Vrasësi i gjyqtares Hafizi do gjykohet nga Krimet e Rënda

461
Sigal

Ka marrë fund ngërçi i krijuar në lidhje me gjykimin e Fadil Kasemit, burrit që vrau Fildez Hafizin, gjyqtare e Gjykatës në Shkodër.

Gjykata e Lartë ka vendosur ditën e sotme se Kasemi të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Gjykata e Tiranës kishte kërkuar mendim nga Gjykata e Lartë në lidhje me këtë çështje.

Në fund është vendosur që Fadil Kasemi të gjykohet nga Krimet.

Kasemi ekzekutoi bashkëshorten e tij, gati 1 vit më parë në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’ në Tiranë.

Kjo çështje prej gati një viti po shëtiste sa në Gjykatën e Krimeve të Rënda në atë të Shkallës së Parë të Tiranës, por pa mundur dot të shqyrtohet.

Në datën 30 maj, Gjykata e Tiranës ja përcolli dosjen Gjykatës së Lartë, pasi ishte e paqartë mbi kompetencën për shqyrtimin e çështjes.

Të njëjtin problem më parë e kishte konstatuar edhe Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e kishte transferuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Duke parë këto zvarritje, në një kohë kur afatet e paraburgimit kalonin duke rrezikuar lirimin e autorit të krimit, babai i gjyqtares së ndjerë i dërgoi një letër Presidentit të Republikës, ministres së Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ambasadorëve të SHBA dhe BE në vendin tonë, të cilëve u kërkonte vëmendjen dhe përshpejtim të procedurave, pasi vonesat rrezikonin lirimin e vrasësit të së bijës.

Por, fatkeqësisht dy ditë pasi shkroi këtë letër, Bynjamin Hafizi ndërroi jetë, pa marrë vesh nëse do të jepet drejtësi për vrasësin e të bijës.