Dosja e nxehtë e politikës amerikane, programi nuklear i Koresë së Veriut

646
Diana Skrapari

Donald Trump dhe Shinzo Abe biseduan në telefon të dielën në mbrëmje për të diskutuar dosjen shqetësuese të Phenianit. Pheniani është në zemër të shqetësimeve të Shinzo Abe dhe Donald Trump, për të cilën folën në telefon të dielën mbrëma. Të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të bërë presion mbi Korenë e Veriut, programet bërthamore dhe raketore të së cilës përbëjnë një kërcënim, tha Shtëpia e Bardhë. Presidenti amerikan dhe kryeministri japonez “shkëmbyen mendime mbi rritjen e kërcënimit” nga regjimi i Phenianit dhe “ripohuan se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi apo veprimi të Koresë së Veriut,” sipas një deklarate nga Uashingtoni. Të dy udhëheqësit shprehën “unitetin e tyre në lidhje me rritjen e presionit ndaj regjimit të Koresë së Veriut për të ndryshuar rrugën e rrezikshme që tani ndjek”, tha gjithashtu presidenca amerikane. Donald Trump ka përmendur problemin e Koresë së Veriut gjatë një bisede telefonike, të dielën mbrëma edhe me presidentin kinez Xi Jinping. Gjatë kësaj bisede, “Presidenti Trump foli në lidhje me kërcënimin në rritje që vjen nga programet bërthamore dhe të raketave të Koresë së Veriut” dhe “të dy udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre për një gadishull korean të demilitarizuar” tha deklarata amerikane. Procesverbali i Shtëpisë së Bardhë tregon se Trump dhe Xi biseduan edhe për “çështje të tjera rajonale dhe bilaterale me interes të përbashkët.” Por nuk e përmendën rastin e anijes ushtarake amerikane që kaloi të dielën pranë një ishulli të kontrolluar nga Pekini në Detin e Kinës Jugore, një iniciativë që shkaktoi një protestë të fortë nga Kina. Anija amerikane, destroyer hedhës-raketash USS Stethem, iu afrua më pak se 12 milje detare nga ishulli Triton në arkipelagun e Paracel, duke sfiduar de facto sovranitetin kinez mbi territorin e kontrolluar nga Pekini, por që gjithashtu për të kanë pretendime Vietnami dhe Tajvani. Iniciativa, e përshkruar nga Uashingtoni si “liria e funksionimit të navigimit” u zhvillua vetëm disa orë para bisedës telefonike të planifikuar ndërmjet liderëve kinezë dhe amerikanë. Ajo ishte denoncuar si “provokim i rëndë politik dhe ushtarak” nga Ministria kineze e Punëve të Jashtme. Zëdhënësi i ministrisë tha se Kina ka dërguar anije ushtarake dhe ndjekëse për të larguar anijen amerikane. “Pala kineze kërkon fuqishëm nga SHBA të ndalojë menjëherë operacione të tilla provokuese që shkelin sovranitetin e Kinës dhe që kërcënojnë sigurinë e Kinës,” tha zëdhënësi. Ndërkohë Koreja e Veriut lëshoi një raketë të re balistike të martën, duke shkaktuar një reagim të fortë të presidentit amerikan që thoshte në Twitter, nëse Kim Xhong-Un, lideri i Koresë së Veriut, “me të vërtetë nuk kishte asgjë më të mirë për të bëjë me jetën e tij”. Koreja e Veriut ka hedhur një raketë tjetër. A ka ky djalë ndonjë gjë më të më të mirë për të bërë me jetën e tij? Vështirë të besohet se Koreja e Jugut … (North Korea has just launched another missile. Does this guy have anything better to do with his life? Hard to believe that South Korea… ).

