95 vjetori i Nikolla Zoraqit/ Si i “tronditi” skenat kombëtare baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i mjeshtrit që hodhi shtat në Konservatorin “Çajkovski”. Flasin Alqi Lepuri, Llaqi Nako dhe Zhani Ciko

41
Sigal

Nikolla Zoraqi, Mjeshtri që hodhi shtat në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë

-95-vjetori i “Artistit të Popullit”

 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”; Vepra që “Tronditi” skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me muzikë të Nikolla Zoraqit

Flasin Alqi Lepuri, Llaqi Nako, Mihal Luarasi, Zhani Ciko

 Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, për vlerat artistike dhe mesazhin që ajo përcolli u quajt nga personalitetet e artit dhe kulturës në vend një vepër tronditëse. Me madhështinë e saj kjo vepër bëri që të duatrokitet nga publiku, duke e konsideruar këtë shfaqje si një sukses të TKOB. Nata e premierës u ndoq me interes nga publiku, i cili mori nga artistët më të bukurën, që mund të vihej në një skenë baleti. Të gjithë elementët e shfaqje vinin në një mënyrë të përkryer para publikut, i cili pa dyshim që me duartrokitjet e tij vlerësoi punën e artistëve të kësaj vepre. Një skenografi dhe një koreografi e mrekullueshme u shfaq para publikut. Skenografi Valeri Ferrari tregon për shfaqjen se: “Subjekti i Kadaresë është fantastik. Përmes gërmimit të tokës, plagoset me një gjest të dhunshëm një popull. Por gjenerali duhej të vinte i dhembshur dhe fatkeq në vepër, ndërkohë që njerëzit e konsdierojnë një njeri të mirë. Mbi këtë subjekt është ngritur dhe skenografia që së bashku me personazhet e tjerë, unifikohen për të përcjellë mesazhin e veprës”, mban firmat më të rëndësishme të artit shqiptar, si dhe me krijues francezë me libret të ndërtuar mbi romanin e famshëm të literaturës shqiptare të njohur në botë. Premiera erdhi në skenë me muzikë të njërit prej kompozitorëve shqiptarë më të rëndësishëm dhe më të ekzekutuar brenda dhe jashtë Nikolla Zoraqi (1929-1991), në 80 vjetorin e lindjes së tij, si dhe koreografi të mjeshtrit të koreografisë dhe baletit shqiptar Agron Aliaj. Ndërkohë që koreografia Laura Frigato tregon se: “Jemi munduar të unifikojmë klasiken me modernen. Të dy palët kemi gjetur veten, dhe të dyja bashkë formojnë një të vetme. Pastaj është edhe një koncept i tërë i skeongrafit, për të cilin dhe ne nuk do të kishim si ta transmetonim këtë ide. Në rolin e gjeneralit është Gerd Vaso dhe ne kemi krijuar një gjeneral shumë njerëzor dhe jo një gjeneral të zakonshëm me pamje hijerëndë“.

Duke folur për veprën titullari i këtij institucioni Zhani Ciko thekson se :”Operimi për të zbuluar atë çka është e vërteta e leximit muzikor e koreografik të veprës së Kadaresë në kushtet kur dallimi mes faqeve muzikore, që ngërthejnë atë që ka buruar nga romani dhe asaj që i është ngarkuar artificialisht apo ekzagjetuar për mos djegien e krijimit, përligj një version të ri zbulues dhe që sjell në evidencë natyrën e vërtetë të krijimtarisë Zoraqi, venën krijuese të kompozitorit pasionant e të ngërthimeve të mëdha dramatike me koreografinë ende në fertilitet të Aliajt. Sjellja në parametra të zhvillimeve skenike aktuale ndërkombëtare, që për krijime të këtyre përmasave është më se e nënkuptueshme i ka sjellë këtij versioni të ri interesin e ri interpretimit tëversionit të ri interesin për mos bërë vetëm një homazh honorifik në 80 vjetorin e lindjes së Nikolla Zoraqit, por për të ndihmuar në rivlerësimin e vlerave që meritojnë të mbeten në fondin e asaj që në fund të fundit është vlerë“.

Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapsinor dhe trajtim skenik nga skeografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkautor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” vjen me interpretim nga solistës Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledian Agaliaj, Diona Gjinika, Ezdalin Gorani, Manjola Hasani, trupa e baletit, Orkestra Simfonike e TKOB. Dirigjenti i shfaqjes është Bujar Llapaj. Vepra u realizua nën një redaktim të ri nga Prof. Zhani Ciko.

