Dr. Blerina Shalari: Filozofia e operës sipas studiueses Prof. Dr. Holta Sina Kilica

Krijuesja Holta Sina Kilica bën një rezyme të të gjithë aktit të krijimit të këtij super-arti të operës, si dhe të gjinive të ndërlidhura me të siç është oratorio, apo kantata vokale, të cilat, as nuk e kanë, dhe as nuk e zënë dot vendin e operës në shpirtin e publikut dhe në bazat artistike të historisë. Studiuesja reflekton mbi operën, jo vetëm përmes referencave, dhe aspak të bëhet “skllave” e tyre, por përkundrazi, ajo jep edhe mendimin personal, se si dhe pse mori formë opera.

 

Dr. Blerina Shalari
Kompozitore, muzikologe (Akademia e Shkencave e Shqiperisë)

NOA

 

Holta Sina është një studiuese e konsoliduar tashmë, jo vetëm si e tillë në spektrin shqiptar, por edhe si pedagogia ime e analizës së formës në Universitetin e Arteve, ku ka patur te studentët një ndikim sa intelektual, aq edhe njerëzor.

Libri i saj mbi perspektivën e operës, i titulluar “Opera  – Koncept dhe Strukturë” (botuar nga shtepia botuese “Mediaprint”) është një “shtërg”, i cili fluturon pothuaj në të gjithë historinë prej kah ka kaluar arti muzikor, dhe jo vetëm ai operistik, por tërësia tingullore në përgjithësi e cila reflekton një kulturë të gjerë dhe filozofi mendimi në librin e studiueses.

Shumë prej vlerave të librit sintetizohen hijshëm nën lupën estete të profesorit tonë Fatmir Hysit, i cili megjithatë e ka ruajtur sensin kritik, por entuziast për librin për të cilin po shprehemi.

Kam hasur edhe më parë libra të fushës studimore, libra që kanë pasur një dokumentim kryesisht tekniko-analitik  për muzikën si ai i viteve të shkollës kur punonim nën diktatin shkrimor të profesoreshë Hamide Stringës. Por ky libër që shfletojmë sot është një hap më tej, në shqyrtimin jo vetëm analitik, por edhe historik dhe mbi të gjitha letrar e psikologjik të faktorit art total të shtrirë në kohë, dje, sot dhe nesër, faktor të cilin e nxit shkaku dhe pasoja madhore e quajtur opera. Krijuesja Holta Sina Kilica bën një rezyme të të gjithë aktit të krijimit të këtij super-arti të operës, si dhe të gjinive të ndërlidhura me të siç është oratorio, apo kantata vokale, të cilat, as nuk e kanë, dhe as nuk e zënë dot vendin e operës në shpirtin e publikut dhe në bazat artistike të historisë. Studiuesja reflekton mbi operën, jo vetëm përmes referencave, dhe aspak të bëhet “skllave” e tyre, por përkundrazi, ajo jep edhe mendimin personal, se si dhe pse mori formë opera. Çfarë roli fitoi ajo përgjatë shekujve?

Si ju mbijetoi opera dallgëve të historisë, dhe si e kapërceu vehten në shekullin XX-të duke u shndërruar në teatër muzikor apo muzikal?

Të gjitha këto pasqyrohen me shijen vetjake të studiueses, pasqyrohen në një prizëm ku edhe një lexues i thjeshtë mund të bëhet rob i leximit të këtij libri, nëse do të dijë pak më shumë për një histori komplekse siç është opera në kulturën botërore, dhe pse jo edhe në atë shqiptare.

Në thelbin e librit nuk është domosdoshmërisht një analizë tekniciste, e ngulitur nën kthetrat shkencore, por aty gjejmë një simbiozë midis filozofisë personale për mënyrën se si e sheh studiuesja operën dhe jo vetëm, dhe një kapërcim tek referencat dhe gjykimi për operën, i shtrirë sa më thellë në histori. Dhe ashtu si një agim që lind ngadalë, ashtu edhe në librin e studiueses Holta Sina Kilica, ravijëzohet saktësisht paralindja, lindja, zhvillimi dhe intensifikimi e, më tej, rikonceptimi i operës si një konglomerat shijesh emocionale të blatuara në shekuj e deri sot.

Libri i është fshehur disi klishesë sipas së cilës studiuesi duhet të flasë doemos përmes jehonës së librave të tjerë. Jo, studiuesi më së pari duhet të japë vlagën e mendimeve të veta, pastaj të kridhet në dëshmi, fakte e dokumente, dhe sërish të ringrihet mbi to, e t’ju shënojë atyre vulën e vetë krijonjëse.

Kjo më ngjau teksa lexoja librin e pedagoges Holta Sina Kilica, i cili veç studimit, të nxit ta lexosh edhe si muzikant, edhe si student, edhe si i apasionuar ndaj kulturës elitare.Ky libër është interesant sepse pikërisht operën nuk e trajton asesi siç ndoshta paragjykohet, si një përzierje e fesë, mitit, shkencës, artit, letërsisë dhe dramës, por në të, ajo shihet si një individualitet i lindur nga shumë tërësi njëkohësisht, ose e thënë më thjeshtë, një gjini e cila nuk jeton dot e vetme.

