-Për rolin e Çobo Rrapushit, më duhej të ndalesha në dy krijime letrare të Shefqet Musarajt: novelat “Isha unë Çobo Rrapushi”, dhe “Unë Mato labi konservator”
– Unë kam vrojtuar shumë tipa e personazhe, të cilët kanë ekzistuar dhe kam marrë atë që më ka interesuar
– Roli i cili më ka lodhur më shumë ka qenë Çobo Rrapushi
– Për rolin e Çobo Rrapushit mora rrugën për në Smokthinë, m’u në zemër të Labërisë së Vlorës
– Do veçoj rolet “Këtu paska konita”, “Luftë e ngatërruar”, “Gunat përmbi tela”, “Ëndërr për një karrige”, “Gurët e shtëpisë time”, Këshilltarët”, “Gjeneral Gramafoni”
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Pas mbarimit të shkollës së mesme elektrike e pedagogjike në vitin 1963 mbaron studion 1 vjeçare për aktor në teatrin popullor. Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen Naim Frashëri e klasit të parë. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Çehovit”. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja janë: “Çobo Rrapushi me shokë” në rolin e Çobos. Në dramën “Vite të paharruara”. “Fytyra e dytë”. E në qindra e qindra komedi me një akt. Në vitin 1979 merr titullin Artist i Merituar. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik, ku ka spikatur me role në filma patriotik si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”. Filma me temë të asaj kohe si “Ëndrra për një karrige”, “Zëvendësi i grave” etj. Jeta e tij ka shumë ngjarje pasi ai është njeri shumë popullor. Ja disa momente nga jeta e tij.
-Kam takuar thuajse të gjithë të afërmit tuaj. Në përgjithësi shquhen për humor. Por nëna juaj ka pasur diçka të veçantë në bisedë. Në dy takimet me të kam ngelur i befasuar për mënyrën e komunikimit. Pra si je ndjerë që në vegjëli mes të afërmve të tu?
Në përgjithësi pjesëtarët e familjes sime njihen si njerëz me humor. Që nga gjyshi, por edhe babai transmetonin një humor të pëlqyeshëm në fshat. Edhe nëna, gjithashtu. E pyesin njëherë nënën se si e ka nisur Luftari këtë estradën… E, ajo u përgjigj: “Oi, ou të keqen nëna… si e nisi ashtu e bitisi, rrenga-denga me ca këmborë e ca zile”. Personalisht humorin kam qejf ta gjej në popull. Një peshkim paksa i vështirë, sepse halli im është komedia jote. Në qoftë se nuk do të gërmosh për personazhin që do të luash në skenë, do të mbetesh i thatë. Unë kam vrojtuar shumë tipa e personazhe, të cilët kanë ekzistuar dhe kam marrë atë që më ka interesuar. Kështu, te “Konitat”, “Vodha” mënyrën se si i lëvizte këmbët një personazh real, te një tjetër mënyrë si e dridhte duhanin, te një i tretë se si luante kokën. E kështu, duke e furnizuar me njohjen personale e duke marrë atë çka duhet nga të tjerët, i pres kostumin vetes sime. Në këtë kuadër mund të them se roli, i cili më ka lodhur më shumë ka qenë Çobo Rrapushi…
Pse pikërisht ky rol?