– Donald J. Trump (@realDonaldTrump) 4 korrik 2017
Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Pekinit një “gjest të fortë”, pas nisjes nga Pheniani të një rakete të re balistike. Për të cilën Kina iu përgjigj duke thënë se “kanë bërë përpjekje të fuqishme” për të zgjidhur çështjen bërthamore të Koresë së Veriut. Kjo “raketë balistike e paidentifikuar” ishte nisur nga një vend pranë Banghyon në provincën Phyongan verior, në kufi me Kinën, kanë thënë Shefat e Shtabit të Koresë së Jugut në një deklaratë. Raketa ra në lindje të detit Oriental, emri korean i Detit të Japonisë. Ushtria amerikane tha se ishte një raketë me fuqi të ndërmjetme. Raketa, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, përshkoi “më shumë se 930 kilometra”.”Është vlerësuar se raketa ka arritur një lartësi të madhe që tejkalon 2.500 km, dhe fluturoi për dyzet minuta dhe ra në Detin e Japonisë, në zonën ekonomike ekskluzive të arkipelagut”, tha Ministria japoneze e Mbrojtjes, dhe kjo është një kohë jashtëzakonisht e gjatë. “Kjo raketë tregon qartë se kërcënimi është rritur,” tha për gazetarët Kryeministri japonez Shinzo Abe. SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia do të takohen këtë javë në samitin e G20, dhe ai shtoi: “Unë inkurajoj Presidentin Xi Jinping( të Kinës) dhe Presidentin Vladimir Putin (të Rusisë) për të marrë masa më konstruktive, “tha ai. Kjo raketë hidhet disa ditë pas samitit të parë mes presidentëve të Koresë së Jugut dhe SHBA-ve, e dedikuar ndaj kërcënimit të Koresë së Veriut. Ajo është pjesë e një serie të gjatë të testeve raketore duke shkelur rezoluta të shumta ndërkombëtare, që kanë sanksione të cilat i ndalojnë Phenianit të zhvillojë programet e tij bërthamore dhe balistike. Ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi, ka paralajmëruar me të drejtë të hënën kundër pasojave “shkatërrimtare” nëse fuqitë e mëdha nuk arrijnë të qetësojnë krizën me Korenë e Veriut, e cila mund të dalë “jashtë kontrollit”. Kur priti në Byronë Ovale Moon Jae-In (Presidenti aktual i Koresë së Jugut), që është në favor të një forme të hapjes ndaj fqinjit të tij verior, Donald Trump nuk ka përjashtuar asnjë hipotezë, duke vënë në dukje se ai kishte “shumë opsione” për t’ju përgjigjur programeve bërthamore dhe balistike të këtij vendi. “

“Durimi strategjik me regjimin e Koresë së Veriut ka dështuar. Sinqerisht, durimi ka marrë fund,” tha Donald Trump në një deklaratë nga kopshtet e Shtëpisë së Bardhë. Regjimi i Koresë së Veriut është një regjim oligarkik dhe i trashëgueshëm që nga Kim Ir-Sen, pushtetin e morri Kim Xhong-Il dhe pas vdekjes së tij në dhjetor 2011, pushtetin e mori Kim Xhong-Un. Ky i fundit po e drejton vendin si një pronë të tijën duke abuzuar me të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante dhe duke u bërë një kërcënim për vendet fqinje. Ai nuk nguroi as të vriste njerëz të afërm të familjes së tij, vëllain e babait të tij vetëm se nuk iu bind urdhrave të tij. Presidenti i madh amerikan Ronald Regan shprehej: “Paqja nuk është mungesa e konflikteve, por është aftësia për të trajtuar konfliktet me mjete paqësore”. Nëse ne duam të jetojmë në një planet sa më paqësor, nuk duhet të shtypim mbi butonin nuklear dhe ta hedhim planetin në erë, por të bisedojmë dhe me anë të dialogut mund të gjejmë rrugën për zgjidhjen e konflikteve. Ose siç thoshte Mahatma Gandhi “Një sy për një sy do të bënte gjithë botën e verbër”. Pra, nëse të gjitha fuqitë që posedojnë armën nukleare në botë do t’i tregonin dhëmbët njëra tjetrës, atëherë shpresojmë që të lajnë ndërgjegjet e tyre para të Madhit ashtu siç thoshte Çarli Çaplin : “Unë jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me njeriun.”
Sigal