Edmond Tupja: Shqipja standarde dhe gjendja e saj aktuale në përdorimin e përditshëm

6895
Sot një ndër problemet më shqetësuese të gjuhës së njësuar është çështja e njohjes së kulturës gjuhësore. Këtu kemi parasysh gjuhën letrare. Përdorimi i normës letrare në të folur dhe në të shkruar është një detyrim për të gjithë, por përdorimi i saj vitet e fundit, në jetën e përditshme të secilit prej nesh nuk zbatohet ashtu siç duhet, sipas rregullave gjuhësore, madje as nga institucionet. Problematikat në përdorimin e gjuhës letrare janë të pafundme. Përdorimi i saj në formën më të pastër në shkolla, zyra, media (e shkruar dhe vizive) në parlament apo kudo tjetër, lë për të dëshiruar. Sot shihet qartë një deformim i gjuhës së njësuar letrare nga të gjitha këto që cituam më sipër. Gjendja e gjuhës shqipe (letrare) është për të ardhur keq, përdorimi i saj në formën e pastër ka marrë përmasa shqetësuese, kjo për shkak të keqpërdorimit të saj dhe mungesës së kulturës gjuhësore. Problem është përdorimi i kufizuar i gjuhës shqipe në të gjitha format dhe llojet e komunikimit të shkruar dhe të folur. Padrejtësitë që po i bëhen gjuhës shqipe, shihen si në përdorimin e fjalëve të huaja, të cilat janë të panevojshme për shkak të pasurisë që ofron vetë gjuha shqipe, por për fat të keq këto fjalë të huaja kanë zëvendësuar mjaft fjalë shqipe, të cilat nuk po gjejnë më përdorim, sikur të mos kishin ekzistuar. Problemet dhe gabimet fonetike, leksikore, semantike, morfologjike e sintaksore gjejnë hapësirë kudo në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Duke parë gjendjen aktuale në të cilën ndodhet gjuha shqipe letrare në vendin tonë, mund të themi se, kujdesi për gjuhën ka rënë në shkallën më të fundit. Këtë e pohojnë dhe dy njohës të mirë të gjuhës shqipe, të cilët në një intervistë për gazetën “Telegraf” kanë dhënë mendimet e tyre rreth situatës aktuale në të cilën ndodhet shqipja standarde. 
Rreth përdorimit të shqipes standarde dhe situatës aktuale në të cilën gjendet profesioni i përkthyesit. Flet për gazetën “Telegraf” ish-pedagogu, përkthyesi, publicisti, leksikografi dhe shkrimtari Edmond Tupja
1. Prej disa kohësh ka një debat gjuhëtarësh dhe jo vetëm për gjuhën shqipe; mendimi juaj?
Midis gjuhëtarëve gjithmonë ka pasur debate rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe kjo që në fillim të shekullit të kaluar lidhur me alfabetin e gjuhë sonë, më tej lidhur me dialektet dhe gjuhën standarde sot në përdorim, lidhur gjithashtu edhe me çështje të mirëfillta leksikografike, gramatikore (morfologji e sintaksë) apo leksikore, si edhe me hyrjen masive të fjalëve e të strukturave të huaja në gjuhën shqipe këto 25 vjetët e fundit. Ekzistenca e këtyre debateve më duket diçka shumë thelbësore për vetë pasurimin dhe zhdërvjelltësimin e gjuhës sonë.
2. Si paraqitet aktualisht përdorimi i gjuhës shqipe standarde në formulimet zyrtare dhe në mediat vizive dhe ato të shkruara?
Me keqardhje të thellë e të sinqertë mund të pohoj se në këtë pikë gjendja e gjuhës shqipe është për t’u vajtuar: si në gjuhën e administratës ashtu edhe në atë të mediave të shkruara dhe elektronike, shqipja standarde është bërë objekt i një dhunimi të paparë sidomos nën ndikimin e huazimeve kryesisht nga gjuha anglo-amerikane dhe nga italishtja. Kështu, shumë fjalë të mirëfillta shqipe nuk përdoren më dhe po hyjnë mjerisht në fondin e fjetur të shqipes, a thua se janë arkaizma si, p. sh., mbiemrat i përsosur dhe i përkryer që tashmë janë zëvendësuar me barbarizmin “perfekt”, si foljet ndërhyj dhe përcaktoj që po zëvendësohen nga barbarizmat “intervenoj” dhe “definoj”, si emrat kuptim, kujtesë, ngjarje e shënuar, dhe mbështejtje e përkrahje që po zëvendësohen me barbarizmat “sens”, “memorie”, “event” dhe “suport” (këtë fundit mos e ngatërroni me termin farmaceutik “supostë”!)
