Zbulohet shkaku i zjarrit të pallatit, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës: Flakët nisën nga kondicioneri në papafingo

63
Sigal

Zjarri në pallatin në rrugën “Sali Butka” në Tiranë ka nisur nga një shkëndijë elektrike nga kondicioneri në katin e sipërm të papafingos.

Në një intervistë për News24, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, theksoi se nga pamjet filmike dhe verifikimet paraprake, është arritur në konkluzion se nga kondicioneri zjarri është përhapur në banesë dhe më pas në katet e tjera të ndërtesës.

NOA

Ai tha se pallati ka qenë i pajisur me të gjitha masat e mbrojtjes nga zjarri, si hidrantët dhe pompat.

 “Nga pamjet dhe nga të gjitha ekspertizat që kemi bërë ditën e sotme, mendojmë që zjarri ka nisur në këtë pjesë të ndërtesës ku ndodhet edhe papafingo. Mendoj se zjarri ka nisur nga kondicionerët, kemi dhe pamjet me video në momentet e fillimit të zjarrit. Sot kemi qenë edhe me drejtuesit e Komisariatit Nr.2, por do të shikojmë edhe videot e tjera nga bizneset aty pranë, për t’u siguruar për vatrën e zjarrit. Me 90 për qind zjarri ka rënë në katin ku ndodhet papafingo, në katin e banesës së djegur”, tha Goxhaj.

Çfarë ndodhi një ditë më parë?

Katër apartamente u shkrumbuan në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Flakët dëmtuan pjesërisht edhe 12 banesa, të cilat janë bërë të pabanueshme. Pas ngjarjes së rëndë, banorët e pallatit kaluan natën tek të afërmit e tyre dhe në hotele, ndërsa presin ekspertizën e grupeve të ekspertëve.

Shumë banorë i kanë blerë hyrjet me kredi. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije elektrike në një pajisje elektroshtëpiake në duplex-in në katin e fundit të pallatit 10 katësh, që është në pronësi të një mjeku. Pas zjarrit në pallatin 10 katësh në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, është shoqëruar në polici administratori i pallatit.  Fatmirësisht, nga zjarri nuk kishte viktima.