240 artistët e Teatrit të Operas, protestë me këngë dhe valle

775
Sigal

INTERVISTA/ Flasin, Ylber Gjini, Matilda Reka, Manjola Konjari dhe Reshat Ibrahimi

Ditmir Progonati

 Ka mëse një javë që artistët e TKOB-it po ndihen të shqetësuar. Atyre u është ofruar për firmë një kontratë 6 mujore dhe më pas provohen në audicion për të vazhduar apo jo punën në këtë institucion të artit. Janë rreth 240 punonjës që janë të rrezikuar kur sipas tyre shumica kanë mbi 25 vjet që kanë kënduar dhe i kanë dhënë shpirtin këtij institucioni të rëndësishëm.

 Ylber Gjini-bariton

 Më datën 25 prill , në ambientet e TOB na servirën një kontratë individuale që na erdhi e papritur. Kjo kontratë nuk na u dha ën dorë që  ta shikonim me imtësi dhe të pyesnim ndonjë jurist që merr vesh nga ligjet. Kjo ishte një kontratë e paligjshme, pasi kjo kontratë ishte me afat të kufizuar individuale, kur ne kemi një kontratë pa afat kohor, të përkohshme. Kjo kontratë na erdhi pa asnjë lloj komenti duke na thënë vetëm që ta firmosni. Kontrata e re ndërpriste kontratën e mëparshme kolektive, dhe na jepte në dorë një kontratë 6- mujore individuale. Kjo kontratë 6- mujore theksonte, se pas 6 muajsh ne do të bënim audicion dhe do rivlerësoheshim sërish për vlerat artistike. Kjo i binte të kuptoje se edhe në ministri merren me llafe, pasi futen të gjithë në një vathë, ku nuk ndahen njerëzit sipas vlerave, por sipas një rregulli të ri, që dëshiron ministria. Unë në këtë teatër bëj 4 shfaqje në muaj për mëse 29 vjet dhe pas 6 muajsh unë do kthehem sërish në provë. A është serioze kjo? Por këtu po dënohen rreth 240 artistë dhe aq më keq që trajtohen njëlloj të gjithë. Unë kur jam futur edhe në një teatër në Gjermani dhe dikur kam fituar.  Por unë isha i përkohshëm ndaj më lidhën kontratë 2-vjeçare pasi nuk isha shtetas gjerman dhe aty mora vesh se si funksionon skema. Skema  ishte e qartë, bëhej një kontratë 2-vjeçare dy ose tre herë dhe pas kësaj ai që ka vlera nënshkruante një kontratë të përhershme. Aty nuk të flak njeri para pensionit. Unë kam dalë në komision në TKOB para 26 personaliteteve të muzikës shqiptare n.q.s e meritoja këtë vend pune. Aty më caktuan dhe detyrat. Në atë kontratë që kam bërë unë atëherë, thuhej se në moshën 50- vjeçare do të dilja në pension. Sot unë jam 55 vjeç dhe nuk e di kurrë si do dal në pension dhe pse kam një profesion të vështirë. Unë sot do kisha 5 vjet në pension. Atëherë kur bëra kontratën, mendova të krijoj familje, të marr shtëpi me ndonjë kredi, të shikoj jetën me këtë rrogë. Por ja si ndodhi në TKOB. Për më shumë, këtu edhe pse kanë dalë solistë të mëdhenj lirikë, prej vitit 1990 nuk është marrë asnjë vlerësim, asnjë titull artistik, prej asnjërit prej këngëtarëve, solistëve, balerinëve, kërcimtarëve. Kanë marrë tituj ata që këndojnë për synetllëk dhe nuk kanë marrë këngëtarët e mëdhenj lirik. Ne do luftojmë për kontratën kolektive me të gjitha rrugët demokratike. Sot (dje) do të bëjmë protestë me këngë në shkallët e TKOB, më vonë demonstrata dhe besoj të mos arrijmë deri tek greva e urisë.

