Albert Habazaj: Prof. Spiro Caushi nderohet me Dekoratën e Vlorës

41

Dekorata më e lartë për prof. Spiro Çaushin është nderimi dhe vlerësimi qytetar

Sigal

Profesor Spiro Caushi! Gëzuar dekoratën në 80-vjetorin e lindjes!

Profesor Spiro Caushi është një emër i mbarënjohur në Vlorë, në botën akademike dhe në shoqërinë e fizikanëve të vendit. Ai ka lënë gjurmë e vlerësohet për 3 vlera e virtyte të tij: së pari, si profesor i fikës në qytetin e Vlorës: së dyti, edhe si Profesor i Traditës në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe, së treti, që është shumë e rëndësishme gjithmonë, por sidomos sot përbën një gjerdan floriri për moralin qytetar, ky burrë i bardhë, me kurriz pakëz të përkulur, por që nuk e njeh pushimin,  është Profesor i Shërbestarisë dhe Besnikërisë familjare në shoqërinë shqiptare.

Më 29 janar 2024 ai mbush 80 vjeç. Profesor! Gëzuar ditëlindjen tënde dhe dekoratën e Vlorës!

Ndihem mirë, si nismëtar që bashkë me mësuesin veteran Shpresim Kasaj dhe ing. Laureta Petoshati, dhe, patjetër si propozues, në emër të Shoqatrës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë për këtë vlerësim të lartë, të cilin bashkia Vlorë e bëri realitet kur kryetar bashkie ishte dr. Dritan Leli dhe jepet sot nga kryetari aktual i bashkisë Vlorë z. Ermal Dredha.

Prof. Spiro Caushi – “Qytetar Nderi i Vlorës”

Motivacioni, bashkëngjitur një jetëshkrimi të shkurtër është kuptimplotë dhe paraqet botën e plotë të profesorit në rrafshin e edukimit, arsimit, pasionit për letërsinë, shpirtit human dhe ruajtes së traditave kudo ku punoi, duke udhëhequr me thjeshtësi me shembullin personal, si një mësimdhënës, pedagog dhe psikolog i mirë, i dobishëm e frymëzues:

Është profesori i parë me këtë titull akademik në Vlorë. Prof. Spiro Caushi ka qenë për rreth 2 dekada zëvendësrektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe ka ndihmuar, krahas punës arsimore, edukative dhe metodike të studentëve, mësuesve dhe pedagogëve të rinj, edhe për promovimin e talenteve të reja në fushën e letërsisë, kulturës dhe artit, duke qenë një mentor i vlertë për shoqërinë tonë të shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës. Ikonë e gjallë e arsimit në Vlorë, ka lënë gjurmë themeltare në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Profesor Spiro Caushi ka dhe një shpirt shumë human. Ai është fizikan, por nga poetët e shquar botërorë, ai di vargje përmendësh më shumë se goxha poetë në qytet. Ai është mirënjohja jonë. Ai përpiqet për të tjerët, sepse është një shpirt mbushur me mirësi, një mendje mbushur me dituri, një model qytetar për t’u ndjekur nga brezat.

Spiro Caushi  ka lindur në qytetin e Vlorës më 29 Janar 1944. Pasi kreu shkollën e mesme “Ali Demi”, vijoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën e Fizikës, në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera. U emërua asistent pedagog në degën e Fizikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe më pas mësues i Fizikës në shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” dhe shkollën e mesme Mjekësore. Në vitin 1970, emërohet pedagog në Filialin e Vlorës të UT, ku për 4 vjet dha leksionet e lëndës së Fizikës dhe të Matematikës. Mbas mbylljes së Filialit, punoi si mësues i Fizikës në gjimnazin “Ali Demi”. Në vitin 1988, u emërua drejtor i Kabinetit Pedagogjik, si përgjegjës i Seksionit të Kualifikimit në Drejtorinë Rajonale të rrethit të Vlorës.

Ai ka një veprimtari të gjerëshkencore e pedagogjike. Qysh nga vitin 1968, ishte anëtar i grupit të hartimit të programeve të teksteve të lëndës së Fizikës për shkollat 8 – vjeçare dhe mesme pranë Ministrisë së Arsimit. Në vitin 1986, mbrojti disertacionin “Kandidat i shkencave” me temën: “Mbi eksperimentimin fizik në shkollat e mesme”. Ky punim u botua edhe si libër në vitin 1987. Si autor dhe bashkautor, ka marrë pjesë në hartimin e teksteve të Fizikës për klasën e 8-të dhe për vitete I-II-IV të gjimnazit. Është hartues i tekstit të Fizikës për shkollat profesionale dhe bukqësore. Është përfshirë në disa veprimtari shkencore e pedagogjike që lidhen eme mësimdhënien e Fizikës, duke botuar edhe artikuj shkencorë në “Revistën Pedagogjike”. Ka marrë pjesë në disa veprimtari shkencore të organizuara në Selanik, Janinë, Bari, Romë, Kozencë e Izmir nga Shoqata Ballkanike e Fizikës, si anëtar i kryesisë së Shoqatës së Fizikanëve të Shqipërisë. Prej vitit 1994 ka dhënë ndihmesën e tij në ngritjen dhe konsolidimn e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, duke kryer detyrën e Zëvendësrektorit. Në vitin 1995 iu dha titulli “Profesor”.

Në shoqërinë tonë universitare pedagogu Spiro Caushi ka titullin akademik Profesor; po ashtu gëzon qytetar si Dekan i zëvendësrektorëve në rang Republike, sepse njihet si zëvendësrektori më jetëgjatë në detyrë.

Edhe pse ka disa vjet që ka mbushur moshën shtetërore të pensionimit, ai nuk mund të shkëputet nga arsimi dhe edukimi. Aktualisht është Rektor i Kolegjit Universitar “Reald”

Dekorata më e lartë për prof. Spiron është respekti, nderimi dhe vlerësimi qytetar nga kolegët, vartësit, eprorët e sidomos studentët.

Një imtësi e freskët, që e kam përjetuar vetë: Mesditën e pardjeshme të 22 janarit, duke pirë një kafe tek Bar “Libri” në Skelë, 7 vajza e djem që kaluan aty në pothuaj 15’ kohë, e përshëndetën Profesorin, ishin ish-studentë të tij, të cilët ndalonin dhe me shumë dashamirësi i dhuronin fjalët më të ngrohta dhe të dëlira edhe pse, ndoshta Profesori nuk ua mbante mend emrat…

GËZUAR DITËLINDJEN DHE DEKORATËN, O BREDH I BARDHË I PA SHKULUR NGA FURTUNA!