Sepse për atë rol mora rrugën për në Smokthinë, m’u në zemër të Labërisë së Vlorës. Brodha nga një mik te tjetri, mes fshatarëve të kësaj krahine, që dallohet për mikpritjen e saj. Po dhe role të tilla tek “Këtu paska konita”, “Luftë e ngatërruar”, në filmat “Gunat përmbi tela”, “Ëndërr për një karrige”, “Gurët e shtëpisë time”, “Këshilltarët”, “Gjeneral Gramafoni” kam studiuar personazhet jetësorë. Çobo Rrapushi ishte një nga rolet që jam angazhuar më shumë se çdo herë. Ishte e para herë gjatë praktikës sime si aktor estrade që më ngarkohej një rol i tillë me përgjegjësi, një personazh qendror, i cili do përshkonte tej për tej spektaklin tonë. Kuptohet që është ndryshe të realizosh një figurë të dhënë në një skeç ose qoftë në një pjesë ose komedi me një akt dhe krejt tjetër të japësh një personazh qendror ose një hero gjatë gjithë shfaqjes. Periudha gjatë të cilës zhvillohet ky personazh ishte aq e plotë, saqë fare mirë mund të përbënte dhe subjektin e një romani ose të një komedie të plotë. Por ndërsa romani dhe komedia kanë përparësitë e tyre në këtë drejtim, skena e estradës ruan gjithnjë kufizimet e veta. Këto kufizime e vështirësojnë punën time, sepse kemi të bëjmë me raste të tilla të shfaqjes në bosht, apo si në rastin e Çobo Rrapushit, bëmat e të cilit fillojnë që nga vitet e zjarrta të luftës Nacional Çlirimtare e deri në ditët tona. Për realizimin e figurës simpatike e poliedrike të këtij personazhi më dolën përpara disa detyra jo fort të lehta.
-Konkretisht mund të na i thuash këto detyra?
Së pari: njoha mirë veprën e autorit Shefqet Musaraj. Dhe kjo vepër ishte e gjithanshme. Jo pak, por 50 vjet krijimtari. E hedhur në letër në periudha të ndryshme, por të lavdishme të historisë së popullit tonë. Jo vetëm në prozë, por edhe në poezi, publicistikë. Dhe gjeta njërën gjini më tërheqëse se tjetrën, njërën vepër më interesante se tjetrën. Gjuha e autorit përbënte çështjen e dytë, të cilën duhej të zgjidhja gjatë punës përgatitore. Këtu dua të theksoj se gjuha e shkrimtarit Shefqet Musaraj është ndër më të pasurat e autorëve tanë. Është një gjuhë e lidhur fort me thesarin popullor dhe me koloritin e krahinës, kolorit, të cilin shkrimtari e njeh dhe e shfrytëzon siç duhet. Së treti, si nga vepra, ashtu nga gjuha e pasur e autorit duhet marrë aq sa lejon libreti i një shfaqjeje estrade me kufizimet që përmendëm më sipër. Ishte pra, një provë që i kapërcente rolet e mia të realizuara deri atëherë në skenën e estradës nga ana ime. Unë kisha lexuar shumë nga Shefqet Musaraj, por këtë radhë, m’u desh të studioj vëmendshëm gjithë veprën e tij, që për fat e gjeta lehtë në të gjashtë vëllimet e lidhura e të botuara atyre viteve. Më duhej të ndalesha kryesisht në dy vepra të mirënjohura të shkrimtarit, novelat “Isha unë Çobo Rrapushi” dhe te novela tjetër “Unë Mato labi konservator”. Këto pra, do të ishin dhe materialet bazë mbi të cilat do të ngrihej e do të bënte përpjetë edhe spektakli ynë.
Disa nga vetitë, bëmat, sjelljet dhe episodet nga jeta e Mato Labit, në rastin tonë duhet t’i viheshin Çobo Rrapushit. Ky njehsim i dy heronjve të mirënjohur, nuk ishte më aq i lehtë, siç mund të duket në shikim të parë. Vetë personaliteti i këtyre dy heronjve e bënte dhe më të vështirë përpjekjen time. Nuk ishte fjala as për t’i satirizuar dhe as për t’i parodizuar ata. Humori i tyre dhe qëndrimi ndaj tyre do të ishte plot dashuri e ngrohtësi, siç është në jetë dhe qëndrimi ynë karshi njerëzve tanë të mirë e të shtrenjtë. Të metat dhe pasojat e tyre gjithashtu nuk duhet të nënvleftësoheshin. Kjo do të ishte një pjesë tjetër e ekstremit, e cila do ta dëmtonte shumë si shfaqjen ashtu dhe idetë që do të ngrinte ajo. Po ashtu figura e Çobo Rrapushit do dilte me dobësi të theksuara, që vende-vende, mund të merrnin edhe theks ideor. Pasi u njoha më mirë me veprën e autorit dhe në veçanti me të dy novelat e sipërmendura, m’u desh të punoja dhe më tepër me gjuhën.
