Bashkim Zeneli: Tensioni dhe të papriturat pas rënies së Murit të Berlinit

634
Më 12 gusht 1961, shefi i Partisë dhe i shtetit Ulbricht, në mbledhjen e Byrosë Politike, njofton se sapo ka firmosur urdhrin për mbylljen e të gjitha pikave të kalimit kufitar. Gjermania Lindore ndahet nga pjesa tjetër jo vetëm e Gjermanisë. Ajo izolon veten, izolon pabesisht popullin e vet, të ndarë tashmë prej 16 vjetësh. Nuk ka më kalime për në Perëndim, as perëndimorët nuk do të hyjnë më në Lindje. Nuk mund të takosh më as nënën, babanë, motrën, vëllain, fëmijët, të afërmit, shokët, miqtë që janë në anën tjetër të kufirit. Tani aty do të jetë muri, rrathët me tela, kullat e vrojtimit, ushtari i kufirit që ka urdhër për të qëlluar.Vetëm dy javë para ndërtimit të murit, ishin larguar 48 mijë vetë, 4 mijë në ditë. Urdhri famëkeq i Ulbrichtit shoqërohet në mënyrë të detajuar me detyrat për Ushtrinë Kombëtare Popullore, për Policinë, për kufirin, për STAS-in, për shtypin, për TV dhe propagandën socialiste. Në gatishmëri të plotë janë trupat e ushtrisë sovjetike të stacionuar në RDGJ, në gatishmëri janë edhe ushtritë e vendeve të tjera, anëtare të Traktatit të Varshavës. Vetëm pak orë para fillimit të ndërtimit të murit, me afrimin e errësirës, agjencia zyrtare e lajmeve ADN, shpërndan në botë lajmin e kobshëm, Deklaratën e Traktatit të Varshavës, në të cilën thuhej: “Mbyllja e kufirit u bë me propozim të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës për të bllokuar veprimtarinë provokative të Perëndimit kundër vendeve të kampit socialist. Gjendja aktuale, aspak normale, duhej të merrte fund nëpërmjet një vrojtimi dhe kontrolli të përforcuar në kufirin e Berlinit Perëndimor”. Por në deklaratë nuk është “harruar” të thuhet edhe se “Qeveritë e vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, i kërkojnë Kuvendit Popullor dhe Qeverisë së RDGJ që të vendosë sa më shpejt këtë rregull në kufi, një kontroll të gjithanshëm, në të gjithë rrethin tokësor e ujor që kufizohet me Berlinin Perëndimor”. Sa përshkrim i thjeshtë, mizerabël, ofendues, për një hap të tillë kriminal, për një ndarje të panjohur më parë! Thjesht duhet një mur kundër “veprimtarisë provokative të Perëndimit”. Dhe menjëherë pas kësaj deklarate, natyrisht për t’i dhënë tashmë fuqinë e një blloku ushtarak, e jo thjesht të RDGJ, në errësirë, filloi misioni i turpshëm. Forcat e ushtrisë dhe të policisë janë të pranishme në çdo anë. Fillon edhe ndërtimi i barrikadave pranë kufirit, vendosen shirita me parulla që ndalojnë kalimin. Njerëzit janë krejtësisht të hutuar dhe nuk dinë se çfarë po ndodh, por edhe çfarë të bëjnë. Bllokohet kalimi i makinave, trenave dhe tramvajeve. Bllokohet stacioni i trenit në Fridrich Strase. 
