Gëzim Llojdia: Si u godit mjeshtri Sali Shijaku për influencë nga arti borgez në 1966, pasi hapi ekspozitën në Durrës

877
Sigal

Piktori 33 vjeçar që kishte kryer studimet në Shën Petërburg në atë vit hapi ekspozitë në Durrës

  • -Ekspozita në një Fletë –Rrufe u quajt një tingull i huaj, si një stonaturë, që nuk u përgjigjej aspak kërkesave të kohës
  • – Këto punime të Sali Shijakut janë të zbehta në përmbajtje, shprehin influencën e artit borgjez
  • – Te “Fondatori”, që është portret i një punëtori të industrisë metalurgjike Sali Shijaku nuk ka gjetur tipin e përshtatshëm për të përfaqësuar punëtorin tonë

1.

25 shtator 1966. Stina që çdo piktor kërkonte në mendjen e tij. Shegët ishin çarë, arrat -rrëzuar nga pema, mollët dhe ftonjtë tundeshin në erë. Mirëpo kjo hyrje nuk përkon me një realitet. Ishte e diel dhe nëpër kioskat ishte shpërndarë shtypi dhe mes tyre gazeta kulturore organ i lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë:”Drita”. Diku aty,në mos te faqja 2 një shkrim dy kolonësh me titull:”Interpretim i padrejtë i realitetit”. Nuk përbënte gjë tjetër atë vjeshtë, që gdhendet në zemrat e piktorëve përveçse një paralajmërim i fortë për mjeshtrin e penelit shqiptar Sali Shijaku. Le të hyjmë në temë drejt e te shkrimi anonim. Një soj fletërrufeje. Në qytetin e Durrësit në atë vjeshtë ishte hapur ekspozita e një piktori 33 vjeçar. Studimet i kishte kryer në Shën Petërburg dhe që quhej Sali Shijaku. Hapja e çdo ekspozite ishte një ogur i mbarë për letërsinë dhe artet. Kjo sipas këtij shkrimi erdhi si një tingull i huaj, si një stonaturë. …Në këtë periudhë rritjeje të vazhdueshme të vrullit revolucionar të masave tona punonjëse, (fillon shkrimi), kur gjithë populli ynë i udhëhequr nga Partia po kryen punë madhështore në betejat e lavdishme të ndërtimit të socializmit. Dhe për mbrojtjen e atdheut nga letërsia dhe artet priten gjithnjë e më shumë vepra, që jo vetëm të pasqyrojnë drejt këtë realitet, atë që është tipike e përparimtare në shoqërinë tonë, fytyrën heroike të njeriut tonë të punës, por edhe që të shërbejnë me shembullin e mirë e formën, e bukur për edukimin revolucionar të masave punonjëse. Duke ndjekur vijueshmërinë e këtij shkrimi më tej lexojmë:

…Në këto rrethana, që patjetër do t’i çojnë më përpara edhe letërsinë e artet tona duke i pasuruar nga brendia e tyre ideore e emocionale, një ekspozitë si ajo e piktorit Sali Shijaku, që u hap para pak kohe në Durrës, erdhi si një tingull i huaj, si një stonaturë që nuk u përgjigjet aspak kërkesave të kohës.

2.

Në radhët në vijim të këtij shkrimi do të ndeshim këto radhë, që flasin edhe për temën e diplomës së tij. Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Duke shkruar biografinë e tij në uikipedia thuhet se krijimtarinë artistike  e filloi në fillimin e viteve 60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës. Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” (1953, GKA), “Kostum tiranase” (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj. Vepra e “Piktorit të Popullit”, Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës…Aso kohe, viti 66 në kohë e vite të zymta, artistët kishin barriera të mëdha për të kapërcyer. Diskutimet krijuese  ngjasonin me mbledhje partie, apo prokurorie. Mirë le të vijomë shkrimin.

