First Film), sikurse edhe atë për regjinë më të mirë në kategorinë «Venice Horizons».
Çmimet, siç ka thënë edhe vetë Corbet, i erdhën pas disa dështimeve në produksion që gati sa nuk e çuan në depresion. Por siç duket, ky udhëtim ia ka vlejtur. Festivali i Filmit në Venecie sivjet i kushtoi vëmendje edhe valës së emigrantëve dhe refugjatëve, nëpërmjet filmave që u shfaqën dhe në kuadër të diskutimeve për ta.
«A Bigger Splash» – filmi që ka një pjesë në të cilën përfshihen njerëzit që kanë ardhur në bregun e Pantellerias përfshin informacione të shkurtra të marra nga transmetuesit televizivë që bëjnë fjalë për refugjatët dhe emigrantët që kanë zbarkuar në Lampedusa.
Po ashtu shfaq pamje të një grupi refugjatësh të fshehur në kodrat e Pantellerias dhe të atyre në një zonë të rrethuar pranë Stacionit lokal të policisë. Ekipi i këtij filmi në konferencën për medie pas shfaqjes së premierës, ndër të tjera, diskutoi edhe për emigrantët.
Sigal