Këtu më ndihmonte së tepërmi fakti që, siç thashë dhe më sipër, e njoh gjuhën e krahinës së Labërisë. Por dihet se është tjetër gjë ta njohësh dhe ca më ndryshe ta përdorësh atë gjatë gjithë shfaqjes. Për këtë m’u desh të takoja e të bisedoja me veteranë e të moshuar të krahinës, për t’i pasur më të qarta nuancat e kësaj gjuhe, theksimet, mënyrën e të folurit nga afër për tema të ndryshme bisede etj. Unë dhe më përpara kam pasur dhe i kam vlerësuar kontakte të tilla, po kjo s’do të thotë se me kaq mjaftonte.
-Gjuha e popullit, si gjithë gurra pa shterim e tij, është në ecje, në zhvillim. Ju jeni mbajtur shumë tek kjo gjuhë?
Begatia e saj është aq e madhe, saqë nuk mund të themi se u konsumua ose varfërua me një spektakël të tillë, me një komedi ose me një roman, qofshin këto dhe ndër më të mirët. Por puna përgatitore nuk mund të merrte fund me zgjedhjen e këtyre detyrave. Njohja e periudhës historike gjatë së cilës shtrihej edhe ndërtimi i libretit të Pëllumb Kullës ishte po aq e domosdoshme. Më duhet të mësoja më shumë për Luftën Nacionalçlirimtare, për periudhën e pasçlirimit, për tatimet e jashtëzakonshme, shpronësimet, për reformën agrare, për kolektivizimin e bujqësisë, e të tjera. Tani i kishte ardhur radha punës me regjisorin. Këtu puna u fut në një disiplinë shkencore të vërtetë. Unë kam punuar gjatë e në veçanti me regjisorin Kulla. Vetë ngarkesa ime ideo-emocionale e psikike e kërkonte domosdoshmërisht këtë gjë. Dua ta theksoj këtë pasi mjaft nga ne aktorët e estradës, pak punojnë me zbërthimin e rolit. Ka, në përgjithësi, një koncept frenues në këtë drejtim. Disa janë të mendimit, se nuk ia vlen të zbërthesh një rol që zgjat vetëm tri minuta në skenë. Por ja që duhet. Se kur vjen puna, t’i interpreton, por nuk di çfarë të theksosh, cilën fjalë a shprehje të vësh më në vëmendje? Dhe kështu, të ikën roli nga duart ose ecën në një vijë horizontale si shumë skeçe të cilët as të ngrohin e as të ftohin. Për këtë arsye materiali duhet të zbërthehet thellë dhe sikur ai të jetë vetëm një faqe apo më pak.
Kur ke arritur të realizosh këtë e ke më të lehtë të vendosësh pikat mbi i! E di se ku dhe si do të dalësh. Kështu, unë, nga fragmenti i “Epopesë” di mirë se ç’qëndrim duhet mbajtur me krerët e Ballit. Qe e vërtetë se ende nuk ishte hapur vëllavrasja, por ama dihej se ku do t’i shkarkonte mushka drutë për rrugën që kishte marrë Balli. Të qe për një luftëtar si Çobo Rrapushi, ballistët e donin kokës, po ja që Çoboja ishte partizan dhe jo luftëtar komit, ai i nënshtrohej disiplinës së Partisë Komuniste.