…Diskutimi krijues i organizuar në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve vuri në dukje se në përgjithësi këto punime të Sali Shijakut janë të zbehta në përmbajtje, shprehin influencën e artit borgjez nuk e kanë pasqyruar me realizëm jetën socialiste dhe ndonjëherë e kanë shtrembëruar. Megjithëse temat e trajtuara nga aspekte të ndryshme të jetës së vendit  onë sot ose nga ngjarje të çmuara historike, këndi i shikimit të tyre dhe sidomos interpretimi artistik është i padrejtë. Piktori, thuhet në këtë shkrim, është kapur pas aspekteve të rastësishme dhe brendia e pikturave në përgjithësi shpreh ide të gabuara. Te “Fondatori”, që është portret i një punëtori të industrisë metalurgjike Sali Shijaku nuk ka gjetur tipin e përshtatshëm për të përfaqësuar punëtorin tonë. Ai ka theksuar tiparet e shëmtuara të modelit të tij dhe nuk ka zbuluar aspak bukurinë e botës së brendshme të punëtorit tonë.”Fondatori” ka një shprehje më fortë të theksuar dhe i futur brenda një kuadri  humë të ngushtë në sfondin e paracaktuar gri ku duket një çengel dhe një dritare, e cila mezi lëshon dritë;ky është si murg asket. Në radhë portrete punëtorësh, malësorësh dhe vajzash shtëpiake në shprehjen e tyre psikologjike janë shpesh herë ekuivoke. Kurrë nuk janë të cekta në brendi fytyrat e këtyre portreteve të zhytura në mendime të trishtuara ose të zymta dhe ngandonjëherë sikur ndihet edhe një farë shqetësimi për të ardhmen. ”Nëna dhe fëmija”, një malësore para djepit të fëmijës është një grua me një pikëllim tragjik që theksohet nga tonalitetet e errtë dhe të zeza të pikturës”Zyhraja”, ”Luljeta”  “Vajza me dajre” me ato fytyra të zbehta, me ato vështrime të mallëngjyera, me ato qëndrime të mefshta nuk janë heroinat e ditëve tona. Ato janë më fort krijime të fantazisë së autorit. Ky nuk është një interpretim sentimental i gruas efektet e formës të njollave dhe të ngjyrave në kompozimet e Sali Shijakut, arrin deri atje sa të diskreditojë idetë e mëdha që mund të ishin shprehur nëpërmjet tyre. Në skicën për punën e tij të diplomës “Heronjtë e Vigut”, ai është i interesuar për disa kontraste dritash e hijesh ,ndërsa figurat e luftëtarëve kanë humbur në errësirë e mezi dallohen. Figurës qëndrore që zë mesin e tablosë i duket vetëm shpina e shalët e gjata, sepse piktorin e ka tërhequr vetëm gjesti i pazakontë. Figurat shkurtalaqe të luftëtarëve në kompozimin:”Lufta e Mashkullorës” të radhitura njëra pas tjetrës në luftim, bëhen groteske. Këtu të bie në sy vetëm loja e fustanellave me format e tyre të stilizuara në një sfond kuq e zi. Atmosfera është gri e zymtë, format e objekteve të paqarta, ndërsa figurat e punëtorëve trashanike në kompozimin:  “Minatorët mbi urë” dhe asgjë nuk flet aty për entuziazmin, heroizmin, guximin e punëtorëve tanë të industrisë. Edhe kompozimi “Kolona partizane”, që mund të kishte një skenë të fortë është krejt skematike dhe e përciptë. Një krijim i parafytyrimit të autorit pa u mbështetur në fakte dhe pa ide.

3.

