230 vjetori i lindjes së Bajronit

843
Lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Në moshën madhore zuri vendin që i takonte në Shtëpinë e lordëve. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Këtu iu spikaten ato cilësi të karakterit që i ruajti gjithë jetën: serioziteti dhe zotësia të mendohej thellë mbi ngjarjet e jetës; dhe bashkë me këto: gëzimi, vrulli shpirtëror e temperamenti i zjarrtë. Më 1805 Bajroni hyri në Universitetin Kembrixh (Cambridge). Kur ish akoma student botoi vjershat e para lirike të tijat “Orët e prehjes”. Revista zyrtare e shkrimtarëve “Edinburg Reviu”, i bëri një kritikë pa mëshirë. Poeti i ri iu përgjigj me satirën “Këngëtarë anglezë e bardët skocezë”, në të cilën sulmoi ashpër letërsinë angleze të asaj kohe dhe gati gjithë poetët e njohur, sidomos ata të “shkollës së liqenit”. “Shtegtimi i Çajld Haroldit” është vepra letrare më e madhja e Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se është “më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”. Vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën Shtegtimi i Çajld Haroldit, ai shkruante për shqiptarët: Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Bowood Estates, Angli. Në përshkrimin e udhëtimeve të tij Bajroni thotë: “Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’do të kish dobi.”
Xhorxh Gordon Bajron
(1788-1824)
Sot jam tridhjetë e gjashtë vjeç
(Misolongji, 22 janar 1824, pak kohë para se të vdiste)
Po e mbaj zemrën fort mos më tronditet,
Kur të tjera zemra i ndalën trokitjet,
E megjithëse nuk më dashurojnë
Lërmëni të dashuroj!
Ditët e mia u zverdhën një nga një;
Lule e fryte dashurie nuk ka më;
Brenda thellë në shpirt më janë:
Krimb-vreri dhe brenga shafran.
Në gjoksin tim një zjarr i strukur
Si ishull vullkanik i përgjumur;
Dhe nuk ndez dot asnjë pishtar
Jam i pakalluri në varr.
Largoj tej vetes me përçmim,
Shpresën, frikën, zilinë,
Por dhimbjen e të madhen dashurinë
Shtrënguar i mbaj fort.
Veç nuk është as kështu, as këtu-
Më parë të shkundej shpirti im, jo tani,
Kur Lavdia përkëdhel me dashuri
Heronjtë e rënë për liri.
Një fushë lufte, shpatë e flamur,
Lavdia e Greqia vështrojnë përreth,
Spartani i armatosur që në djep
Me vargonj po merr e jep.
Zgjohu! (jo Greqia-ajo s`ka gjumë!)
Zgjohu, shpirti im, në dej ke gjak
Duhet bërë edhe më shumë
Për të marrë hak!
Larg dëshirave të vogla
Të njeriut pa vlerë!-Buzëqeshjet
A s`janë njësoj me ngërdheshjet
Bukuria është gjetkë.
Nëse të dhimbset rinia, përse jeton?
Kjo tokë e vdekjes me nder
Atje në shesh-mejdan të fton
Dhe frymën ty ta merr.
Ç`gjë tjetër mund të kërkosh
Përveç një varr ushtari,
Aty të shtrihesh të pushosh
I kositur nga zjarri.
Shqipëroi nga anglishtja: Meri Lalaj
Sigal