Goditje po merr edhe vetë shqiptimi i shkronjave të alfabetit tonë: Në vend të cëvë, themi “sivi” për CV, kurse lidhur me togshkronjat CD, DVD e MP3, në vend të cëdë, dëvëdë e mëpëtre, themi “sidi”, “dividi” e “empithri”, duke harruar që alfabeti ynë fillon me “a bë cë dë” etj., etj. madje puna ka arritur deri atje sa emri i shtëpisë botuese shqiptare OMBRA GVG të shqiptohet “OMBRA xhivixhi” në vend të OMBRA gëvëgë! Nga ana tjetër, emrat e personave të huaj nuk lakohen më, p. sh. nuk thuhet e as shkruhet më Në gjyqin e Milosheviçit, por “Në gjyqin e Milosheviç”, “Obama bisedoi në telefon me Putinin”, por “Obama bisedoi në telefon me Putin”. Në masakrimin e gjuhës shqipe shkëlqejnë në veçanti komentatorët sportivë jo vetëm duke mos i lakuar emrat e huaj (si, p. sh., “Liverpul mundi Mançester” në vend të Liverpuli mundi Mançesterin), por edhe duke përdorur fjalë të huaja të panevojshme (si, p. sh., “potent” në vend të i fuqishëm, “kondicion fizik” në vend të gjendje fizike etj., etj.) apo edhe shprehje alogjike (si,p. sh., “gol me autogol” në vend të gol në portën e tij, “Mbasi u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik” në vend të “Mbasi u shpërbë Bashkimi Sovjetik”, “Filani luan në futbollin gjerman” në vend të Filani luan në Gjermani ose në kampionatin gjerman ose me një ekip gjerman etj). Së fundi, komunikimi me sms dhe, veçanërisht, me imejll po e dëmton rëndë gjuhën shqipe: Shikoni këtë imejll që më erdhi par disa ditësh nga shoqata e nderuar Pianodrom dhe gjykoni vetë: “Per adhuruesit e muzikes se filmit kjo e marte 20 tetor ora 19 UA ka nje surprise qe sduhet ta humbisni . Super violinisti Ermir Abeshi me trion e tij D.Laro K. Laço do tju sjellin nje version te ri te dashurise se violoncelistit Arben Imami me sportisten Anisa Markajan ne muziken e fimlit Ne çdo stine dhe emocionet ende te forta te Margarita Xhepa ne filmin Tok e pargjakur te Aleksander Peçi. e me pas 2 nga figurat me madheshtore e monumentale te muzikes Boterore BRAHMS e DVORAK ». Do të vëreni se mungojnë sistematikisht dy pikat mbi “ë”, se ka emra shqiptarë që nuk lakohen, si edhe gabim gjuhësore trashanik që nuk i bëjnë as nxënësit e klasës së tretë apo të katërt fillore etj., etj.
3. Kanë kaluar 43 vite nga botimi i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, mendoni se ka ardhur koha për një ribotim?
Po, mendoj se, pas 43 vjetësh, ka ardhur koha të ribotohet i përditësuar ky libri tejet i nevojshëm, por unë u sugjeroj të gjithë atyre që shkruajnë rregullisht në gjuhën shqipe si nëpunës apo si shkrimtarë, “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” me autorë profesorët Ali Dhrimo e Rami Memushi, shtëpia botuese INFOBOTUES, Tiranë, 2011.
4. Ju jeni ekspert i fushës së përkthimit, si paraqitet aktualisht gjendja në këtë fushë në vendin tonë?
Duhet pranuar se, ndryshe nga ç’ndodhi fill pas shembjes së regjimit hoxhist, kur çdokush e ndjeu veten përkthyes, çka solli në tregun e librit përkthime të nxituara në të cilat masakrohej jo vetëm gjuha shqipe, por edhe mendimi, mesazhi dhe stili i autorëve të huaj, sot bëhen përkthime të mira, madje edhe shumë të mira, por ende hidhen në treg përkthime problematike (edhe për faj të atyre botuesve, shumica dërrmuese e të cilëve nuk kanë ekipe redaktoriale e korrektoriale të mërfillta), aq sa jo pak lexues parapëlqejnë t’i lexojnë në origjinal veprat e përkthyera nga njerëz me njohuri të mangëta të gjuhës së huaj, të ngathët në gjuhën shqipe dhe, sidomos, pa bagazhin e domosdoshëm kulturor, pa harruar që mjaft prej tyre janë, në fakt, pa dhunti artistike, pra, siç thoshte Vedat Kokona, janë përkthyes nga halli dhe jo nga malli! Këta përkthyes nga halli, me shumë punë, arrijnë gjithsesi të bëhen deri diku nënpërkthyes, por një pjesë e mirë e tyre mbeten mjerisht pseudopërkthyes.
