Edi Luarasi: U dashurova me këngën, por u martova me aktrimin

633
Sigal

Flet Edi Luarasi, aktorja, këngëtarja që ishte imazhi i femrave në Tiranë

Takimi im me të mbetet një ndër ditët më të gëzuara, për vet faktin se mësova shumë gjëra që deri dje i kisha në dyshim. Por ajo me thjeshtësinë e saj, me sinqeritetin e saj, me kujtesën e fortë, më përcolli momente të cilat vinin para syve të mi si një film i bukur me ngjyra. Sot gjithkush mund të habitet, por ajo rrugën e artit e nisi si këngëtare dhe e vazhdoi si aktore. Vetë ajo s’e besonte se do të bëhej një aktore kalibri, cilësi të cilat i zbuloi tek ajo vetë  bashkëshorti i ardhshëm regjisori i famshëm Mihallaq Luarasi. Kur flet për fëmijërinë ajo qesh, pasi “isha si çun, i qëlloja çunat me grushte”, thotë dhe tund kokën në mënyrë habitore.  U largua nga kënga me dëshirë, por me dhimbje dhe me po atë përkushtim ju drejtua aktrimit. Kur flitet për Mihallaq Luarasin, regjisorin me famë që i rrëmbeu zemrën që në rini, ajo ngelet disa çaste pa fjalë, aq e madhe ishte dhimbja kur atë e dënuan padrejtësisht, atë mashkull simpatik, që vishej aq bukur, sa dallonte në Tiranë, por mbi të gjitha një regjisor që solli frymë të re në teatrin shqiptar.

 Si ishte fëmijëria?

E varfër, por e bukur, plot lojëra dhe shokë. Lodrat ishin pjesa më e madhe e kohës. Ishte një fëmijë shumë i hedhur shumë i lëvizshëm, shumë çapkëne. Ishte një fëmijë që gjithmonë lozte futboll me çuna. Më shumë rrinte me çuna se me goca. Kohën më të madhe me ta e kalonte. Ishte e gatshme të grindej për çdo gjë.

Ndoshta një fëmijëri krejt e veçantë. Ka pasur një fëmijëri të zhurmshme. Shumë të hareshme. Një fëmijëri plot ëndrra, dëshira. Një fëmijëri që e gjente në shkallët e Shtëpisë së Pionierit. Aty gjente veten, aty plotësonte çdo boshllëk të kohës. Aty që në moshë 9 vjeç filloi të këndojë. Pra ju hap një dritare në jetë.

 Do ndalte tek kënga…

Aty ngulmoi si fillim. Dhe rezultatet nuk ishin të pakta. Kishte një fillim të mbarë. Kënga për ‘të ishte vetë jeta. Mendonte se do të bëhej një këngëtare me emër dhe s’do të ndahej kurrë nga kënga. Natë e ditë mendonte për këngën, mendonte për notat muzikore, për tekstet e këngëve. Por ja… Aktrimi, lindi atëherë kur s’e priste. Lindi kur ishte dashuruar me diçka tjetër. Ishte e dashuruar me këngën, me muzikën. Pra, që në moshë të re fëmijërore i kishte në zemër kënga, muzika. Këndonte në shumë aktivitete që organizonte Shtëpia e Pionierit. Këngët ishin nga më të ndryshmet. Kryesisht të muzikës së lehtë, por edhe disa popullore apo lirike. Mund të themi se ishin këngë të specifikuara për zërin e saj. Por të gjithë i thoshin se zëri i saj ishte pjekur para kohe. Pra nuk ishte si zëri i bashkëmoshatareve apo i atyre që ishin dy apo tre vjet më të mëdha. Ishte një zë më i pjekur, më i plotësuar, më i trashë… Përveç këngës, hobi kishte biçikletën. Kishte një biçikletë “Bianka” të vogël që se lëshonte kurrë nga vetja. Me të ndihej sikur kishte avion. I dukej vetja më e rritur më e sigurt më e diferencuar. S’ka lënë rrugë të Tiranës pa gjezdisur. I jepte një kënaqësi të veçantë. Si duronte padrejtësitë. S’kishte çun që të grindej me të. Grushtin e kishte të parin. Mban mend që i ka thënë motra që e kish ngacmuar një çun. I tha t’i tregonte kush ishte. Nuk ja përtoi. Ja veshi me grusht. Ai u pataks.