Dhe ashtu si një agim që lind ngadalë, ashtu edhe në librin e studiueses Holta Sina Kilica, ravijëzohet saktësisht paralindja, lindja, zhvillimi dhe intensifikimi e, më tej, rikonceptimi i operës si një konglomerat shijesh emocionale të blatuara në shekuj e deri sot.

Mjafton të lexosh përmbajtjen e librit, dhe aty kupton se ç’ka shumë do të gjesh aty, dhe shumë e më shumë do të gjenerosh filozofi krijuese dhe interpretuese, parë me teleskopin e muzikologut.

Më ka bërë përshtypje në libër se për shembull:

“Mesha e madhe” në si minor e Bach-ut, trajtohet si një subjekt artistik edhe më përtej se sa të jetë fetar.

Filozofia e meshës edhe pse e diktuar nga biblodia, sërish studiuesi e ka për detyrë të gjejë dhe të zbulojë të thellin mision që ka kompozitori në krijimin e një monumenti si kjo vepër.

Ashtu siç shkruan profesori Fatmir Hysi në parathënien e librit, ky studim nuk është tjetër përveçse një “premtim shkencor”, i cili depërton me lehtësi tek çdo libërdashës.

Një përshkrim panoramë e gjejmë për librin në parathënien e tij, por edhe vetë autorja jep një hollësi idesh dhe mendimesh vetjake por edhe të referuara aty-këtu, të cilat e bëjnë këtë punim, një vlerë, si për shkollën e mesme e të lartë të muzikës, por edhe më gjerë e përtej tyre.

Një vlerë më vehte është edhe trajtimi i veprave të shek XX-të si një “skemë alternative” siç i quan profesor F. Hysi, dhe kështu duhet parë ky zhvillim në përgjithësi, dhe jo të shihet si një traditë e mbivendosur.

Tri monarkitë absolute: Muzikë letërsi, teatër, sjellin në libër një panoramë të qartë dhe me efekte psikologjike për lexuesin, dhe jo vetëm për atë profesionist. Referimi i autores në filozofë arti, si p.sh. te Niçe me librin “Tragjedia apo përvoja e autokritikës”, e ngre vetë autoren në një stad ku muzika nuk shpjegohet vetëm  prej muzikologut, por ajo është një faktor ndikues përtej muzikologjisë. Kështu e sheh edhe autorja këtë libër. Në këtë narracion kritiko-historik mbi operën gjejmë edhe elementë shoqërorë të ndikimit që shërbyen për krijimin e operës. Historiku i salloneve, qarkullimi artistik mes kontërve dhe princërve, por edhe refleksione mbi thellësinë kohore e mbërritjen në ditët që jetojmë të operës, është pikërisht një udhëtim i shkruar dhe pse jo i përjetuar, të cilin në mos të gjithë si publik, por edhe në veçanti ne si muzikantë, duhet ta kryejmë medoemos. Libri i shmanget fasadës marketinge, fotos që gjoja flet më shumë se fjalët, apo pentagramit pa fre që duhet me patjetër të zërë gjysmën e faqeve të librit për t’i dhënë atij…. “tone shkencore”. Po kështu, edhe gjuha e përdorur në tekst, i shmanget ndërlikimeve të kota me theks akademik.  Në këtë shkrim po i shmangemi citimeve nga libri, pasi vetëm një mendim personal mbi të do të mjaftonte për ta pasur atë në bibliotekën personale.

Studimi, veç të tjerash, e rrëzon kultin e “operës për opera”, apo nuk nguron të shprehet referencialisht për tragjedinë muzikore, apo për “skemën alternative” të muzikalit, apo zëri monodik si opozitë e zërit polifonik janë disa nga shpalosjet pikante të tekstit dhe mendimit.

Libri nuk e largon operën nga dimensioni jetësor, pavarësisht se ajo priret nga konvencione mikse artesh.  Libri mbrohet nga autorja duke e shmangur sa më shumë trajtimin tipik përgjithësues, megjithëse në të do të donim pak më tepër sintetizim të tekstit në një format disi më të përmbledhur dhe intim. Pavarësisht kësaj, libri mbetet një manual i rëndësishëm i renditjes së parimeve të operës, i zhvillimit dhe i pikë-mbërritjes së saj deri sot.

Studimi meriton të përkrahet, lexohet, recensionohet  nga njerëz të fushës e më tej, pasi për kohët që jetojmë, ai është një luks dhe klimë idealiste që rrezatohet qysh nga shekujt e artë e deri në epokën e sintetikës artificiale.

Duke e nxitur autoren Holta Sina Kilica, të lëvrojë më tej pse jo, edhe teatrin muzikor, si një veti e posaçme e saj,  si një zeje vetjake të kritikës për të, mendojmë ta përfundojmë këtë refleksion të shkurtër me fjalët e vendosura në krye të tij, ku thuhet:

Diell pas stuhisë…