28 vite të ndarë
Në atë stacion njerëzit u ndanë për njëzetetetë vite. Ai u quajt menjëherë “Stacioni i lotëve” (Tranen Palast). Vetëm 70 m larg e kam pasur shtëpinë në Berlin kur u shpërngulëm nga Boni. Aty, në atë kompleks jetonin të gjithë diplomatët shqiptarë dhe atë stacion historik e shihnim disa herë në ditë. Në qershor të vitit 2015, siç kam treguar edhe më lart, së bashku me Engjëllushen dhe Darion, që ka një kureshtje e interes të jashtëzakonshëm për historinë, u futëm edhe në muzeun që ishte ndërtuar aty. Në kohën kur unë shërbeja në Berlin, deri në vitin 2002, ky muze nuk ishte. Ai ishte i mrekullueshëm. Objektet, fotot dhe çdo gjë e ekspozuar të çonte mrekullisht në ato vite të ndarjes. Dario kërkonte t’i shpjegoja çdo gjë dhe ia shpjegoja. Bëri edhe disa fotografi aty, e morëm 2-3 libra interesantë! Muzen-Grenz Erfarungen mbikëqyret nga Fondacioni “Haus der Geschichte der B.R.D”. Më pas shkuam edhe ne Pozdamerplatz- Arkaden. Aty ishte ndërtuarnja muze i madh, i jashtëzakonshëmpër murin, një muze që fliste përgjithçka: pjesë te muri, ushtarë sovjetikë dhe amerikanë ballëpër ballë, urdhrat e lëshuara, dokumente, kulla origjinale, tela origjinale, armë e gjithçka. Me Darion qëndruam mbi 2 orë duke vizituar këtë muze. Por me tej edhe në Sony Center, një ekspozitëmadhështore fotografike, po për murin. Në Berlin atë mbrëmje u bllokuan 80 pika kalimi. Nata e 13 gushtit 1961, kur u hodhën blloqet e para për murin dhe nisën të shtrohen rrathët kilometrik të telave, si një mur i menjëhershëm, provizor, do të mbetet e paharruar në kujtesën e atyre që e panë, por edhe të atyre që e njohën këtë natë të zezë nga tregimet e prindërve, nga librat e shumtë, nga dokumentarët e pafund, nga albumet e rralla. Një natë e dhimbshme, e frikshme, dramatike, çnjerëzore, një natë e stërgjatë. Ka mjaft kronika filmike që e kanë regjistruar atë natë të 13 gushtit 1961, natën e murit të madh, e murit të turpit. Një natë e pazakontë, e panjohur, e papërsëritshme në histori, që nuk ka shembull të dytë, më mirë që nuk kishte shembull të dytë. 
Muri i Budapestit
Por jo! Doli një shembull i dytë, për një mur tjetër turpi, për murin e Budapestit, për murin e Hungarez të Kryeministrit Orban. Ai mur nuk respekton as dhimbjen e mijërave refugjatëve që largoheshin nga flakët e zjarrit të luftës në Siri. Unë kam shkruar për këtë mur të turpit në gazetën Panorama, sapo u dha urdhri i ndërtimit. Qeveria e Hungarisë harroi se 26 vjet më parë Gjyla Horn do të priste telat me kufirin me Austrinë me kolegun e tij Allois Mock, për t’u çelur rrugën gjermano-lindorëve të ikin në Perëndim…Pranë portës së Brandenburgut, që kishte përherë një shkëlqim të rrallë nga ai ndriçim i mrekullueshëm, papritmas ndërpritet energjia dhe pllakos errësira e plotë. Ishte ora 1 e natës së 13 gushtit. Dhe në atë errësirë të plotë, mbinë një nga një, sikur dolën nga thellësitë e nëntokës, qindra tanke në rreth 140 km gjatësi dhe mijëra ushtarë e policë. Bashkë me to edhe forca vullnetare të ndërmarrjeve dhe institucioneve të Berlinit Lindor. Përballë tre sektorëve Perëndimor, pjesa Lindore, vetëm disa metra larg, mbushet me ushtarë të armatosur me automatikë. Berlinezët ishin të shtangur, të hutuar. Ata të Perëndimit pyesnin: Ç’po ndodh kështu, fare afër pranë njëri-tjetrit, por tashmë të ndarë, të ndarë si armiq, të ndarë në socialistë dhe kapitalistë… Dhe pse natën? Askush nuk di gjë në Perëndim, por edhe në Lindjen që flinte e që u zgjua e tmerruar. Në fund të marsit të vitit 1959, një vit para murit Presidenti francez De Gol e quante ribashkimin gjerman si “fatin normal të popullit gjerman” (Edgar Wolfrum, Geschichte Einerteilung. Ç’po ndodhte tani? Nuk do të flitej për shpresën e ribashkimit, por për një ndarje të madhe. Dhe udhëheqësi komunist Ulbricht, vetëm dy muaj më parë, siç tregova më lart, u tha gazetarëve: Ne nuk do të ndërtojmë kurrë një mur! Në orën 3 të mëngjesit radio e Berlinit njofton se, “forca të shumta të policisë popullore kanë bllokuar kufirin midis Berlinit Lindor dhe Perëndimor”.
