Bardhyl Berberi/ Bamirësitë e vëllazërisë Turtulli në Korçë

1497
Në Korçë të flasin me shumë simpati për vëllazërinë Turtulli. Po cilët janë ata dhe çfarë kontributi kanë dhënë në Korçë që, meqenëse kanë kaluar disa dekada dhe të gjithë korçarët janë tepër mirënjohës për gjithçka që ata kanë dhënë për qytetin e tyre. Mihal e Thoma Konstandin Turtulli, të njohur jo vetëm në Korçë, por edhe në gjithë vendin, si veprimtarë të çështjes kombëtare, por edhe filantropë të mëdhenj, për zhvillimin e arsimit e kulturës. Mihal Turtulli (1847- 1935) lindi në Korçë ku edhe mori arsimin fillor e të mesëm. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Greqi dhe në Francë. Diplomohet okulist dhe vazhdon të jetojë për disa vjet jashtë vendit, kryesisht në Egjipt e Zvicër, ku i bashkohet çështjes kombëtare dhe jep ndihmesën e tij shumë të çmuar si publicist, në organet e diasporës. Si veprimtar politik për prosperitet dhe “indipedendencën” e Shqipërisë, ka qenë disa herë ministër në qeveri të ndryshme të vendit. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë që miratoi mbledhja kombëtare e tij. Edhe Thoma Turtulli lindi në Korçë në vitin 1865. Filloi të merret që në moshë të re me tregti dhe firma e tyre “TURTULLI”, në vitin 1885 fitoi besim jo vetëm brenda vendit, por kishte degët e saj edhe në Manastir, Selanik etj. Menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, qeveria e re shqiptare, u përball me vështirësi të mëdha e siç bën me dije një dokument i kohës, ajo u detyrua të merrte një “hua të brendshme” nëpër qarqet e vendit. Ky dokument i quajtur “Zëdhënie”, vërteton se Gjirokastra, Shkodra e Korça ndihmuan qeverinë e re, me nga një mijë deri dy mijë lireta, të cilat do të ktheheshin në përqindje. Thoma Turtulli ishte në përbërjen e pleqësisë së “Grupit politik të Korçës”, që u krijua në vitin 1921 e siç shkruante shtypi i kohës, kishte qëllim bashkëpunimin e përparimin e kombit shqiptar “përbrenda kufirit të drejtësisë dhe të njësisë së vërtetë të gjithë 
nënshtetasve shqiptarë”. 
Shoqëria “Përlindja”
Gjithashtu shoqëria patriotike e zonjave të Korçës “Perlindja”, e themeluar në vitin 1919, kishte zgjedhur sekretare të saj zonjën Erasti Grigor Turtulli, çka dëshmon se e tërë familja Turtulli ishte përfshirë në Lëvizjen Patriotike të Qarkut të Korçës dhe zhvillimin ekonomik e kulturor të tij. Por shpirti filantrop i vëllazërisë Turtulli filloi të shkëlqejë me tërë madhështinë e tij, nëpërmjet veprave që ata ngritën dhe i falën qytetit të tyre të lindjes, sidomos pas viteve ‘20 të shekullit të XX- të. Kështu pas konsolidimit të shtetit shqiptar Thoma Turtulli investoi për ndërtimin e Bibliotekës publike të Korçës, përurimi i së cilës u bë në ditët e para të dhjetorit 1930. Kurse Dr.Mihal Turtulli dërgoi nga Selaniku njëqind volume me libra, si dhuratë për bibliotekën e qytetit, ku përfshiheshin libra historikë për Shqipërinë, në gjuhë të huaj dhe në gjuhën shqipe. Në letrën shoqëruese që i bënte Bashkisë, ai deklaronte se po përpiqej të dërgonte në Korçë, si dhuratë për bibliotekën e qytetit edhe bibliotekën e tij të plotë të cilën e kishte në Aleksandri (Egjipt) dhe nëse kjo nuk arrihej në gjallje, ajo do të dërgohej në Korçë, pasi kjo ishte e dëshmuar edhe në Dhiatën e tij. Po atë vit (1930), Erasti Turtulli e veja e Grigor Turtullit, mori përsipër të përballonte shpenzimet e blerjes së truallit (200 napolona), të ndërtimit dhe të pajisjeve të brendshme të ndërtesës së re të Jetimores së pare në Korçë (rreth 2000 franga), çelur më 10 Dhjetor 1919, me nismën e misionares së Kryqit të Kuq Amerikan z. Marie Reynolfs Ford. Ndërtesa u ngrit brenda vitit dhe siç bën të ditur shtypi i kohës, aty u strehuan jetimë jo vetëm nga Korça, por edhe nga Përmeti, Berati, Vlora, Shkodra dhe Kosova. 
Testamenti i familjes
Nga dera Turtulli ishte edhe senatori Vangjel Turtulli, i cili sipas një dokumenti të vitit 1940, kishte lënë me testament për spitalin e shtetit në Korçë 10.000 fr.shq. Po figura më madhore e vëllazërisë Turtulli ishte Thomai, i cili ndonëse nuk kishte shkallë të lartë arsimimi tregoi një shkallë të lartë humanizmi, duke investuar për ndërtimin e spitalit të qytetit, përurimi i të cilit u krye më 11 korrik 1934 dhe pati jehonë të madhe në gazetat e kohës si “Gazeta e Korçës”, “Besa”, “Vatra”, “Shtypi” etj. Liceu i Korçës, edhe kjo vepër e plakut bamirës, me një vlerë prej 60.000 franga ari, u përurua më 8 tetor 1938, por tashmë patrioti i madh korçar kishte ndërruar jetë një vit më parë (Gusht 1937), pas një sëmundje të rëndë në mushkëri, me pengun që nuk mundi të ngrejë edhe një Shtëpi për Pleq, ndonëse kishte shpenzuar edhe 40.000 franga për ndërtimin e Shkollës Industriale, ngritjen e kinemave të para të qytetit, përfundimin e Katedrales, ndihmë shoqërore për fëmijët e pa prind etj. duke e përjetësuar kështu vëllazërinë Turtulli, jo vetëm si patriotë të çështjes kombëtare, por edhe bamirës të mëdhenj e përhapës të vlerave të humanizmit e qytetërimit në Shqipëri. Ditën e vdekjes së tij, N/ Kryetari i Parlamentit të kohës, Hiqmet Delvina, duke shprehur hidhërimin në Kuvendin Kombëtar, do të thoshte se: “Shqipëria për fat të keq ka humbur mirëbërësin e saj më të madh… mbas independencës shqiptare, Thoma Turtullin… Me mirëbërësinë dhe sakrificën e tij, ai i ka dhënë mësim çdo shqiptari, se, kushdo në mos mund të sakrifikojë jetën… ka edhe mjete të tjera të bëjë detyrën e tij”.
Sigal