 Skena, teatri, filmi erdhi papritur tek ajo 

 Kur po bindej se kënga do ishte profesioni që do e lidhte më shumë me jetën reale, ndodhi çudia. Ndodhi ajo që as vetë Edi nuk e beson, por aq më shumë miqtë e mikeshat e saj. Ajo ndërroi kurs. Po e thërriste një tjetër skenë. Skena e teatrit, filmit. Kjo skenë erdhi befasisht.  Erdhi si një pranverë e shpejtë, por e heshtur. Erdhi si një diell i papritur pas një shiu të madh. Erdhi dhe i mbushi zemrën, i ndriçoi rrugën. Sepse e tillë ishte ajo kohë për të, ai moment për jetën e saj. Këndonte në Estradën e Shtetit, pra ishte këngëtare. Ishte 17 vjeçe në atë kohë dhe këndonte këngë që ishin të vështira për zërin dhe po e dëmtonte zërin me ato këngë të vështira. Zëri po i trashej. Kordat po i prisheshin. Në këtë kohë në Estradën e Shtetit, ku ishte regjisor Mihallaq Luarasi, kërkohej një personazh për një rol. Duhej një vajzë tip llasticë, e përkëdhelur, lajkatare, plot naze. Kërkonin në estradë po nuk e gjenin. Kur Mihallaqit i ra ndër mend për të… E thirri dhe i ofroi rolin. Në fillim nguroi. Se kishte menduar veten se mund të bëhej aktore. Por me këmbënguljen e tij pranoi. Mihallaqi ishte një regjisor që kishte shumë ide. Të gjithë e shihnin si një njeri tjetër. Ai kishte mbaruar në Hungari për regji me nota të shkëlqyera. Ai binte në sy kudo në Tiranë. Edhe veshja e tij edhe e folura kishin tjetër aromë. Ai e sqaroi disa herë duke i thënë se do të më ndihmonte. U bind, Pranoi. Pra roli i parë ka qenë ai i një vajze çapkëne me Estradën e Shtetit kur ishte vetëm 17 vjeç. Pas përfundimit të rolit e duartrokitën. Mihallaqi ngeli shumë i kënaqur. E përqafoi. S’e besonte se kishte realizuar një rol që do i ndryshonte rrjedhën e jetës. Pas tij, Mihallaqi i besoi edhe dy, tre role të tjerë. Të gjitha dolën me sukses. Tashmë i kishte kaluar 17 vjetët dhe kalonte në 18. Ishte një moment që i pëlqente më shumë aktrimi se sa kënga. Madje, e ndjente se në këngë s’mund të jepte më tepër. Dhe vazhdoi shkollën për aktrim. Ishte këmbëngulja e Mihallaqit. Ai e detyroi të shkonte në Institutin e Arteve. Shkoi duke ndjerë dorën e tij të ngrohtë, duke ndjerë ndihmën e tij, mësimet e tij. E ndjente se e ardhmja ishte pikërisht aktrimi.

Bashkë me studimet

Shkolla për aktrim i hapi shumë dritare të reja. Bashkë me studimet jeta mori një rrugë tjetër. U dashurua me Mihallaqin. Ishte ai që e ndiqte kudo, e udhëzonte, i jepte dorën. Sytë e tij kishin kohë që e shprehnin dashurinë. Por gjeti belanë me prindërit. Ata nuk donin. S’e pranonin dashurinë e tyre. S’e donin Mihallaqin, pasi thoshin është shumë ekstravagant. Prindërit i thoshin çdo darkë se kemi shumë kërkesa për ty. E kërkonin inxhinierë, doktorë. Kishin diferencë 11 vjet që për atë kohë ishte shumë. Këtu prindërit ngulmonin. Por ajo e kisha mbledhur mendjen top. Ishte e dashuruar me Mihallaqin.

 Ishte matura e parë që mbaroi në Shqipëri për aktrim. Pra ishte ndër studentët е klasës së раrё dramatike, pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. «Shumë zhurmë për asgjë» me tё cilën mbrojti diplomën, e evidentoi, pasi korri sukses.

 Kur flasim për rolet

Çdo kush i kujton me nostalgji fillesat e profesionit. Po ashtu dhe Edi. Papritur vjen një rol interesant për të. Roli i parë ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin me skenar të Fadil Paçramit. Atëherë Kujtimi ishte regjisori më në zë. Pastaj rolet janë të shumë. Por ajo veçon Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca, tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj..  “Orfeu zbret në ferr”, ku ka luajtur me Timo Fllokon, Prokop Mimën, Margarita Xhepën. Si aktore pranë Teatrit Popullor, ka luajtur  mbi 30 rоlе…

 Të veçantat e dy festivaleve që drejtoi

 Eh, ato festivale, të zhurmshme, plot vrull, këngë të bukura, me ritëm, plot entuziazëm. Ahere në festivale të gjithë shqiptarët ishin me sytë aty. Ishte ngjarja më e bukur e muzikës, kulturës shqiptare. Ishin ditët nga më të bukurat, por dhe ditët që po përgatitej  skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e Njëmbëdhjetë. Ai festival që bëri bujë. Edi ishte prezantuese. Kishte veshur një fustan të bardhë të gjatë deri në fund të këmbeve. Orkestra në disa raste kur luante çohej në këmbë. Emocionet ishin të mëdha. Dy herë prezantuese, kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio Televizion pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit. Festivali bëri bujë. Këngët e festivalit këndoheshin në rrugë. Atë e përshëndesnin kudo. Pa u shuar gëzimi erdhi goditja. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra ajo që sigurimi e priste erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg. Njeriu që ishte gjithmonë me një buzëqeshje të ëmbël dhe regjisor i shkëlqyer.