 Matilda Reka –balerinë dhe Kryetare e Sindikatës për Baletin

 Jam balerinë e TKOB dhe kam 29 vjet që punoj në këtë institucion. Tashmë na kanë dalë ca probleme me kontratat. Më datën 25 prill na erdhi një sekretare nga Ministria e Kulturës, për të na treguar  kontratën që ato kishin formuluar. Unë i bëra disa pyetje të dërguarës së Ministrisë. Kontratën e morëm e shqyrtuam dhe për mendimin e shumicës, ajo kontratë, na u duk jo specifike për TKOB, por si një kontratë për “x” fabrikë. Pra nuk kishte specifikim, që lidhet me profesionin tonë. Nuk kishte detaje, nuk kishte asgjë që lidhej me profesionin tim. Baleti është një profesion tepër i vështirë, tepër i specifikuar. Ai për nga vështirësia dhe nga specifikimet e tij, krahasohet me minatorët.  Dikur mosha e pensionit për balerinët ka qenë 45 vjeç. Me ardhjen e demokracisë u hoqën specifikimet për moshën e pensionit tonë. Aktualisht ne nuk kemi të përcaktuar një moshë si profesion i veçantë dhe i vështirë, pra na kap po ajo moshë pensioni që kap dhe të gjitha femrat në moshat e tjera pra 60 vjeç. Po me ligjin e ri ne na rritet akoma më shumë, pra i bie të dal në pension 63 vjeç kur dihet se në këtë moshë nuk mund të kërcesh apo të realizosh koncerte perfekte. Nuk e di se si do të vazhdojë kjo punë. Jemi në një hall të madh. Tashmë ne si sindikatë e artistëve jemi mbledhur dhe po diskutojmë për t’u përballur në mënyrë ligjore me këtë lloj nisme. Kërkesa jonë është që të përfshihemi në kontratë kolektive dhe jo individuale. Kontrata kolektive është ende në fuqi.  Kjo kontratë është bërë qysh në vitin 2007. N.q.s nuk do përsëritet kjo lloj kontrate ne të gjithë punonjësit e TKOB do të vazhdojmë kërkesat tona sipas të gjitha rregullave dhe instancave ligjore. Ne nuk mund të largohemi në këtë mënyrë. Është një veprim i papritur që na gjeti të papërgatitura. Unë e shtroj prapë pyetjen. Kur dal në pension. Kur dhe si do më mbrojë shteti për kaq vite pune? Ndërkohë, e dërguara e Ministrisë më thotë, pse ne do presim të bëjmë reformë kur të dalësh ty në pension? Unë në 29 vjet kam bërë rreth 2500 shfaqje. Kam qysh në vitin 1985 në këtë institucion. E kam marrë emërimin nga Ministria e Kulturës së asaj kohe. Edhe konkurrova. Unë dua të dal në pension, por nuk kam ligj që t’i përshtatet profesionit im që të dal në pension. N.q.s do kisha moshën sipas ligjit në monizëm, ishte më mirë të dilja në pension. Po tani ku të shkoj?

 Manjola Konjari-mexosoprano, soliste (Sekretare e Përgjithshme e SPASH)

 Kam filluar punë në TKOB qysh në vitin 1988. Ngërçi i të gjithë artistëve në këtë moment është se si do të vazhdojë puna e tyre. Këtu ka artistë që kanë qenë në shumë skena të botës dhe tashme e shikojnë veten në rrugë.  Ne, puna jonë, zërat tanë e kanë radhitur TKOB në teatrot më të mirë të Europës me vepra dinjitoze. Pra ngërçi i vetëm është se me këtë lloj kontrate të re, vihet në dyshim, apo hidhet poshtë kontrata kolektive. Ne të gjithë si artistë kërkojmë zbatimin e kontratës kolektive, të asaj kontrate që me sa di është firmosur në vitin 2007. Unë në këtë skenë kam lënë rininë time, forcat, energjitë e mia më të mëdha. Si mund të vij një ditë dhe me mijëra shfaqje që kam dhënë të largohem papritur nga kjo skenë? Është diçka e papritur, që na le në mes të katër rrugëve. Kam me mijëra shfaqje këtu në këtë skenë, si mund të iki menjëherë?

 Reshat Ibrahimi-President i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë

 Jo vetëm për TKOB, por për të gjithë institucionet e varësisë së Ministrisë së Kulturës,  nëpërmjet një reforme që ka në bazë ndryshimin e strukturave, është dhënë porosi që të jepen kontrata individuale, 3- mujore dhe 6- mujore, duke respektuar sipas atyre nenin 144 të Kodit të punës (sipas atyre), prishet kontrata kolektive e punës. Kjo do të thotë, që nëse artistët firmosin këtë lloj kontrate, atëherë nga na juridike, krijohet një marrëdhënie e re pune, që do të thotë të prishet kontrata e vjetër dhe të mos respektohet kontrata kolektive. Kështu ndëshkohen të gjithë institucionet e varësisë së Ministrisë së Kulturës. Në këtë kuadër, ne si Sindikatë jemi në pozitë shumë të vendosur, që të  respektohet vetëm kontrata kolektive e punës midis drejtorive përkatëse dhe sindikatave përkatëse, në emër të kësaj kontrate kolektive të punës, në vazhdim të nenit 171 të Kodit të Punës, të bëjë kontratë individuale, duke ju referuar kontratës kolektive të punës. Pra të rregullohen marrëdhëniet e reja mbi bazën e kontratës kolektive. Ne jemi në diskutim e sipër dhe në momentin që Ministria e Kulturës mund të tërhiqet nga kjo mënyrë kontrate atëherë çdo gjë zgjidhet në mënyrë korrekte, n.q.s jo, ne do të përshkallëzojmë veprimet tona, me të gjitha format demokratike të kërkimit të së drejtës. Do të fillojmë protestat, demonstratat,  deri në grevë. Ne sot (dje) në orën 18:00 do të zhvillojmë një protestë për afër një orë, ku të gjithë artistët do të këndojnë në shkallët e TKOB, me qëllim që të sensibilizojmë opinionin. N.q.s këto probleme që ne, po parashtrojmë për kontratën individuale të paraqitura nga Drafti i Ministrisë do të merren  në konsideratë ne nuk do të vazhdojmë përshkallëzimin. N.q.s nuk do merren mendimet tona për kontratën kolektive, atëherë ne do themi se Ministria nuk po zbaton ligjin kur kërkon zbatimin e ligjit për gjithë punonjësit e administratës.