Hetimet e SPAK zbulojnë lidhjet e thella të krimit të organizuar me politikanë, zyrtarë të lartë dhe institucione shtetërore, duke pasqyruar një sistem të ndërthurur të korrupsionit dhe dhunës që ka mbajtur nën kontroll territore të tëra.
Në vitin 2024, Shqipëria përjetoi një goditje të fuqishme kundër krimit të organizuar, e cila u mundësua nga sekuestrimi i komunikimeve nëpërmjet aplikacionit SKY ECC. Hetimet e SPAK kanë zbardhur lidhjet e rrezikshme mes grupeve kriminale dhe institucioneve shtetërore, duke përfshirë politikanë, zyrtarë të policisë dhe të drejtësisë, të cilët kanë mbështetur dhe mbuluar aktivitetet e paligjshme të bandave. Kjo goditje ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave të përfshirë në aktivitete të tilla si trafikimi i drogës, vrasjet, pastrimi i parave dhe korrupsioni.

Më 19 maj 2020, një oficer policie ishte në një patrullim rutinë me makinën e policisë në qytetin e Elbasanit. Një shok i thotë atij përmes aplikacionit SKY ECC se e kishte parë kur kishte dalë në patrullim nga lagjia e tyre, pasi ishte kapur nga kamerat e kontrolluara nga “miqtë e tij”. Ky nuk ishte një kërcënim ose nuk duket si i tillë sipas komunikimit të zbardhur nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e hetimit ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, një eksponent i dyshuar i krimit të organizuar, aktualisht në arrati prej vitesh, i akuzuar së fundmi për vrasje, trafik droge dhe krime të tjera të rënda. Komunikimi në fakt ngjan shumë miqësor dhe duket se provon atë që banorët e qytetit të Elbasanit e kanë ndjerë prej vitesh: qyteti i tyre kontrollohet nga krimi, ndërsa Policia e Shtetit, edhe nëse nuk është pjesë e strukturave kriminale rivale në qytet, është thjesht një forcë e pafuqishme. Dosja hetimore ndaj grupit të Suel Çelës, i cili njihet edhe me emrin Marjus Lulaj, mbart detaje tronditëse të kontrollit të territorit nga një organizatë kriminale, veçanërisht e dhunshme dhe e etur për të përdorur dhunën dhe shantazhin për ta ruajtur dhe zgjeruar këtë kontroll. Dhjetëra zyrtarë nga policia, sistemi i drejtësisë, administrata publike, pushteti vendor dhe politika qendrore, ose kanë mbyllur sytë, ose kanë bashkëpunuar me të. Vendimi gjyqësor, që cakton masën e sigurisë për të akuzuarit vijon të mbetet formalisht sekret hetimor, ndonëse detaje të këtij vendimi kanë rrjedhur në media me bollëk. Dosja në fjalë është vetëm një nga shumë hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hartuara falë sekuestrimit të serverëve të një kompanie franceze, e cila ofronte, përkundrejt tarifave të larta, shërbim komunikimi që supozohej se ishte i sigurt dhe i papërgjueshëm. Sipas shpjegimeve të dhëna nga prokuroria speciale shqiptare, ishin fillimisht autoritetet policore belge që zbuluan përdorimin e aplikacionit Sky ECC nga trafikantë droge në këtë vend, ndërsa më pas, autoritetet franceze kërkuan autorizim nga një gjykatë për të përgjuar aplikacionin, nën dyshimin e arsyeshëm se ky aplikacion përdorej në masë nga strukturat e krimit të organizuar të shumë vendeve. Mes komunikimeve të mijëra eksponentëve të krimit nga të katër anët e botës, një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të jenë bërë në gjuhën shqipe, gjë që tregon popullaritetin e SKY ECC mes krimit shqiptar. Një nga dosjet e prokurorisë, ajo që ka marrë nofkën “Dosja e Shtatë Bandave”, tregon se një strukturë kriminale porositi në një rast të vetëm një dyzinë me telefonë celularë të modifikuar me SKY ECC për t’ua shpërndarë anëtarëve të vet. Nën tiraninë e krimit Prokuroria e Posaçme po heton deri më tani nëntë dosje voluminoze që mbështeten në masë të konsiderueshme në komunikimet SKY ECC me dhjetëra të arrestuar dhe figura të rëndësishme të krimit të organizuar të shpallur në kërkim. Hetimet zbulojnë nga njëra anë një seri atentatesh dhe krimesh të vjetra në luftën për kontrollin e territorit, po