Janë goditur kompozimet e piktorit. Autori si mundet të jetë tjetër,veçse një anonim? Por i kuptueshëm është organi zyrtar, që e boton gazetën. Pas kësaj tollovie partiake fillojnë të goditen veprat e tjera artistike të piktorit. Në radhë janë portretet, që ka realizuar piktori Sali Shijaku. Sot, çuditërisht një pjesë e kësaj krijimtarie ndodhen në shumë vende të botës dhe janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, shkruan Uikipedia. …Në punimet e Sali Shijakut sidomos në portrete, vihet re një interesim i veçantë i autorit për të pikturuar fshatin me kostume popullore. Po ky është një interes krejt i jashtëm dhe etnografik. Atë e tërheqin ngjyrat dhe format e bukura të kostumeve, tipi origjinal i malësores apo fshatares dhe aspak brendia e këtyre njerëzve, bota e tyre shpirtërore. Edhe atëherë kur ai përpiqet të zbulojë atë botën e tyre të brendshme kjo është shumë -shumë diçka melankolike ose enigmatike. Sali Shijaku ashtu sikundër edhe disa piktorë të tjerë interesohet për etnografinë e fshatit dhe nuk sheh se edhe aty ku janë veshjet e bukura popullore shtëpitë karakteristike ka hyrë jeta e re, socializmi se në atë fshatin e sotëm ku vishen ende rrobat e bukura popullore , fryn era e freskët e socializmit dhe fshatari apo malësori është i frymëzuar me ide të reja, idetë e partisë e komunizmit. Edhe vetë pamja e jashtme dhe veshja vetë ka ndryshuar sipas jetës së sotme. Etnografia është një shkencë më vete, kurse detyra e artit tonë është të zbulojë jetën në zhvillimet e saj revolucionare, të paraqesë njeriun e punës, punëtorin apo fshatarin me tiparet e tij më të mira, besimin në jetën, në socializmin, optimizmin e tij, guximin për të ecur përpara. Të mos i shohësh këto domethënë të mbash një qëndrim politik, indiferent.

4.

Mbasi kanë analizuar gjinitë në veprat e krijuar nga piktori Sali Shijaku është koha për ta paraqitur artin e tij ndryshe si art modern. Madje ka akuza që shkojnë deri atje sa të akuzohet për impresionist apo ekspresionist, madje edhe formalist në artin e tij dhe në fund, mjeshtrin ta quajnë pa të keq se ka lënë pas dore dhe modelimin e formave duke treguar dobësi të theksuar si vizatues. Ja si e fillon këtë fjali autori anonimë. …Në punimet e Ekspozitës së Sali Shijakut bie në sy ndikimi i artit modernist. Ka tablo të punuara në mënyrë impresioniste, të tjera të punuara në mënyrë ekspresioniste. Tablotë e tij të kujtojnë pikturën njëherë të njërit, herë të tjetrit përfaqësonjës të njohur të pikturës moderniste. Në pikturën: “Gratë te burimi”, dritat dhe ngjyrat janë trajtuar me njolla të vogla nëpërmjet thyerjes prizmatike pa modeluar formën. Tipike është : “Gruaja me drapër”, e cila të kujton ekspresionizmin. Një siluetë skematike me ngjyra kafe, të zeza e të kuqe mbi sfondin e një fushe të verdhë të gjerë e uniformë , që pushton gjithë kuadrin. Ka deri edhe eksperimente të tilla që të kujtojnë sprovat e pikturës kubiste, siç është natyra e qetë: “Pistonat”, një lojë e kotë formash me një grumbull pistonash, që piktorit i janë dukur interesante. Duke qenë kështu i influencuar nga rrymat moderniste formaliste, Sali Shijaku e ka parë realitetin tonë me një sy tjetër duke dhënë pa forcë krijuese artistike dhe në mënyrë anakronike, një aspekt të këtij realiteti, i cili nuk na bind si shqiptar dhe aq më pak si socialist, ku nuk ndihet fryma e vërtetë e epokës sonë. Piktori ka rënë në formalizëm. Më të shumtën e herës nuk i ka interesuar fare brendia, domethënia e veprës. Ai është interesuar vetëm për lojën lineare dhe sidomos për raportin skematik të ngjyrave. Për hatër të këtij raporti ngjyrash, të cilin ka dashur ta arrijë me rrugën më të lehtë, ai jo vetëm që nuk i ka pasqyruar as realitetin, as idetë tona të përparuara po ka lënë pas dore dhe modelimin e formave duke treguar dobësi të theksuar si vizatues.

