Autorë të rëndësishëm të Botimeve Morava

559
Romancier dhe kritik fitues i disa çmimeve, Haward Jacobson-i ka lindur në Mançester dhe ka studiuar për letërsi angleze në Kembrixh. Ka dhënë mësim në Universitetin e Sidnejit, Kolegjin Seluajn, në Kembrixh dhe, së fundi, në Universitetin Politeknik Uolverhempton, ku i erdhi edhe frymëzimi për romanin e tij të parë “Ardhja nga mbrapa”. Romane të tjerë janë: “Kërcimtari i fuqishëm” (fitues i Bollinger Everyman Wodhouse Prize), “Netët e Kalukit” (kandidat për Man Booker Prize) dhe së fundi, libri tepër i vlerësuar “Akt dashurie”. Haward Jacobson-i shkruan edhe artikuj javorë për gazetën “Independent”, ka shkruar dhe prezantuar disa dokumentarë për televizionin. Jeton në Londër.
Çështja Finkler

FITUES I “MAN BOOKER PRIZE” 2010
Përktheu:
Taulant Hatia
“Proza e Jacobson-it është një shtjellim i patëmetë i një melankolie hokatare. Gati çdo resht e ka nga një thënie që të mbetet në mendje.”
— INDEPENDENT ON SUNDAY
“Rrallë një vepër artistike që merret me çështje kundërthënëse përballet kaq drejtpërdrejt sa kjo me hebrejtë, madje me shumë humor, zgjuarsi dhe mendjemprehtësi dhe ia ndryshon mendjen lexuesit. Kujdes: Çështja Flinker ndoshta do t’ju tërheqë në rrugën e saj e do t’ju çarmatosë. A ka kompliment më të madh se ky për një roman?”
— BARNES & NOBLE REVIEW
Në kujtim të tre miqve të shtrenjtë, që më bënin të qeshja me lot
Terry Collits-it (1940-2009)
Tony Errington (1944-2009)
Graham Rees-it (1944-2009)
Po tani, kush do ta bëjë tryezën të gjëmojë nga hareja?
Xhulian Treslovi, një profesionist i rëndomtë dhe ish-drejtues emisionesh në BBC dhe Sem Flinkeri, një filozof, shkrimtar dhe personalitet i njohur hebre, janë shokë të vjetër shkolle. Pavarësisht marrëdhënies së acaruar dhe jetëve shumë të ndryshme, kurrë nuk i kanë humbur kontaktet me njëri-tjetrin apo me ish-mësuesin e tyre, Lajbor Sevcikun. 
Një natë, kur po darkonin së bashku në apartamentin e Lajborit – dy hebrejtë e ve dhe Treslovi i pamartuar – tre burrat kaluan orë të këndshme duke sjellë ndërmend kohën para se të përjetonin dashuritë e humbjet, para se t’i vlerësonin gjërat aq shumë sa të kishin frikë nga humbja e tyre.
Por kur po kthehej në shtëpi, Treslovin e sulmuan dhe e grabitën para vitrinës së një dyqani violinash. Treslovit iu mbush mendja se kishte rënë padrejtësisht viktimë e një krimi antisemit. Pas kësaj ngjarjeje, e tërë qenia e tij ndryshoi deri në thelbin më të thellë.