Berlini është në gjumë, Berlini fle 
Vetëm kalimtarët e rastit në atë orë të natës, shohin të tmerruar se çfarë po ndodh. Por askush nuk arrin të kuptojë. Shohin e nuk kanë shpjegim. Ata nuk mund të shkojnë nëpër mend se kufiri u bllokua, se u vendos një mur i hekurt, se filloi një luftë e re, e ftohtë, e akullt që ndan njerëzit. Nuk mund të mendojnë e të besojnë se nesër nuk mund të kalojnë dot lirshëm. Dhunshëm u ndanë, kishte ndodhur një krim i vërtetë, një krim nate… I gjithë qarkullimi midis Berlinit Lindor e Perëndimor u ndërpre, 48 km e para të kufirit në Berlin u bllokuan për pak orë. Në orën 2 të natës, një specialist montimi, 52 vjeçari Wolfgang Miller, afër Marienfelde, është gjermano-lindori i fundit që kalon atë natë të 13 gushtit për në Perëndim. Për 10 ditë kishin kaluar në Berlinin Perëndimor 17.520 vetë. Në muajin qershor ishin larguar 31 mijë vetë. Rritja ishte e madhe, nga dita në ditë. Në Berlinin Perëndimor postat e policisë japin alarmin. Shefi i policisë, Erich Duensig, zgjon nga gjumi nënkryetarin e Bashkisë së Berlinit, Amrehen. (Willy Brandt nuk ndodhej në Berlin). Në orën 4 të mëngjesit, Sekretari i Shtetit Globke zgjon nga gjumi Kancelarin 85 vjeçar Konrad Adenauer. Po në atë orë, siç do ta shohim më poshtë, niset drejt Berlinit Kryetari i Bashkisë, Willy Brandt. Dokumentet flasin se atë ditë mbi 1000 qytetarë të RDGJ kishin planifikuar të kalonin në Perëndim dhe vetëm nga Berlini Lindor mbi 2200 vetë. Ato u zunë në befasi, mbetën në Lindje. Në mëngjes, njerëzit në të dy anët e kufirit nuk donin t’u besonin syve, nuk mund as të përshëndesnin “Gutenmorgen”, sepse tani në mes ishte ushtari. Të gjithë u zunë në një befasi të madhe, por edhe në një pabesi të madhe. Ç’do të bënte Gjermania Federale, ç’do të bënin fuqitë e mëdha perëndimore në sektorët dhe zonat e tyre? A do të pranohej kjo situatë? A do të pranohej ky provokim luftënxitës i Hrushovit? Ç’thoshin monumentet e shumtë të heronjve të lavdishëm të ushtrisë sovjetike në Berlinin Lindor e Perëndimor që derdhën gjak kundër bishës fashiste? Edhe për lirinë e popullit gjerman. Me siguri ata flisnin, ata gjykonin këta vrasës të rinj të lirisë dhe paqes. Ç’do të bënin amerikanët? Më 31 korrik, Presidenti amerikan Kenedi i kishte thënë këshilltarit të tij Walt Rostov: “NATO-n unë mund ta vë në lëvizje, nëse Hrushovi do të përpiqet të bëjë diçka me Berlinin Perëndimor, por jo nëse ai ndërmerr diçka në Berlinin Lindor”. 
Reagimi amerikan
Kenedi shqetësohet për reagimin e mundshëm, me shpërthim të popullit të RDGJ. Shërbimet sekrete amerikane e kishin vënë në dijeni Presidentin se “llogarisnin një eksploziv sapo kufijtë e Berlinit të mbyllen”. Edhe sovjetikët nuk e kishin nxjerrë jashtë vëmendjes një shpërthim të mundshëm dhe një ndër masat ishte, siç e përmenda më lart, emërimi i Marshallit Konjev në krye të ushtrisë, i gatshëm për të shtypur me gjak çdo kryengritje. Historiani i njohur gjerman Manfred Wilke në librin e tij “Der Wegzur Mauer”, të botuar në vitin 2011, shkruan: “Më 14 shtator 1961, pra 1 muaj pas murit, Marshalli sovjetik Konjev deklaronte se “ përforcimi në kufij nuk ishte thjesht një funksion ushtarak kundër një sulmi nga Perëndimi. Ai ishte shumë më tepër, kishte një funksion regresiv të orientuar tepër qartë”. Pra mareshali sovjetik, 2 herë hero në luftën kundër fashizmit, tani, pas 15 vitesh, paralajmëron qartë dhe hapur qëndrimin regresiv të shtetit komunist kundër qytetarëve të tij lindorë, të pasardhësve të atyre që çliruan…E kisha parë murin për herë të parë në maj të vitit 1991, në Berlin, tamam tek Porta e Brandenburgut, në drejtimin që të çon tek Potsdamer Platz. Ai