Ardian Kadriu: Mjeshtri i skulpturës dhe skenës

1185
Ermira BABAMUSTA
Ardian Kadriu me mjeshtëri krijon art ku derdh shpirtin dhe talentin nëpërmjet imagjinatës së tij. Fantazia vepruese e artistit të suksesshëm nga Maqedonia është influencuar nga guximi për krijimtari dhe dëshira për ngjallur emocione nëpërmjet artit. Ka mbajtur ekspozita të veçanta për skulptura të jetësuara me argjilë, dru, gur dhe mermer në Tetovë, Gostivar, Shqipëri etj. Veprat e skulptorit Ardian Kadriu kanë lënë gjurmë të prekshme për artdashësit, ku midis të tjerave veçohet “Klithmat e brendshme”. 

Na tregoni për hapat tuaj të parë në artin e skulpturës. Si filluat?
Shumë herët, por arsyeja se si ia nisa apo kur lindi kjo dashuri, sigurisht që ka ndikim familja ime. Unë isha me fat që linda në një familje ku vetëm se janë marrë me art. I rrethuar me artistë, babi është piktor kurse xhaxhai im është grafist, kështu që isha i rrethuar me piktura, grafika dhe skulptura. Si fëmijë ajo që më shumë më tërhiqte ishte argjila ose balta. Gjithmonë luaja me baltë dhe punoja forma të ndryshme të skulpturës, punoja skulpturë dhe ndër kohë pikturoja. Por prapë se prapë isha më i lidhur ose më shumë interesi më ikte nga skulptura.

Me skulpturën mundesha ta prekja në të gjitha anët, të ndërtoja me duar dhe më shumë e ndjeja, dhe kështu fillova të punoja vazhdimisht me shumë pasion. Kur erdhi koha për të studiuar tani më e kisha të qartë se çfarë doja. Vazhdova në fakultetin e artëve ku kisha fatin dhe u pranova në fakultet si student i rregullt i Artit Figurativ, drejtimi Skulpturë. Ka njerëz të uritur, por shpirti i artistit është gjithnjë i etshëm.

Cilët artistë ju frymëzojnë më shumë?
Nga klasikët më shumë më kanë frymëzuar janë Michelangelo, Rodini Donatello, Edvard Munch, Francicko Goya, Rembrandt, Van Gogh. Nga arti modern do të veçoja skulptorin Javier Marin.

Çfarë ju frymëzon më shumë për të bërë art/skulpturë ose pikturë?
Mendoj se artistin e ngacmon gjithçka që na rrethon për të na dhënë frymëzim që të krijojmë diçka. frymëzimin e gjej gjithkund. Kaloj shumë kohë në natyrë, pasi që mendoj se aty qetësohem dhe komunikoj me artin. Pa e pasur një mendje të qetësuar dhe një shpirt të pastër është vështirë që të lidhemi me një inspirim apo krijim të mirë. Gjëra të tjera që më frymëzojnë janë librat, filmat, muzika e mirë, shëtitje, njerëzit etj. Dhe mundohem që ta shikoj brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

Na tregoni pak për procesin se si bëhet një skulpturë?
Unë do ta marr si shembull skulpturën në argjilë por kemi edhe materiale të ndryshme si p.sh: druri, guri, mermeri etj. Sikur piktura dhe grafika që kërkohet të vizatohen skicat, po ashtu edhe në skulpturë punohet skica. Pastaj fillojmë me përgatitjen e argjilës, si brumin që e gatuajmë, e gatuajmë edhe argjilën. Përgatitet argjila pastaj fillojmë skeletin ta punojmë me materiale të ndryshme. Gradualisht fillojmë me mbushjen e skeletit me argjilë duke e mbushur dhe duke e bërë vendosjen. Pasi vendosim fillojmë dhe e modelojmë skulpturën. Pas modelimit e përfundojmë skulpturën dhe e përgatisim për ta hedhur në gips ose materiale të ndryshme. Pak a shumë u mundova me shkrim të sqaroj, por nga punimet e mia të ardhshme kam plan që t’i xhiroj gjatë gjithë procesit me një kamerë dhe aty shumë më mirë do dallohet dhe kuptohet ecuria e saj.

Cila është pjesa më e rëndë për të bërë një skulpturë?
Në përgjithësi nuk ka pjesë të lehtë apo të rëndë. Ndonjëherë pjesa më e rëndë është procesi në kërkimin e idesë se çfarë dua të bëj me një skulpturë. Por në realizimin e saj, pjesa më e vështirë ose me e frikshme për skulptorin është vendosja e skulpturës në skeletin e saj, që ajo të qëndrojë e lirë. D m th kjo është pjesa më shumë që një skulptor koncentrohet që ta përfundoj me suksese. Pastaj pjesa e modelimit është më e lehtë e kështu me radhë. D m th mendoj që pjesët më të rënda në art nuk janë ato fizike ku t’i punon me duar, ajo është si pjesë teknike e procesit të artit. Pjesa më e rëndë është ajo mendore… Më pëlqen një thënie e Michaelangelos që thotë se, “Një artist pikturon me mendjen e tij jo me duart e tij.”

