Darien Levani: Fshikullimi i korrupsionit në një vepër letrare

664
Libri me një fjali 
E Keqja dhe e Mira bashkëjetojnë në një qytet ku ata që pretendojnë se janë të mirët, janë të pazëshëm, të pafuqishëm, të nënshtruar thuajse me dëshirën e tyre. 
Informacion i përgjithshëm rreth librit 
Bardhyl Nini, një ish-polic dhe tashmë detektiv privat gjendet rastësisht i ngatërruar në një histori të rrezikshme korrupsioni. Ai gjendet mes dy zjarresh, në kuptimin e vërtetë të fjalës: një grup brenda policisë së shtetit, i ngarkuar me kapjen e kriminelëve të kërkuar nga Interpoli, por nga ku është zhdukur çdo lloj skrupulli dhe ndershmërie dhe një grup të interesuar për vendosjen e drejtësisë, por jo duke përdorur ligjin. Të gjithë kërkojnë diçka: një dosje të fshehtë, në të cilën një burrë i ndershëm, Jorgo Nushi, ndryshe nga gjithë kasta shoqërore së cilës i përket, ka mbledhur me durim të dhënat që tregojnë qartazi korruptimin, zvetënimin e krerëve më të lartë të shtetit dhe lidhjet e shumëfishta 
mes policisë dhe kriminelëve. Në gjithë këtë tollovi, ku nuk mungojnë kërcitjet dhe shkëmbimet e plumbave në mes të Tiranës, Bardhyli, një tip në dukje indiferent dhe apatik, që parapëlqen ta kalojë kohën mes konjakut, lojës së dominosë dhe batutave të humorit, do të përpiqet të vërë në vend drejtësinë. Sipas mënyrës së tij, duke ia lënë kundërshtarit dopio gjashtën në dorë. 
E Keqja, me shkronjë të madhe, në Shqipëri, ka fytyrën e një polici të korruptuar, të një vrasësi të paskrupullt, të një krimineli të vetëkënaqur. Kjo është e Keqja që na përshfaqet ditë për ditë në televizor, në gazeta e në rrugë. Po e Mira? Ku është e Mira në Shqipëri? Ajo merr trajtën e njerëzve të thjeshtë, të stërmunduar e të zhgënjyer, por aspak të kulluar, edhe ata plot me dredhira e prapësi; e megjithatë ky popull i thjeshtë e di gjithmonë ndryshimin midis të Mirës dhe të Keqes. Ata e tregojnë nga larg, me gisht, kufirin, midis tyre dhe të tjerëve. Atyre të tjerëve që jetojnë duke shtënë plumba e duke marrë jetë, e këtyre që mbijetojnë, të ngarkuar me hallet e përditshme, nëpër kafenetë e qytetit. Kjo është e Mira shqiptare. Sikur vetëm të dilte nga kllapia e kafeneve… 
Publiku i interesuar 
Për të gjithë ata që mendojnë se janë më të mirë, më të pastër, më të ndershëm se të tjerët, ata të tjerët që dalin në televizor dhe i bien gjoksit me grushta. 
Autori 
Darien Levani (1982) është shkrimtar, kritik muzikor dhe avokat shqiptar që jeton në Itali. Bashkëpunëtor i Albania Neës, Nazione Indiana, Prospettive, Città Metticcia, Gazeta dhe Shqiptari i Italisë, Darieni është edhe themelues i blogut kolektiv Tirana Calling. Ai ka debutuar në Itali me romanin Solo andata, grazie (2010). Il Famoso Magico Qukapik, romani i tij i dytë, u botua në 2011, po në Itali. Darieni ka fituar çmimet “Scrivere Altrove” dhe “Pietro Conti” në Itali dhe çmimin “Penda e Argjendtë” në Shqipëri për romanin debutues “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, të botuar nga Botime Pegi në vitin 2012. 