aq sa hedhin dritë mbi fuqinë ekonomike të krimit të organizuar shqiptar, ndikimin e tij në institucionet ligjzbatuese dhe administratën publike si dhe lidhjet politike që i shërbejnë si mburojë. Mes dosjeve hetimore spikat rasti i grupit të Pëllumb Gjokës, i cili u arrestua në korrik 2023, i akuzuar për vrasje, korrupsion, rrëmbim personi, trafik droge dhe pastrim parash. Gjoka është deklaruar i pafajshëm për akuzat, ndërsa avokatët e tij kanë ngritur një çështje në Gjykatën Kushtetuese në të cilën kërkojnë që provat e kapura nga SKY ECC të shpallen të pavlefshme. Bashkë me të u arrestuan dy zyrtarë policie, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbega, krahas prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita. Në mënyrë domethënëse, Bistri rezultoi se kishte arritur t’i shpëtonte vetingut në polici, pasi pak ditë para se të përballej me procesin, ishte ulur në përgjegjësi, rrjedhimisht duke u shpallur si zyrtar i nivelit më të ulët nga ata që u përfshinë në vetingun e policisë. I njohur publikisht si një nga investitorët strategjikë të qeverisë “Rama”, Gjoka besohet se kontrollonte territorin në zonën e tij të vendlindjes në Velipojë, ndërsa aktiviteti i bixhozit ilegal i ushtruar prej tij shtrihej në zona të tjera, përfshirë Tiranën. Në një nga detajet e dosjes, lihet të kuptohet se drejtuesit e policisë së Tiranës në atë kohë, ishin në dijeni të këtyre aktiviteteve, por që nuk kishin kurajë të përballeshin me të. Në maj të vitit 2024, SPAK kreu atë që me gjasa do të njihet si një ndër operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar ndonjëherë në Shqipëri, goditja e shtatë grupeve kriminale dhe zbardhja e tetëmbëdhjetë krimeve nga më të rëndat, përfshirë vrasje dhe tentativë vrasje, drogë, korrupsion dhe pastrim parash. Tetëmbëdhjetë episode kriminale u zbardhën dhe 50 të dyshuar u akuzuan, ndërsa shumë prej figurave të përfolura nuk u akuzuan sepse sakaq janë të vdekur. Ngjarjet e zbardhura përmes komunikimeve të disa dhjetëra eksponentëve përmes aplikacionit SKY ECC fillon në fund të vitit 2019 dhe mbaron në fillim të vitit 2021, kur komunikimet ndërpriten, dhe paraqet fillimisht se si Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste, planifikon vrasjen e Durim Bamit, një figurë krimi në Fushë-Krujë, për shkak se e dyshonte si autor të vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, i cili kishte gjithashtu karrierë politike dhe ishte anëtar i Këshilllit Bashkiak zgjedhur në emër të një partie të quajtur “Rruga e Lirisë”. Ndoka angazhoi katër grupe me pesëmbëdhjetë anëtarë për të gjurmuar Bamin si dhe Aleks Ndrekën, të cilin e dyshonte se kishte ndihmuar Bamin për të kryer vrasjen pas në vitin 2017. Ai duket se urdhëron që pagesa për vrasjen të bëhet nga Ervis Martinaj, një eksponent tjetër i krimit me aktivitet në lojërat e paligjshme të fatit që në atë kohë patën lulëzuar, falë lehtësive fiskale të dhëna nga maxhoranca socialiste në parlament. Martini nga ana e tij kishte një konflikt me një grup konkurrent të njohur si Vëllezërit Duka, kundër të cilëve planifikonte vrasje ndërsa edhe këta planifikonin nga ana e tyre vrasjen e tij. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë dhe është aktualisht në gjykim ndërsa Martinaj u zhduk në gusht 2022 kur familja njoftoi policinë se kishte humbur kontaktet me të, ndërkohë që vetë Martinaj ishte shpallur në kërkim. Lidhjet politike dhe korruptive të strukturave kriminale të ekspozuara nga SKY ECC janë të shumta e të thella: në Lezhë, shefat e policisë bashkëpunonin me krimin e madje ishin edhe vetë pronarë parcelash me kanabis, ndërsa në Fushë-Krujë policia efektivisht nuk ekzistonte. Vëllai i deputetit Eduard Ndreca u vu nën akuzë për kultivim dhe trafik droge. Shefi i policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, u bë simbol i një force policore të diskretituar, i akuzuar për