5. Një plejadë e shquar përkthyesish tashmë nuk jetojnë më; a mendoni se duhet të ketë politika të posaçme për këtë punë titanike dhe të heshtur?
Mendoj që shqipërimet e dikurshme që përbëjnë kryevepra përkthimi (H. Lacaj, P. Gjeçi, G. Shllaku, F. Noli, M. Bobrati, V. Kokona, M. Kuteli, H. Selfo, P. Gjergo, E. Fico, R. Shvarci, V. Buharaja, S. Caci et plot të tjerë, emrat e të cilëve fatkeqësisht nuk më kujtohen tani për tani, për çka kërkoj vërtet ndjesë), pasi të jenë përditësuar vende-vende nga pikëpamja gjuhësore duke pasur parasysh disa kritere të traduktologjisë moderne, duhen ribotuar nën mbikëqyrjen dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e asaj të Arsimit.
6. Në disa raste në botimet tona janë vërejtur edhe plagjiatura të përkthimit (rasti më tipik ishte një fjalor i Kokonës), çfarë mendoni për këtë problem?
Po, ka pasur plagjiaturë të përkthimeve letrare të mjeshtrave të mëdhenj që sapo përmenda, sidomos fill pas vendosjes së demokracisë, kur ende nuk ishin përcaktuar qartë kriteret dhe rregullat e të drejtave të autorit. Në rastin e Vedat Kokonës, janë shfrytëzuar e përvetësuar pjesërisht dy herë, këto 12 vitet e fundit, fjalorët e tij frëngjisht-shqip: herën e parë pasardhësit e Vedat Kokonës hapën gjyq kundër zotit Adem Jakllari dhe e fituan pas pesë vjetësh, kurse tani janë për herë të dytë në gjyq me zotërinjtë N. Varfi dhe V. Bakillari. Gjithsesi, nuk dua të zgjatem në këtë pikë, sepse kam botuar disa shkrime në Gazetën Shqiptare për sa i përket plagjiaturës së parë, kurse në lidhje me plagjiaturën e dytë, kam botuar librin me titull “Lufta e fjalorëve – Kritikë dhe polemikë leksikografike”, Botimet Kokona, Tiranë, 2011.
Sa i përket përdorimit të standardit nga të rinjtë shqiptarë dhe institucionet në vend, ka dhënë mendimin e tij pedagogu i gjuhës në Universitetin e Elbasanit, Leonard Dauti
1. Si paraqitet gjendja me përdorimin e shqipes standarde nga nxënësit në shkollat e mesme dhe studentët në universitete?
Duke u munduar të shmang hyrjet e gjata në kësi rastesh po përqendrohem drejtpërsëdrejti në thelbin e pyetjes, ose të shprehem më saktë të çështjes, pasi zotërimi i shqipes standarde përbën një problematikë me të cilën duhet të merret seriozisht i gjithë sistemi ynë arsimor në të gjitha hallkat e tij. E theksoj këtë për arsye se ajo çfarë na dëshmojnë studentët tanë është larg së qeni gjuhë standarde, e të mos harrojmë se niveli i zotërimit të gjuhës standarde në nivelin universitar është pasqyrë e zotërimit të saj në shkollën e mesme. Pra, pjesa dërrmuese e studentëve që hyjnë në universitet trashëgojnë një nivel të ulët të zotërimit të standardit dhe një kulturë të cekët gjuhësore. Ka një sërë treguesish, vlerësimi i të cilëve na çon në një përfundim të tillë: mosnjohja e rregullave të drejtshkrimit dhe atyre të pikësimit; mangësitë në zotërimin e strukturave sintaksore të shqipes, gjë që pasqyrohet në stilin e varfër dhe monoton; varfëria e leksikut; përdorimi i fjalëve të huaja edhe për rastet kur ekziston përgjegjësja shqipe; prirja për përdorim të gabuar të fjalëve të huaja; mosnjohja dhe pamundësia e përdorimit të termave të disiplinave të ndryshme; përdorimi i strukturave sintaksore të ndikuara prej modeleve të gjuhëve të huaja etj. Arsyet e kësaj gjendjeje janë të shumta. Këtu luajnë rol një sërë faktorësh, si niveli i mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollë, vendi që zë zotërimi i standardit në kurrikulën e shkollës nëntëvjeçare dhe asaj së mesme, niveli i përgjithshëm kulturor që dëshmon shoqëria jonë dhe emancipimi i saj në drejtim të rëndësisë që paraqet zotërimi i gjuhës standarde, modelet e ligjërimit që ndikojnë te folësi i thjeshtë, sidomos media e shkruar dhe ajo e folur, roli i shtetit dhe institucioneve përkatëse në respektimin e standardit, faktorë psikologjikë etj. 