Alqi Lepuri

NJË REALIZIM I PËRKRYER

Vlerësime për shfaqjen dha dhe dirigjenti Alqi Lepuri “Artisti i Merituar”. Si një specialist i muzikës, ai e konsideron baletin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” një vepër madhështore me një realizim të përkryer. “I gjithë konceptimi i shfaqjes ishte një gjetje aristike me mjete shprehëse të spikatura dhe lakonik. Gjithçka mbante frymën kombëtare dhe një profesionalizëm të klasit të lartë. Kjo dukuri nuk është rastësore, sepse autorët e shfaqjes, dirigjenti, regjisori, kompozitori, koreografi, por në këtë rast z. Zhani Ciko ishte promotor i gjithë këtij  realizimi, i cili ka hyrë deri në detaje më të holla si në pikëpamjen e skenës ashtu dhe në anën muzikore në ndërhyrje të fuqishme në orkestracion. Ka dy sekrete marrëdhënia e Cikos me këtë produksion. I pari është se ai e njeh në thellësi më mirë nga çdo njeri tjetër veprën e Nikolla Zoraqit, sepse ai ka prekur me dorë çdo notë të tij edhe si violinist edhe si dirigjent. E dyta është se ai e njeh deri në detajet më të vogla nivelin teknik- profesional të orkestrës, e cila vë në jetë këtë vepër.  Pra nuk flitet vetëm që u shkruajt bukur, por që u përshtat për të marrë më të bukurën nga këta njerëz”, thekson dirigjenti. Më tej ai tregon se ishte një gjetje maksimale për gjendjen e trupës artistike. Gjuha e përdorur në realizimin me mjeshtëri të lartë të muzikës sonë popullore siç është “panteoni”, të cilin e ka përdorur me aq mjeshtëri duke mos e ngatërruar me muzikën e vendeve të tjera. Duhet përmendur përdorimi në pikën më delikate të zhvillimit të veprës, i violinistit solo.

Duhet thënë që Suela Piciri është një instrumentiste me cilësi të rralla. Por dhe dirigjenti Bujar Llapaj erdhi në këtë vepër energjik dhe gjithmonë me një pjekuri më të lartë artistike. Kompozitori Nikolla Zoraqi është një nga më të mëdhenjtë. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj me të dhe nga veprat e tij unë kam luajtur dy vepra në vit. Ishte një njeri korrekt dhe i talentuar. Kam pasur fatin që të jem bashkëkohës me të“, -theksoi ai.

Llaqi Nako

NJË VEPËR ME KARAKTER UNIVERSAL

Koreografi Llaqi Nako, i cili ka interpretuar në këtë vepër dhe në vitin 1977 shprehet: “Në raport me shfaqjen që është vënë në vitin 1977, për herë të parë në skenën e TKOB, kësaj here ishte diçka krejt tjetër, sepse vinte me një konceptim më bashkëkohor dhe nuk ishte trajtuar në mënyrë narrative, por ishte trajtuar në mënyrë filozofike në gjuhë moderne dhe metaforike. E gjithë shfaqje vjen tek spektatori “ e qetë”, por gjithçka është tronditëse. Megjithëse “pa zhurmë“ ajo flet me një gjuhë të koncentruar dhe gjithsesi me themelet mbi vepër”.

Më tej ai tregon se: “Ajo që të bën përshtypje në këtë vepër është vijueshmërua e shfaqjes në logjikën artistike, për të sjellë mesazhet e shumta dhe njëkohësisht jo vetëm për kohën në të cilën kanë ndodhur, por edhe për kohën e sotme dhe për atë që do të vijë, tema që ka kapur autori dhe mjetet shprehëse me të cilën përcillet vepra kanë marrë një karakter universal.

Kushdo që ka lexuar veprën dhe e ka parë shfaqjen do të miratojë këtë gjë. Ajo që është për t’u përgëzuar është dhe loja e artistëve në vepër si Edzalini, Ola, Enada, Gerdi etj, por dhe fëmijë të grupit “Spektër”, të cilët qëndruan si një kurorë me luledele mbi eshtra aq domethënëse. Koreografi Agron Aliaj është një mjeshtër i koreografisë. Unë kam interpretuar specialistin në baletin që u vu në skenë në vitin 1977 dhe i uroj fat, sepse megjithëse ai është në një moshë jo të re, vjen i ri në shije dhe novator i artit të bukur të koreografisë“.

Mihal Luarasi

SHFAQJA NJË SPEKTAKËL I VËRTETË

Regjisori Mihal Luarasi në një prononcim të tij tregon për një shfaqje me vlera, e cila sipas tij solli një gjetje të re në skenën shqiptare. “Në fillim dua të flas ngazëllimin tim përpara një spektakli që pashë, i cili ishte nga çdo pikëpamje i mrekullueshëm. Ishte një gëzim që të shikoje një gjë të tillë. Ishte një krijim i veçantë i artit skenik shqiptar, duke e zbërthyer këtë në figura dhe në mendime konkrete në atë që ne pamë me këtë arritje artistike të nivelit të lartë, por ishte dhe gjuha e letërsisë dhe e muzikës “e përkthyer” në gjuhën e koreografisë, në gjuhën e beletit modern. Unë jam një nga shikuesit e shumtë të shekullit të kaluar, kur muzika është vënë në balet dhe ka qënë vitit 1977. Jam në gjendje që të shikoj ndryshimin e saj me atë që u dha atëhere, si dhe me shfaqjen që unë pashë mbrëmë. Unë pashë që më në fund muzika e Nikolla Zoraqit është zhveshur nga shtrëngimet, ndalimet, kërkesat ideologjike të realizmit socialist, zhveshur nga këto ne na doli një muzikë moderne bashkëkohore nga çdo pikëpamje, gjë që atëherë ishte shumë e izoluar. Prandaj muzika e vërtetë e Nikolla Zoraqit është kjo që ne pamë mbrëmë dhe vënia në koreografi, në balet nga mjeshtri i madh i koreografisë Agron Aliaj, bashkë me komponentët e tjerë që punuan me atë për këtë krijim është Nikolla Zoraqi i vërtetë“, u shpreh ai.