nuk ishte shembur i tëri, me përjashtim të disa vendeve, në krah të majtë të Portës, ku ka mbetur siç ka qenë, në kujtim të së shkuarës. Aty gjen përditë me mijëra vizitorë. Në rrugën që kam përshkuar dikur unë, janë vendosur pllaka metalike që gjarpërojnë në të gjithë Berlinin. Për Murin është shkruar pafundësisht, për gjithçka që lidhet me historinë e tij. Kanë shkruar gazetarë, historianë, , publicistë, protagonistë, dëshmitarë. Por kanë shkruar edhe politikanë të mëdhenj, kancelarë, ministra, deputetë. Kanë shkruar edhe Kancelarët Adenauer, Willy Brandt, Helmut Schmidt, Helmut Kohl, kanë shkruar edhe F.J.Straus, H.D.Gensher, Ernst Reuter, Egon Bahr. Ka shkruar edhe G.Bush, edhe Gorbaçovi, edhe Shevernadze. U jam referuar mjaft librave, jo thjesht për të hedhur këto shënime. Kai Dieckman dhe Ralf George Reuth kanë shkruar “Nata më e gjatë, dita më e madhe”, Rott Wielfried “Ishulli, një histori e Berlinit Perëndimor”, Marjon Detjen “Një vrimë në mur”, Thomas Fleming dhe Hagen Koch “Muri i Berlinit – histori e një vepre politike ndërtimi”; Hans Heiman Hertle “Kronika e rënies së murit, ngjarjet e 9 Nëntorit 1989”, Roman Grafe “Kufiri përmes Gjermanisë, një kronikë nga 1945-1990”, Hans Horman Herfle dhe Maria Nooke “Viktimat e Murit të Berlinit”, Edgar Wolfrum “Muri histori e një ndarjeje”, Kai Dieckman “Muri”, Werner Sikovski dhe Rainer Haabs “Checkpoint Charlie dhe Muri”, Dietmar Arnold dhe Felix Srenkellerkaf “Tunelet e arrative në Berlin”, e të tjera e të tjera, janë ndër librat më interesantë që kam lexuar. Por është gjithashtu interesante të thuhet se botimet më të mira, por edhe më të shumta, janë publikuar nga vitet 2005 deri 2009. Dhe ka botime që mbajnë edhe vitin 2014, sidomos nga Helmut Kohl, Hans Dietrich Gensher, etj. Kancelari gjerman Helmut Kohl ka shkruar: “Muri i Berlinit, për dekada të tëra, nuk ndau shumë keq vetëm familjet, i shkatërroi ato, por ndau faktikisht në dy pjesë një qytet, një vend. Ai ishte edhe simbol i Luftës së Ftohtë. Ai qëndronte në këmbë për ndarjen e Berlinit, të vendit tonë, të Evropës dhe të botës, në një pjesë të lirë dhe në një pjesë jo të lirë”.
Paskal Milo, ish – Ministër i Punëve të Jashtme
Ato që shkruan Bashkim Zeneli në këtë libër, të paktën për kornizën zyrtare të veprimtarisë së tij diplomatike unë i konfirmoj plotësisht jo pasi kam lexuar ato çfarë ai ka hedhur në letër porse jam një dëshmitar i saj, që më është dashur të kontaktoj thuajse çdo ditë, të bisedoj, të informohem e të diskutoj rreth zhvillimeve e problematikave të ndryshme. Ambasadori Zeneli nuk u bë diplomat siç ka ndodhur e ndodh rëndom në Shqipëri ditën që mori detyrën e lartë diplomatike. Ai erdhi i përgatitur si i tillë në MPJ. Jo se kishte mbaruar ndonjë shkollë të posaçme diplomacie por se rrugëtimi i tij profesional, intelektual e politik e kishte paisur me njohuri, aftësi e cilësi që ishin të domosdoshme për të përmbushur detyrën e lartë të përfaqësuesit të shtetit shqiptar në një vënd të madh e mik si Gjermania. Ne kemi patur e kemi shumë pak ambasadorë me kulturë profesionale e me integritet të lartë. Përgjegjësia kryesore këtu i mbetet politikës që e ka keqpërdorur për interesat e saj të ngushta institucionin e politikbërjes e zbatimit të saj në marrëdhëniet me jashtë. Ambasadori Zeneli është ndër këta të paktë. Ai ka qënë korrekt dhe këmbëngulës në detyrë, me iniciativë e që nuk ka patur nevojë për nxitje nga të tjerët. Faqet e këtij libri janë të mbushura me fakte që dëshmojnë dinamikën e lartë të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane në ato vite.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf në datë 14.12.2015
Sigal