2. Po në mjedise të tjera, Kuvend, Qeveri, Media, si mendoni se përdoret gjuha shqipe?
Nuk mund t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje duke bërë përgjithësime, sepse dukuria është sa e përgjithshme po aq edhe vetjake. Përtej rasteve jo të pakta që dëshmojnë një shembull të mirë të zotërimit të standardit, kemi jo pak raste kur gjuha e përdorur në Kuvendin e Shqipërisë, prej anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe medies është model i mosrespektimit të standardit. Kjo nuk mund të kalohet lehtë, pasi modelet e ligjërimit që ofrohen përmes medies, e cila përçon edhe ato të politikanëve apo qeveritarëve, janë modelet me ndikim të drejtpërdrejtë tek pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Përgjithësisht presupozohet që media është modeli i zbatimit të normës gjuhësore, e kjo është një praktikë e padiskutueshme në vendet e tjera europiane. Për fat të keq te ne nuk ndodh kështu, pasi, për arsye që nuk po i rendis këtu, nëpër media të ndryshme ndeshen me tepri “gazetarët rastësorë”. E kam fjalën sidomos për ata që punojnë gazetarë pa pasur ende një diplomë universitare, e aq më pak kulturën e nevojshme gjuhësore. Do të ishte e arsyeshme pajisja e gazetarëve me licencë për njohjen e standardit, siç është shprehur kohët e fundit gjuhëtari i njohur, Prof. Dr. Mehmet Çeliku. Aq më e sikletshme është gjendja në medien e shkruar, ku ndeshen edhe redaktorë që nuk kanë studiuar për gjuhë-letërsi. Çfarë mund të redaktojnë ata?
3. Kryeministri Rama ka premtuar për futjen e korrektorëve dhe redaktorëve në zyrat shtetërore, si e vlerësoni këtë hap dhe a jeni në dijeni se është zbatuar apo jo?
Ky premtim është mirëpritur dhe përshëndetur nga pjesa e shëndoshë dhe e emancipuar e shoqërisë shqiptare. Është parë jo vetëm si një ndërmarrje e nevojshme, por edhe e domosdoshme. Me çfarë është bërë deri tani, me sa jam unë në dijeni, duket se kjo ka qenë një nga shakatë e atëhershme parazgjedhore të kryeministrit të tanishëm paszgjedhor. Unë nuk di që zyrtarisht të jetë pohuar prania e korrektorëve dhe redaktorëve në zyrat shtetërore. Është për të ardhur keq, por shoqëria jonë është e hapur ndaj lloj-lloj premtimesh dhe e paaftë të imponojë mbajtjen e përgjegjësisë prej autorëve të tyre. Uroj të jetë ndryshe!
4. A është e nevojshme futja e lëndës së gjuhës shqipe në sistemin tonë arsimor dhe në 
çfarë cikli është më e domosdoshme?
Gjuha shqipe si lëndë zhvillohet në ciklin nëntëvjeçar. Problemi është sa vend zë dhe a fokusohet mësimi në këtë lëndë në zotërimin e normës standarde, nëse i kushtohet vëmendja dhe koha e duhur zotërimit të drejtshkrimit dhe sintaksës së shqipes standarde. Nxënësi i shkollës nëntëvjeçare nuk duhet të mësojë shkencën mbi gjuhën, por të zotërojë gjuhën, ta shkruajë dhe përdorë atë pa gabime dhe në mënyrë të saktë. Kuptohet se përparësi për këtë merr praktika shkrimore. Këtë unë do ta shtrija edhe për shkollën e mesme. Mendoj se këtu ka vend për diskutim, pasi nuk mendoj se niveli i urbanizimit të shoqërisë sonë e bën të mundur zbatimin e modeleve të mësimit të gjuhës amtare të vendeve me një standard të lartë urbanizimi. 