… Dhe çfarë u nxë goja të thonë pikërisht kështu për një mjeshtër të penelit! Eh. Mjeshtër, ishe i ri dhe me ide të reja, kërkoje të sillje pakëz dritë, në errësirën e një realiteti të robëruar. Të quajtën impresionist, ekspresionist, formalist e pastaj thanë se as si vizatues s’vleje, pra shfaqje dobësi të heksuara.

  1. Ishte piktori me moshë 33vjecare kur shkruhej artikulli dhe në formimin e tij artistik, ishin të shënuara se ai pasi kishte përfunduar liceun artistik;”Jordan Misja” diku aty nga viti 52, pas 4 vitesh do të nisej për shkollim të lartë artistik në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë. Ata, që vinin nga jashtë pas mbylljes hermetike të shtetit në vitet 60, shikoheshin me ndikim nga arti borgjez dhe ishin një pikë referimi për t’i sulmuar, ngase arti i tyre po mundohej të ishte avangardë e artit perëndimor….Shokët që folën në diskutimin krijues shprehën mendimin se të këtilla ekspozita nuk na lypsen. Sali Shijaku nën influencën e rrymave të artit borgjez me një qëndrim formalist pa njohur mirë e pa hyrë në realitetin e jetës tonë socialiste duke pikturuar vetëm me intuitë dhe sidomos pa një qëndrim të partishëm dhe pa qartësi ideo politike, ka krijuar piktura, të cilat janë me përmbajtje të gabuara, që nuk thotë të vërtetën. Piktura të tilla jo vetëm që nuk shërbejnë aspak si ushqim shpirtëror për edukimin me frymë revolucionare të masave,po në qoftë se nuk luftohen, ato mund të përbëjnë një rrezik të madh për depërtimin e ideologjisë borgjeze e revizioniste në kulturën tonë. Ekspozita e Sali Shijakut në Durrës u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, prandaj organizata jonë ka përgjegjësinë e saj, por kryesisht për hapjen e kësaj ekspozite ka përgjegjësi Sekretari i Lidhjes për Artet Figurative ,shoku Foto Stamo, i cili bashkë me autorin zgjodhi punimet dhe vendosi për hapjen e ekspozitës. Kjo qe një mungesë vigjilence politike dhe ideologjike. Krijimtaria artistike nuk është parë nga domethënia, nga brendia e saj, por në mënyrë të përciptë nga tematika dhe duke u kujdesur nëse vepra ka, pak a shumë qartësi të formës. Nga ana tjetër është mbajtur një qëndrim burokratik ndaj punës artistike duke u shqetësuar vetëm për të plotësuar planin e aktiviteteve. Nuk është hera e parë, që ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve organizon ekspozita të padobishme ose të parëndësishme. Përgjegjësia e organizuesve të një ekspozite është e madhe duke ditur se ndodh që një piktor të mos jetë gjithnjë i vetëdijshëm për vlerën e punimeve, që ai ka mbledhur në studio dhe ai duhet të ndihmohet për të zgjedhur vetëm ato vepra që me të vërtetë vlejnë të nxirren e të ekspozohen publikisht. Kjo ekspozitë, hapja e së cilës nuk duhej të ishte lejuar, duhet të na shërbejë si një mësim për të qenë më vigjilent ndaj ndikimeve të artit borgjez, për të mobilizuar dhe më shumë, që të krijojnë, vepra me përmbajtje gjithnjë më realiste, më revolucionare. Vepra që militojnë për çështjen e popullit, të partisë, të socializmit, përfundonte “Fletë rrufeja”.