Bajram Lapi: Festivalin i parë i Muzikës për Studentët (1970), ishte ngjarje e rrallë

1289
Sigal

 INTERVISTA/ Flet muzikologu Bajram Lapi: Miqtë e mi të shkollës Aleko Prodani, Alqi Kareco dhe Agim Prodani

Jeta e tij është e lidhur pazgjidhshmërisht me muzikën. Me instrumente në krah ai ka lëvizur në të gjitha trevat e Shqipërisë së jugut për të mbledhur folklorin e pasur shqiptar. Në Liceun  Artistik në 1963-in, në Tiranë hyri për Trompë, vazhdoi me Trombin dhe përfundoi  në fizarmonikë, sepse këtë pëlqente fshati dhe babai. Atij nuk i harrohen shokët e shkollës që më vonë u bënë me emër si: Aleko Prodani, Alqi Kareco, Agim Prodani etj., Por ai ka dhe një lidhje shumë interesante me Vera Grabockën dhe artistin e madh Agim Qirjaqi (që tani nuk jeton më), pasi me ta si prezantues, ai drejtoi Festivalin e parë të Muzikës për Studentët (1970).

 Si erdhi tek dëshira dhe si ju çel rruga për të studiuar për muzikë dhe ku shkuat mbas përfundimit të shkollës ?

Muzikën e kemi pasur pjesë të pandarë të familjes. E kemi pasur si një dëshirë shpirtërore. Kjo ishte arsyeja që nisa këtë rrugë. Të mesmen e mbarova  në Liceun  Artistik në 1963-in. Në këtë shkollë kam ndërruar 2-3 instrumente. Hyra për Trompë  dhe e çoj në shtëpi trompën dhe më thotë babai, se çfarë e ke këtë vegël, pse për këtë të dërguam në Tiranë. E ndërrova dhe mora Trombon.  E çova  përsëri në shtëpi në Leskovik dhe përsëri nuk i pëlqeu babait. E lashë dhe këtë dhe përfundova  në fizarmonikë, sepse këtë pëlqente fshati dhe babai. Unë bëra mësim me Aleko Prodanin, Alqi Karecon, Agim Prodanin etj., Këta kolosë të muzikës shqiptare më dhanë një ndihmë të madhe pasi më quanin të talentuar. Unë u dashurova pastaj me fizarmonikën. E bëra pjesë të jetës këtë instrument. Në vitin 1966 konkurrova për dirigjent në Akademinë e Arteve. Atje unë nuk e di si  dola,  por vetëm mora  vesh se fitova. Këtu formuam një grup tonin.

Është folur shumë për këtë grup, çfarë përbënte ky grup dhe si ishte ecuria e tij?

Me të vërtetë ishte një grup interesant. Një grup që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Ky grup muzikor përbëhej nga 5 veta. Nuk  kishte shkollë dhe institut ku të mos vinim  ne si pesëshja serioze, ku isha unë (Bajram Labi), Qerim Xhihani (klarinetë),  Thoma Gaqi (violinë), Shpëtim Kazazi (xhez) dhe Sherif Merdani si këngëtar ( i binte dhe fizarmonikës ndonjëherë). Pra kjo pesëshe, ishte formuar, kur ishim studentë… Ne ishim të prenotuar në çdo vend. Mbasi mbarova Institutin më emërojnë Pedagog të jashtëm në Lice, në solfezh dhe në firzamonikë. Unë i thoja drejtorit se nuk e bëj dot, por ai më thoshte me pak sakrifica do ta bësh. Mbas  një viti më thonë se do të jesh Pedagog në Institut të Arteve. Unë në atë kohë isha student vetë. Merrja mësim paradite dhe u jepja mësim studentëve pasdite. Mbas një viti më emërojnë shef i muzikës në Pallatin Studenti në Tiranë. Kisha shumë  ngarkesë.

Pa shkuar ende në punët nëpër Shqipëri. Është folur shumë për një Festival të Muzikës për Studentët. Si dhe kur u zhvillua ky festival?