Kur ju bëni fjalë për futjen e lëndës së gjuhës shqipe në sistemin tonë arsimor, mendoj se kjo lidhet kryesisht me shkollën e mesme, për të cilën mendoj se e ka të domosdoshme përfshirjen e lëndës së gjuhës shqipe në kurrikulën e saj. Këtë e gjykoj si domosdoshmëri, nisur nga niveli i dobët i zotërimit të gjuhës standarde prej studentëve rishtarë, gjë që e theksova qysh në fillim. Përveç orientimit ndaj zotërimit të standardit, mësimi i gjuhës në shkollën e mesme duhet të përfshijë edhe aftësimin e nxënësve për krijimin e një teksti të caktuar në përputhje me natyrën dhe stilin përkatës funksional. Në këtë drejtim është për t’u vlerësuar edhe përvoja e vendeve që ndodhen afër nesh, jo vetëm gjeografikisht, si Greqia, ku lënda e gjuhës në gjimnaz dhe lice zë po atë peshë që zë letërsia, për të mos thënë edhe më tepër. Ndërkohë në Universitetin e Tiranës që prej dy vjetësh gjuha shqipe zhvillohet në të gjitha degët e tij. Kjo praktikë mbetet të realizohet edhe në universitetet e tjera dhe të mos mbetet thjesht në nivelin e marrëveshjeve të miratuara por të pazbatuara.
5. Në kushtet e sotme ka më pak kërkesa për të ndjekur studimet e larta në gjuhën shqipe, si mendoni se mund të përmirësohet ky problem?
Unë mendoj ndryshe: jo se ka pak kërkesa për të ndjekur studimet për gjuhë shqipe, por është tregu ai që përcakton drejtimin e studimeve për secilin individ. Sot, para se të vendosë për degën ku do të studiojë, secili shqyrton mundësitë e punësimit që i ofron tregu i punës. Me sa di unë Fakulteti Filologjik e plotëson gjithmonë kuotën e 120 studentëve për degën gjuhë-letërsi. Po kështu edhe në Universitetin e Elbasanit regjistrohen çdo vit rreth 100 studentë në këtë degë. Po të marrim parasysh edhe numrin e studentëve që vazhdojnë studimet në këtë degë në universitetet e tjera, duhet të pranojmë se numri i vendeve të punës është më i vogël se numri i studentëve që diplomohen për gjuhë-letërsi. Edhe interesimi për vazhdimin e masterit shkencor dhe të shkollës së doktoraturës për gjuhësi nuk është i ulët. Mendoj se studentët që vazhdojnë masterin shkencor për gjuhësi duhet të kenë të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit të gjuhës dhe letërsisë në shkollën e mesme, natyrisht duke bërë ndreqjet e nevojshme në programin e masterit shkencor. Futja e lëndës së gjuhës shqipe në shkollën e mesme dhe njohja e të drejtës së mësimdhënies për studentët e masterit shkencor do ta rriste ndjeshëm interesimin për ndjekjen e këtij programi studimor.
6. A është e nevojshme të ketë një këshill për mbrojtjen e gjuhës pranë Ministrisë së Kulturës ose asaj të Arsimit?
Në Shqipëri kemi institucione për mbrojtjen e monumenteve të kulturës e megjithatë monumentet e kulturës rrënohen e marrin tatëpjetën para syve tanë. Nuk mendoj se duhet të investojmë në ngritjen e mekanizmave institucionalë për ruajtjen e gjuhës standarde. Prej kujt? Prej vetvetes? Më të frytshëm gjykoj përqendrimin e energjive intelektuale në mësimin dhe përvetësimin e saj. Duke investuar në procesin e mësimdhënies, duke filluar që nga klasa e parë e deri në universitet, në mënyrë të natyrshme do të kemi siguruar edhe mbarëvajtjen e gjuhës sonë standarde. Natyrisht, përvetësimi i gjuhës standarde nuk është një proces që merr fund brenda ciklit shkollor. Ai zgjat sa dhe vetë jeta jonë. Por, nëse në shkollë, në procesin mësimor, kemi siguruar bazat e shëndosha, ecuria e mëtejshme është e sigurt.
Sigal