Vrasja e Devi Kasmit, i dyshuari si bashkëpunëtor apelon masën e sigurisë

510
I dyshuari si bashkëpunëtor në vrasjen e Devi Kasmit disa ditë më parë në Tiranë, Mario Meshini ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo masë sigurie u dha ndaj Meshinit në 4 shkurt nga Gjykata e Tiranës, dhe më pas ai u dërgua në paraburgimin 302.
Avokati i tij, F. Ndoja depozitoi nakimin në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar pafajësinë e 25-vjeçarit.
Edhe në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura disa ditë më parë, Mario Meshini ka mohuar akuzën. Ai ka kërkuar të lirohet nga qelia, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Kasmit.
Në seancë 25-vjeçari ka pohuar njohjen miqësore me viktimën, por ka përjashtuar çdo përfshirje të tij në ngjarjen kriminale.
Në të njëjtën linjë ka qëndruar avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit, akuzat e ngritura ndaj klientit të tij ishin të pabazuara. Sipas avokatit, nëse Meshini do të ishte i përfshirë në ngjarje, nuk do të përdorte motorin e targuar në emër të tij, nuk do të përdorte telefonin e tij dhe nuk do të shkonte në shtëpi pas krimit.
Por i kundërt ka qenë qëndrimi i përfaqësuesit të akuzës, i cili ka shprehur dyshime se Meshini është personi që ka nxjerrë në pritë viktimën.
Sigal