Fragmente nga libri 
1) Tiranën e mbulon dhe e fsheh muzgu i ëmbël që ka rënë. Në mbrëmje, kur errësira fsheh deri diku masakrën që ka pësuar, ky qytet duket gati-gati normal. E dua më shumë kur nuk e shoh dot. Profesor Bardhyli ka të drejtë, ky qytet e ka humbur rrugën. Diku, në njëfarë pike pas viteve ‘90, në vend të shkonim ca vite drejt e pastaj majtas kemi shkuar djathtas apo anasjellas, dhe që atëherë çdo gjë që ka ndodhur, ka ndodhur keq. Këta persona janë transformuar në diçka tjetër, në bisha apo në vampirë që mund të jetojnë duke thithur gjakun e njëri-tjetrit. Rregullat e jetesës këtu kanë ndryshuar, edhe pse jo të gjithë e kanë marrë vesh, kanë parë vetëm mizerje që u binte mbi kokë dhe njerëz si Ramadani që i shkelin e shkojnë tej. Është luftë, dhe ata që s’e kanë marrë vesh akoma. Njerëz si puna e Oltit, mundohen të jetojnë duke zbatuar rregulla të vjetra që nuk vlejnë 
më. Nuk ka fajtorë, nuk mund të ketë fajtorë në një qytet të tillë, të gjithë janë viktima e të gjithë janë vampirë. Ka vetëm humbës si puna ime. E kanë zaptuar këtë qytet nga cepi në cep. Jo, fshatarët e shkretë që kanë lënë mizerjen dhe kanë ndërtuar shtëpi në periferi me tulla e gjak, janë viktima po aq sa gjithë të tjerët e faji i tyre i vetëm është që kanë dashur të kenë një të ardhme më të mirë. Jo, fajtorët e vërtetë vishen me kollare dhe xhirojnë me makina luksoze. Ndoshta nuk janë fare as njerëz si Ramadani, vegla në duart 
e të tjerëve, janë ata që qëndrojnë pas Ramadanit dhe atyre si ai. E në këtë mes nuk e di se si mund të mundohesh të jesh shqiptar apo qytetar i mirë. Nuk e di se çfarë mund të bësh, as se si ta bësh. Unë mundohem që të shlyej detyrimet e mia. I detyrohem diçka një shtatëvjeçari që në një mars të 1980-ës po luante i gëzuar me shokët e tij, ndërsa e ëma lidhte nyje rreth çarçafit më të mirë, sepse duhet të mbante peshën e saj. I detyrohem një djali që ka bërë një dosje e dëshiron që të çojë në burg disa persona që kanë shkelur ligjin. I detyrohem, në fund të fundit, vetes sime, asaj që isha e asaj që mendoja të bëhesha. 
2) Më ka marrë malli për këtë Shqipëri, e tani që jam këtu e ndiej edhe më shumë. Me këto këngë e këta burra më duket sikur jam diku në 1800, duke kënduar këngë trimash e duke qarë hallet e këtij mileti në pushim nga një këngë në tjetrën. Sot jam aq i dehur sa mund të jem sentimental, mund të deklaroj që i dashuroj çmendurisht të gjithë burrat në odë, që i admiroj për mënyrën se si rropaten përditë në një copë toke shterpë, pa u dorëzuar e pa e humbur kurrë besimin. Mund t’i bëja të gjitha këto sikur oda të mos më vinte rreth e rrotull e sikur të mos mbetesha pa frymë në këtë ambient të ngushtë. Do të doja të çohesha e të shkoja për të fjetur, nesër menjëherë pas dasmës duhet të nisem për në Tiranë ku më pret një zëvendësministër në burg, dashnorja e tij joshëse me besim të palëkundur në Zot, intriga pushteti, korrupsioni e shantazhesh, dhe një burrë që kërkon të vërtetën e vetëvrasjes të së ëmës. Një lojë tepër e madhe për mua, por tashmë nuk mund të tërhiqem mbrapa. Njeriu duhet t’i ketë ca parime, qofshin edhe pak, e nuk duhet t’i shkelë asnjëherë. Një burrë duhet të vërë një kufi mes asaj që bën e asaj që nuk bën. S’ka kuptim të mundohem edhe unë për të shtuar mallin e gjënë, sepse kur të vijë xhebraili, do të rri në këmbë e ai do të pyesë gjithë miletin se çfarë burri ka qenë Bardhyl Nini, ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë dhe unë, atë ditë, dua që të flasin mirë për mua. 
3) – Uluni, ju lutem, e më shpjegoni edhe njëherë nga fillimi se çfarë dreqin doni nga 
unë? 
– Drejtësi, dua drejtësi, zoti Bardhyl. 
– Drejtësia e ka braktisur këtë vend prej shumë kohësh, vajzë e mbarë, akoma s’ju ka ardhur llafi? Këtu kemi mbetur vetëm ne. 
4) Më besoni që ka heronj edhe në Shqipëri. Ju as i njihni emrat e tyre, as keni për t’i njohur kurrë. Askush s’ua di emrat e as fytyrat, askush s’i njeh kur ecin në rrugë. Punojnë 
në zyra të vogla, humbur nëpër ministrira, durojnë padrejtësitë ditë për ditë, e natë për natë mendojnë se si mund t’i luftojnë ato padrejtësi. Nuk i dalloni dot nga të tjerët zoti Nini, nga kolegët e tyre që punojnë në të njëjtat zyra e pinë kafe në të njëjtin vend. Nëse ky vend do të shpëtojë, e kam shumë dyshime, do të shpëtojë nga njerëz të tillë, nga nëpunës të vegjël që nuk presin as duartrokitje e as shpërblime
Sigal