A jeni shumë skulptorë shqiptarë, nëse po, a mund të na tregoni disa prej tyre?
Nuk jemi shumë numër i madh. Në Maqedoni është numër më i vogël se sa i piktorëve dhe artistëve në fushat tjera të artit. Unë disa nga skulptorët i njoh dhe kam kontakte janë: Xhelil Rufati, Muamer Sadiku, Xhezair Rexhepi, Bashkim Mexhiti etj… Shpresoj që në të ardhmen të rritet numri i artistëve që duan të merren me skulpturë.

Çfarë jeni duke punuar tani për momentin?
Për momentin jam duke u përgatitur për ekspozitën personale që do ta kem në fund të vitit 2018, dhe shpresoj që të mos ndalem dhe të vazhdoj t’i ekspozoj dhe nëpër qytete të Maqedonisë por edhe jashtë vendit. Gjithashtu përveç ekspozitës jam duke punuar edhe me një shfaqje profesionale në Teatrin e Kumanovës. D m th aty jam si skenograf i shfaqjes “Një shtrat plot me të huaj“, nga autori Dave Freeman dhe me regji të Esat Brajshorit.

Përveç skulpturës me cilat arte tjera e shpreh vetën?
Më duket se gjithçka që ka të bëjë me artin e gjej një lidhje që mund të shprehem e të komunikoj me publikun. D m th është Piktura. Pastaj e dua dhe më pëlqen aktrimi, kam qenë pjesëmarrës në disa filma si aktorë por në role më të vogla. Merrem me kostumografi dhe skenografi në teatër dhe film. Dhe shumë gjëra të tjera që për momentin mendoj që këto janë të mjaftueshme

Cilat janë disa nga filmat që ke punuar?
Kam qenë skenograf në gjithë filmat e Ibër Dearit duke filluar nga Last Confession, Between Paradise and Hell, My city Screams, Toka, A long way home… në shumicen e këtyre filmave kam marrë pjesë edhe si aktor në disa nga rolet. Kam bërë një përvojë të madhe në filma. Filmat shumë i dua kur i shikoj… por të punosh në filma është një magji komplet tjetër. Eksperiencë e veçantë dhe e këndshme.

Cilat janë disa nga shfaqjet në teatër që keni punuar?
Do t’i shkruaj disa më të rëndësishme për momentin që kam punuar. Për në teatër gati çdo vit punoj nga 1 deri me 2 shfaqe. D m th në rolin e skenografit.

Rrënjët e Kullës – Vebi Qerimi – rekuiziter”, Qeni i Baskervileve – Qazmedin Nuredini, I sëmuri për mend – Ahmet Jakupi, Ballyturk – Qazmedin Nuredini

Mesimi – Ilirjan Himaj, Një shtrat plot me të huaj – Esat Brajshori

Cilat janë skulpturat që i pëlqeni më së shumti ose do t’i kishit veçuar në krijimtarinë tuaj?
I kam disa dhe e kam të vështirë për t’i veçuar. Por mendoj të gjitha ato që kam punuar deri më sot. Mund të them se vepra ime që kam punuar me shumë dhimbje dhe në fund kam ndjerë një kënaqësi të madhe është vepra ime e quajtur “Klithmat e brendshme” – Fytyrat nga disa personazhe të ndryshëm që brenda tyre dëgjohen klithmat dhe ankthet.

Top 3 skulptorët më të mirë dhe veprat e tyre që ju do t’i kishit veçuar?
1. Donatello (1386 – 1466), Davidi i bronztë është një nga skulpturat më të famshme të ditëve të sotme. Dallon si puna e parë e pambështetur në bronz të përpunuar gjatë periudhës së Rilindjes dhe është skulptura e parë mashkull që qëndron nudo në këmbë që nga antikiteti. 

2. Auguste Rodin (1849 – 1917) “Puthja” është një skulpturë e mermertë e vitit 1889. Ka një histori të veçantë. Buzët e dashnorëve nuk preken në skulpturë, duke dhënë idenë e diçkaje që u ndërpre dhe ata u vranë me buzë që akoma s’ishin prekur. 

3. Mikelanxhelo (1475 – 1564), Mëshira (La Pieta) Mikelanxhelo krijoi një nga skulpturat më të bukura që është parë ndonjëherë. Mëshira paraqet Virgjëreshën Mari që mban të birin, Jezu Krishtin në krahë.
Sigal