Muzika në vitet 1960-‘70 ka njohur një zhvillim të paparë. Në këtë kohë u hodh ideja nga shumë pedagogë dhe miqtë e mi, për një Festival të Muzikës së Lehtë Studentore. Bëra një projekt dhe e paraqita. Ishte viti 1970. Në Festivalin e parë të Këngës për Studentët, (salla mbante 300-400 vetë) u thye dera e sallës së Institutit nga studentët. Për të shoqëruar Festivalin e Muzikës së Lehtë për studentët ishin dy formacione orkestrale. Formacioni i parë ishin dy sakse, saks tenor, saks alt, dy kitara elektrike, një piano dhe një xhez. E veçanta ishte se këta ishin  marrë nga Universiteti që nuk studionin për muzikë, por kishin mbaruar shkollat e mesme të muzikës. Një nga ata ishte Osman Mula, që nuk studioji për muzikë, por për teatër.  Pra risia tjetër ishte se kishte dy informacione. Informacionin e  madh që e drejtoja unë dhe informacionin e  vogël  që  e drejtonte Rexhep Hasimi. Aty për herë të parë kanë dalë dy konferencierë të rinj, Agim Qirjaqi dhe Vera Grabocka. Kjo ishte në vitin  1970. Unë kam fotografinë  e tyre  ku ishin konferencier të vegjël  22-24 vjeç. Këtu vazhdova për pesë vjet.

 A ka pasur reagime ndaj këtij Festivali dhe cilat kanë qenë ato?

Atë mbrëmje në koncertin e vitit 1970 në Pallatin Studenti në Tiranë, në sallë shikoj një njeri të ulur në rreshtin e parë. Ishte muzikanti i talentuar, i madhi Ferdinand Deda. Më thotë se jam shumë i kënaqur nga kjo shfaqje. Ai dëgjonte me shumë vëmendje dhe  sa u largua nga kjo jetë,  ai mbeti miku im më  afërt. Në ato vite më ndihmoi shumë në rrugën e muzikës. Ferdinad Deda mbas asaj shfaqje më dha shumë mendime të vlefshme për ideimin dhe drejtimin e spektakleve të tilla rinore. Ishte njeri i apasionuar mbas muzikës. Mjeshtër dhe inteligjent. Kurrë nuk të lavdëronte kot, por ishte i pakursyer edhe në mendime. Mendimet e tij ishin shkollë. Njerëz të tillë mjeshtra të skenës dhe të dirigjimit, rrallëherë i vijnë një kombi. Atë kohë bëja muzikë të kohës si p.sh. kompozova këngën  “Lamtumirë auditor”. Kjo ishte një këngë e përparuar që e ka  kënduar një nga Saranda që u bë lajtmotivi i anketës muzikore. Kompozova “Brigada luftarake e ririsë”, “Mirëmëngjesi studentë”,  “E penduar rrugës shkonja” e cila nuk u këndua se u cilësua moderne për kohën. ku nuk më kujtohet emri. Në atë kohë unë fillova të krijoj. Si kompozitor dhe Ferdinanti ishte një shtysë për mua. Ai më ka dhënë mendimet më të sinqerta që më ndihmuan në kompozimin e këtyre këngëve.

Mbas këtij momenti çfarë u pa në jetën tuaj artistike?

 Nuk e besoja se do kisha kaq shumë rezultat. Mu duk si diçka e zakonshme deri ditën e shfaqjes, por pas asaj dite çdo gjë ndryshoi. Të them të drejtën, mbas kësaj shfaqjeje, rrugët mu hapën dhe në radio. Jehona e Festivalit ndikoi edhe në Radio -Tirana. Një pjesë e festivalit u transmetua në këtë radio, ku më kërkuan bashkëpunim. Fillova punë si redaktor  muzike në Radio- Tirana, ku Drejtor ka qenë Thanas Nano dhe  Nëndrejtoreshë Nefo Myftiu. Thanas Nano ishte kërkues dhe shumë i disiplinuar. Radioja ishte një shkollë e madhe për të gjithë. Të dy këta njerëz të punës ishin shëmbëlltyrë e seriozitetit dhe mbështetës të njerëzve të punës. Më lanë hapësirat e nevojshme në drejtim të muzikës popullore që pëlqehej shumë nga dëgjuesit e radios. Radio -Tirana atëherë dëgjohej nga gjithë populli. Ishte pjesë e çdo shtëpie.