Fare ndryshe shtrohet çështja në qëndrimin pas lufte me kulakët dhe të deklasuarit, siç është fjala, episodi i Rrapos me Seit Efendiun. Këtu tashmë lakrat ishin ndarë njëherë e mirë. Dhe në këtë mosqëndrim është i hapur: luftë pa pajtim me reaksionin dhe mbeturinat e tij. Në këto raste aktori e ka më të lehtë interpretimin dhe realizimin e figurës. Interesant është dhe qëndrimi me Xhezon, Dadanë, Ramadanin e me të tjerë personazhe gjatë, të cilit Çobo nuk është aq i lehtë, siç mund të duket në shikim të parë. Çobon e kritikojnë. Po kush e bën këtë? Njerëzit e tij më të afërt, shokët dhe shoqet e luftës, me të cilët kishte fjetur nën një velenxë, kishte pirë ujë në një pagurë. Me këta Çobo Rrapushi nuk mund të mbahet rëndë ose t’u shkrehet me të metat që ata i vënë në dukje, me apo pa takt. Sado me sedër dhe një burrëri disi patriarkale, ai thellë në vetëdije e kupton që ka faj. Nuk do ta japë menjëherë veten, por kjo s’e le të kuptojë se ka për të ngulur këmbë në të tijën. Dhe kthesa vjen fare logjikshëm, me natyrshmëri dhe jo e kërkuar. Tek grindja me shoqen, Dadanë, Çoboja kalon dy çaste kryesore: në fillim kritikues parimor dhe më pas i kritikuar. Roli është tërheqës. Por këtu duhej pasur kujdes, të mos kapërcehej sensi i masës, të mos parodizohej një figurë kaq e dashur për publikun. I tillë, po ca më interesante, zhvillohet figura e Çobo Rrapushit në skeçin mbi indiferentizmin. Edhe këtu lidhja është po ajo. Madje në shikim të parë duket se ka një paralelizëm: nga kritikues në i kritikuar. Por nuk është ashtu. Çoboja këtu i jep vetë shkëndijën kritikës ndaj tij. Ai e vazhdon diskutimin me një autokritikë të sinqertë e të merr mendjen. Po ç’e do se puna shkon ca më larg nga ç’e kishte pandehur Çoboja. Tani dikush kërkoka të mbahet qëndrim ndaj Çobos. Hajde dreq hajde, mendon Çobo Rrapushi, ku e patëm dhe ku na doli. Megjithatë, pasi qesh me ironi, ai ngrihet dhe e përcakton vetë masën, si për Dadanin e shthurur dhe liberal, ashtu dhe për indiferentizmin e tij. Ja, ky është qëndrimi i sinqertë i njeriut të ditëve tona.
-Çobo Rrapushi ecën me kohën, ecën së bashku me shokët dhe njerëzit e tij. Dhe ja, ku na del me një aspekt tjetër. …
Asiston në një provë të grupit të estradës në fshat. Ulet në një karrige, tymos llullën dhe shikon. Diçka nuk vete. Diçka duhet ndrequr, diçka duhet të plotësohet. Prova ka ngecur. Prania e Çobos duket sikur e bie gjithë këtë pështjellim. Aktori dhe regjisori duhet ta heqin qafe me marifet Çobon, por ai nuk shkulet nga istikami. Ai e di pozicionin e tij. Aq sa papritur merr dhe zjarr. E di se Brezhnjevi në të vërtetë nuk është ai i Rusisë, po djali i Delos, megjithatë e përzë së bashku me Karterin e Tenin, duke i shkelmuar dhe kapelat. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Dhe mendohet Çobo Rrapushi. Dhe ja, ku u gjet zgjidhja. Si aktorët, si regjisori mbeten të kënaqur nga zgjidhja që Çoboja i gjeti pjesës së tyre të mangët.
Ndoshta dikush do të thotë se a e nuhati Çobo Rrapushi që skeçi stononte? Aq më shumë, ai e gjeti konkretisht defektin e aq më shumë, zgjidhjen, që në shikim të parë dukej si pa shpresë? Ky problem nuk ekziston. Çobo Rrapushi ka nuhatjen e hollë të klasës së popullit, ka përvojën e madhe dhe të pazëvendësueshme me asnjë lloj kulture apo diplome të jetës së tij prej luftëtari vigjilent. Këto qenë disa nga çastet kyçe të përgatitjes dhe të realizimit të figurës së Çobo Rrapushit në spektaklin “Çobo Rrapushi me shokë”. A mund të punohej më mirë? A mund të punohej më shumë? Kjo as që mund të vihet në diskutim. Në letërsi dhe arte pyetje të tilla, as që mund të shtrohen. Këtë e themi për arsye se në skenën e estradave tona mbetet ende shumë për të bërë sidomos në drejtimet që u përmendën qoftë edhe shkurtimisht në këto radhë. Natyrisht shembuj të mirë dhe shumë të mirë realizimi janë dhënë në të gjitha trupat. Dhe këta nuk janë të pakët.