Agron Mema: Shkrimtari Pajtim Çaushi, art në Pandemi

946
Sigal

 

BISEDË ME KRYETARIN E SHOQATËS “KLUBI I KRIJUESVE JONIANË”, SHKRIMTARIN PAJTIM ÇAUSHI    

 Pandemia ka vështirësuar mbijetesën e të gjithë sektorëve ekonomikë, nuk mbeti pa u përfshirë në listë as arti. Artistët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë gjatë kohës së karantinimit të plotë, por edhe më pas. Shkrimtari Pajtim Çaushi në një intervistë për  “Telegraf” ka treguar mbi realizimet të veprimtarive  kombëtare dhe ndërkombëtare.

A mund të na bëni një prezatim të shkurtër të grupimit tuaj artistik?

Në Sarandë gjallon prej vitesh shoqata e shkrimtarëve me emrin shenjues “Klubi i Krijuesve Jonianë”. Në këtë bashkësi krijuesish bëjnë pjesë poetë, prozatorë, muzikantë, piktorë e skulptorë. Në vite janë shfaqur me individualitet të spikatur origjinal disa prej tyre që janë vlerësuar jo vetem në mjedisin rajonal ku jetojnë, por edhe në atë kombëtar e më gjerë. Midis tyre përmend poetët Agim Mato, Natasha Xhelili, Irena Gjoni e Bardhyl Maliqi, Vangjel Zafirati, Dashamir Malo fabulistin e talentuar Vasil Gjivogli, prozatorët Kostandin Vogli, Spiro Thomari e Pajtim Çaushi, piktorët Lefter Çeko e Vasil Kaçi etj.

Cili është spektri i realizimit të veprimtarive të “Klubit Krijues”?

Fusha e veprimtarisë së “ Klubit të Krijuesve Jonianë” është e gjerë ndaj dhe janë realizuar konkretisht promovime botimesh te reja, diskutime e recensa, ekspozita e koncerte, konkurse e interpretime. Duhet thënë që në krye se veprimtaritë e shoqatës sonë janë pasqyruar në tv lokale apo kombëtare dhe veças në gazetën “Telegraf”, përmes artikujsh të shumtë të shkruar nga gazetari Agron Mema i cili na është ndodhur përherë pranë. Me këtë rast falenderoj edhe drejtorin e kësaj gazete, zotin Engjëll Musai që ka mundësuar dhe nxitur pasqyrimin e veprimtarive tona.

Po në kushtet e veçanta të këtij viti si keni vepruar për të realizuar veprimtaritë e planifikuara?

Edhe pse kushtet e këtij viti qenë dhe janë tejet të vështira për shkak të pandemisë, përsëri “Klubi i Krijuesve Jonianë” ka gjalluar me forma të ndryshme veprimtarish. Kuptohet, duke iu përshtatur kushteve dhe duke respektuar kërkesat shëndetësore për luftën kunder virusit Covid.

A mund të na thoni disa që janë realizuar dhe a janë arritur synimet e tyre?

Pavarësisht nga kushtet tejet të vështira që u krijuan këtë vit, ne mundëm të realizonim një numër të konsiderueshëm veprimtarish kombëtare dhe ndërkombëtare. Mund të përmend lidhjet dhe pjesmarrjen në takimet poetike online të Tetovës, në Maqedoni, të Gjakovës në Kosovë dhe në Patra të Greqisë. Në bashkëpunim me aktorin e regjisorin Anastas Nika, u organizua konkursi poetik ndërkombëtar me temën “Saranda jonë”, ku morën pjesë autorë nga rreth 12 vende të Europës. Në kujtim të krijuesit enciklopedist Moikom Zeqo dhe studiuesit të shquar Ibrahim Hoxha u realizuan takime homazh për veprën e tyre të ndritur. Ndërsa me rastin e 34 -vjetorit vdekjes së shkrimtarit disident Bilal Xhaferi, u zhvillua tubimi poetik me recitime nga vepra e tij poetike. Njëherazi janë promovuar edhe veprat e reja të botuara nga autorë anëtarë të “Klubi”t, si romani i Xhevdet Ahmetit etj. Gjatë sezonit turistik u mundësua edhe çelja e dy ekspozitave me piktura të piktorëve vendas e të huaj. Me ndihmën e bashkisë janë botuar edhe dy antologji me poezi dhe prozë të “Triremës letrare”. Pra, jemi munduar ta mundim të keqen me krijime dhe veprimtari artistike.

Bisedoi Agron MEMA