Pjesë nga romani
– Si guxoni, ju, një johebreje – madje mund të them se nuk më bën shumë përshtypje që jeni rritur duke pasur nderim për etikën hebreje, megjithëse kjo gjë më brengos – si guxoni pra, të mendoni se mund t’u thoni hebrenjve se në ç’vend mund të jetojnë, kur pikërisht ju, si qytetarë europianë, e quani domosdoshmëri një vend të veçantë ku të jetojnë hebrenjtë? Me ç’lloj sofistikimi të shtrembëruar argumentimesh i dëboni me dhunë njerëzit nga toka juaj dhe pastaj mendoni se ju lejohet të bëni marrëveshje se ku na u dashka të shkojnë tani që i hoqët qafe dhe se si mund të kujdesen për mirëqenien e tyre në të ardhmen? Unë jam anglez dhe e dua Anglinë, por a mendoni se ky nuk na qenka vend racist? Njihni ndonjë vend, historia e afërt e të cilit nuk është njollosur nga paragjykimet apo urrejtja kundër ndonjë tjetri? Po çfarë i fuqizon kështu racistët, duke u dhënë të drejtë ta shfryjnë racizmin e tyre mbi të tjerët? Vetëm nga një botë ku hebrenjtë mund të besojnë se nuk kanë pse të tremben, do të jenë gati të nxjerrin mësime nga historia. Deri atëherë, oferta e shtetit hebre për t’u ofruar siguri hebrenjve të gjithë botës – po, hebrenjve në radhë të parë – megjithëse mund të mos duket si e drejtë, nuk mund të konsiderohet si racizëm. E kuptoj fare mirë pse një palestinez mund ta ndiejë këtë si racizëm, sepse edhe ai ka trashëguar një histori përçmimi për njerëzit me besim të ndryshëm nga i veti, por jo ju, zonjë, sepse ju na shfaqeni këtu si një përfaqësuese zemërthyer dhe me ndërgjegje të vrarë të botës së të bardhëve nga e cila hebrenjtë, jo për faj të tyre, janë detyruar për shekuj me radhë të largohen…
Vështroi rrotull. Nuk pati asnjë mur duartrokitjesh. Ç’duhej të priste? Disa njerëz përplasën me entuziazëm pëllëmbët. Të tjerë shfaqën shenja pakënaqësie. Të mos kishte autoritetin që gëzonte, mendoi, madje po shpresonte, se do të thërrisnin “Turp!”. Demagogëve u pëlqen të dëgjojnë t’u thërrasin “Turp!”. Por më tepër pa një lloj njerëzillëku të kapur në kurth brenda bindjes, si minjtë në çark.
Ishte një mbrëmje e nxehtë nga fundi i verës, hëna lozonjare qe ngjitur lart. Treslovi po kthehej nga një darkë melankolike me nja dy miq të vjetër, njëri moshatar me të, njëri pak më i madh, që të dy të mbetur të ve kohët e fundit. Me gjithë rreziqet që mund t’i sillte rruga, vendosi të ecte pak nëpër një lagje të Londrës, që e njihte mirë, duke u endur mes trishtimit e kujtimeve të natës, para se të merrte një taksi për në shtëpi.
Taksi, jo metronë, megjithëse jetonte vetëm pak qindra metra nga stacioni i metrosë. Një njeriu aq të trembur sa Treslovi për atë që mund t’i ndodhte mbi tokë, as që i shkonte mendja të provonte të udhëtonte nën tokë. Sidomos pas asaj ngjarjes me të shtënat.
– E trishtuar sa nuk thuhet,- mërmëriti me vete. E kishte fjalën për vdekjen e bashkëshorteve të shokëve dhe të grave në përgjithësi. Po mendonte edhe për burrat që mbeteshin vetëm, përfshi edhe veten e tij. I dukej tmerr të humbisje gruan që e doje, por nuk ishte humbje më e vogël edhe të mos kishe fare grua që ta merrje në krahë e ta përkundje derisa të ndodhte tragjedia…
– Pa atë, çfarë jam unë?- pyeti veten, se ishte nga ata burra që nuk funksiononin mirë të vetëm.
Kaloi pranë BBC-së, institucionit ku kishte punuar dikur e ku kishte ushqyer shpresa idealiste, por që tani e urrente deri në shkallën më të paarsyeshme. Se po të ishte i arsyeshëm, nuk do të kalonte aq shpesh pranë kësaj ndërtese. 
– Copë muti,- shau nën zë.
Sharje kalamajsh.