Më tej foli mbi bazat e kësaj vepre dhe rëndësinë e saj. “Por kur është themeli, ku është baza? Themeli është romani i Kadaresë. kjo tregon që kjo vepër e madhe e shkrimtarit tonë, jo vetëm është një vepër e pavdekshme, por ajo na shfaqet me fytyra dhe forma të ndryshme. Ajo ka mbijetuar, do të mbijetojë duke u përqasur gjithmonë në duar mjeshtrash të tjerë, të cilët na japin këtë roman në gjini të tjera, sepse ne e kemi parë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar si vepër dramatike. Në TKOB ne kemi parë dhe e pamë si një balet, është një vepër, e cila është e përshtatshme nga idetë“,- theksoi regjisori Luarasi.

Më tej ai vlerësoi dhe interpretimin e shkëlqyer të balerinëve, duke vënë theksin dhe në realizimin e skenografisë. “dua të flasë për interpretuesit për, atë trupë baleti fantastike që ne kemi, për ata solistë të mëdhenj, për Enada Hoxhën, Gerdi Vason etj., që na dhanë figura të mahnitshme. Gjëja e parë që unë i thashë pas spektaklit Zhani Cikos, ( i cili ka bërë një përpunim veprës së Zoraqit), se me këtë shfaqje ju duhet të dilni jashtë, duhet të shkoni në skena të tjera të botës, të tregoni se çfarë gjëra të mahnitëshme janë në gjendje të bëjnë artistët tanë të baletit. Eshtë një spektakël që mund të shkosh në çdo vend të Europës dhe të nderohesh me këtë spektakël. Gjithashtu ishte një kostumografi dhe skenografi e realizuar më së miri, e cila erdhi duke zbatuar kërkesat e koreografit për të mishëruar edhe skenikisht dhe teknikisht idetë e tij. Drama e dramës ishte një kompozim i mrekullueshëm. Ishin me dhjetra njerëz në skenë, të cilët ishin manovruar me një harmoni të mahnitshme. Mjeshtri Agron Aliaj ka ditur që të shndërrohet, të transformohet. Ai ka krijuar në fushën e baletit klasik, por këtu ai ne na shfaqet si një koreograf modern me ide bashkëkohore, sepse vetëm me këtë nivel mund të qëndrosh sot në teatrot e tjerë lirik të botës. Skeongrafia dhe kostumografia është përballë me teknikën më të mrekullueshme të TKOB projeksionet e mëdha që pamë aty kombinime të tjera që ishin të një niveli të madh. Këtu ishte një teknikë shumë e lartë“, shprehet regjisori Luarasi. Ndërkohë, duke folur mbi veprën, që është vendosur në skenë në vitin 1977 ai tregon: “ Atëherë kishte kërkesa të tjera, të cilat do të lidheshin patjetër me një konfrontim ideologjik. Në atë kohë nuk të linin po të mos fusje shtesa. Kishte kërkesa të tjera, të cilat e skematizonin spektaklin, prandaj thashë që në fillim që tani doli muzika e vërtetë e Zoraqit, shprehur në koreografi ashtu siç është. Prandaj tingëllimi i kësaj vepra është një tingëllim, që i përket të gjithë popujve, nuk është një spktakël brenda një populli të izoluar siç ishim ne, ku ideologjia kërkonte që këtij populli t’i jepej një ushqim i tillë për ta mbajtur në rrethim nga bota tjetër. Edhe kostumet e artistëve kanë pasur një natyralizëm.

Kërkesat ishin që personazhet duhet të visheshin se më afër realitetit tonë. Në atë kohë, në vitin 1977 ishte vetëm një konfrontim i Nicës me gjeneralin, këtu ishte shtuar në një plan tjetër në një gjetje fantastike. I lumtë Agron Alisë dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ne dimë që nuk jemi shumë tëpasur në vepra lirike shqiptare, megjithatë Zhani Ciko gjeti rrugën që të punoi dhe të na japi spektakle me veprat tona të baletit”.

Zhani  Ciko

“Zoraqi është një ndër kompozitorët më të shquar shqiptar me krijimtari e cila është përfaqësuese për muzikën e kultivuar kombëtare. Autor i veprave të të gjitha gjinive, që nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, te ajo simfonike e deri tek opera dhe baleti, mbetet kompzitori me katalogun më të pasur të krijimtarisë. Muzikë si origjinale, aq edhe e frymëzuar dhe me identitet kombëtar të theksuar, ku nuk mungojnë referencat, sidomos nga folku i Tiranës, qytet, të cilit i përket si nga origjina dhe veprimtaria. Veprat e Zoraqit janë ndër të ekzekutuarat në Shqipëri, po edhe jashtë shtetit.