Pikërisht këtë urrente më tepër nga BBC-ja: ajo e kishte bërë kalama. Populli e quante korporatën me përkëdheli me emrin “tetoja”. Por tetot janë figura që ngjallin dashuri, janë pak mistrece dhe të dyshimta, bëjnë sikur të duan për sa kohë kanë nevojë që t’i duash, pastaj, mbetsh me shëndet. Treslovi besonte se BBC-ja i rrogonte ata që e dëgjonin, duke i kthyer në një gjendje varësie kokëboshe. Këtë gjë ua bënte edhe punonjësve të vet. Por shumë më keq, në rastin e punonjësve : i lidhte me pranga pas ngritjes në detyrë dhe mendjemadhësisë, duke i bërë të paaftë të bënin jetë tjetër veç kësaj. Edhe Treslovin për ca kohë. Megjithëse ai nuk u ngjit në detyrë, vetëm u gjymtua.
Rreth ndërtesës ishin ngritur ca vinça, aq të lartë e të lëvizshëm, sa edhe vetë hëna. Duhet të ishte fat i paracaktuar, mendoi, që si në fillim, ashtu edhe në fund, duhet t’i çante kokën ndonjë vinç i BBC-së. Copa e mutit. Iu bë sikur dëgjonte çarjen e kafkës, sikur lëkura e tokës po hapej, si në filmat me katastrofa. Por jeta i dukej si ndonjë film me katastrofa ku vdisnin vetëm gratë, njëra pas tjetrës. Shpejtoi hapin. Iu bë sikur një pemë iu ngrefos përpara. Iu shmang dhe për pak sa nuk shkeli mbi një tabelë që e kishin ulur për ta riparuar. RREZIK. I therën kërcinjtë nga përplasja e imagjinuar me të. Sonte edhe shpirti iu trondit nga dhimbja.
“Nuk ndodh kurrë aty ku e sheh”, tha me vete. Gjithnjë vjen nga diku tjetër. Atë çast, një hije e zezë doli nga pragu i një shtëpie e u shndërrua në një grabitës, e kapi për zverku, e ngjeshi me fytyrë pas vitrinës së një dyqani, i tha të mos nxirrte zë e të mos lëvizte dhe i mori orën, kuletën, stilografin dhe celularin.
Vetëm kur pushoi së dridhuri, ishte në gjendje të kontrollonte xhepat e zbrazur dhe të sigurohej se ajo që i kishte ndodhur, kishte ndodhur me të vërtetë.
Nuk kishte as kuletë e as celular.
Në xhepin e xhaketës, nuk kishte as stilografin.
Në dorë, i mungonte ora.
Kurse brenda vetes, nuk kishte as shpirt luftarak, as instinktin e vetëruajtjes, as amour de soi, as çfarëdo që të quhej ajo që e bën njeriun të mbahet dhe e mëson të jetojë të tashmen.
Po pse, kur e kishte pasur ndonjëherë këtë?
Pikërisht kjo ia ngrinte më tepër nervat Treslovit. Jo ndërprerja e një ëndërrimi të harlisur rreth të mbeturit i ve. As befasia tronditëse e sulmit, me dorën që e kapi pas zverku dhe e ngjeshi pas vitrinës së dyqanit të violinave Guivier aq fort, sa veglat muzikore u drodhën e lëshuan tinguj pas panelit të qelqtë, derisa zhurma që dëgjoi pas pak ishte ajo e hundës së vet që i thyhej. As grabitja e orës, kuletës, stilografit dhe celularit, sado sentimentale të ishte lidhja e tij me sendin e parë dhe e sikletshme me të dytin, të tretin e të katërtin. Jo, ajo çka e mërziti më shumë ishte fakti se personi që e sulmoi, e grabiti dhe e tmerroi – një person të cilit nuk i bëri ballë as me një pëshpërimë apo përpëlitje të vetme – ishte… grua.
Sigal