kultivim e trafik droge. Durim Bami, personazhi i zonës së Fushë-Krujës i njohur publikisht vite më parë kur polititikani Tom Doshi e prezantoi në publik si ‘vrasës me pagesë’ të penduar, të paguar për vrasjen e Doshit, shfaqet në dosjen e shtatë bandave si një biznesmen i zhdërvjellët me parcela kanabisi në të gjithë zonën, nga bregdeti deri në lartësinë e Malit të Skënderbeut. Ai është gjithashtu ndërmjetës në investime në prona të patundshme në Tiranë dhe për sipërmarrje të ndryshme të fortësh, fjala vjen, lokale me muzikë të lartë që paguajnë një oficer policie të paidentifikuar me pagë mujore, që të mos u ndalohet muzika pas orës 12. Dosja paraqet edhe një nga rastet më të hershme të përmendjes së “çunave të Londrës” apo “çunave të Anglisë” si pjesë e realitetit bashkëkohor shqiptar; djem të shkathët që kanë bërë miliona të lehta në trafik droge në Mbretërinë e Bashkuar dhe që kthehen si investitorë jo fort të logjikshëm në tregun e pronave të paluajtshme në Shqipëri, një fenomen me përmasa të tilla që ka dhënë pasoja në gjendjen makroekonomike të vendit. Dosja më e përgjakshme e hetuar falë SKY ECC është padyshim ajo e bandës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja ose Franc Gergely, 32 vjeç dhe vëllait të tij Hajdar Bako i njohur edhe si Hajdar Çopja, 40 vjeç. Prokurorët besojnë se aktiviteti i tyre kriminal ka nisur në Itali rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë për t’u rritur në mënyrë marramendëse deri sa banda ishte në gjendje të furnizonte me drogë jo vetëm vende të ndryshme në Evropë, por edhe në Indi, Afrikën e Jugut e Singapor, duke operuar nga baza e tyre në Dubai. Xhiroja e tyre arrin në dhjetëramilionë euro, para të cilat, mësohet se u derdhën pjesërisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri dhe pjesërisht në lingota ari, ndërsa shuma të mëdha u derdhën për të financuar eliminimin e një bande konkurrente, të drejtuar nga vëllezërit Alibej. Franc Çopja, i cili u transferua nga Dubai në Belgjikë për t’u përballur me akuzat për vrasje nga drejtësia belge, përballet në Shqipëri me 26 akuza, përfshirë vrasje, vrasje e mbetur në tentativë, pastrim parash e krime të tjera. Një zyrë këmbimi valutor, e cila zhvillon aktivitetin as 30 metra larg Bankës së Shqipërisë, e cila, përgjatë këtyre viteve ka këmbëngulur për mungesën e pranisë së parave të pista në Shqipëri, shërbente si zyrë finance për klanin e Çopjave, sipas prokurorëve, duke qarkulluar miliona euro. Suksesi i Çopjave në përplasjen e tyre me vëllezërit Alibej duket se u mbështet në financat shumë më të bollshme në dispozicion të tyre, gjë që me gjasë solli edhe dështimin e tyre. Në kulmin e luftës, ndërsa Çopjat ishin pranë suksesit në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të tyre, njëri prej të shenjestruarve, Nuredin Dumani, zgjodhi të bashkëpunojë me policinë, duke u bërë dëshmitar i shumë vrasjeve e krimeve të tjera, krahas me Erjon Alibej, i mbijetuari i vëllezërve Alibej. Përplasja mes këtyre dy grupeve la pas një dyzinë me të vdekur nga të dyja palët. Hetimet e SPAK me bazë komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar edhe dy raste të të akuzuarve si “kriminelë me kravatë”. Njëri prej tyre është Jurgis Çyrbja, deputet socialist nga Shijaku, i cili akuzohet se ka fshehur Altin Hajrin, – një të shumëkërkuar në lidhje me ngjarjen rrëqethëse të rrëmbimit dhe vrasjes së një qytetari të pafajshëm, “problemi” i vetëm i të cilit ishte se ishte i vëllai i një personi, të cilin bandat e Londrës dyshonin se i kishte vjedhur drogën. Dosja tregon gjithashtu se Hajri ka ndërhyrë te një politikan i paidentifikuar me qëllim që Çyrbja dhe një kandidat tjetër me emrin “Liri”, të jenë në pjesën e sigurt të listës së Partisë Socialiste për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun e Durrësit. Çyrbja dha dorëheqjen pak para se të arrestohej. Një tjetër dosje e krijuar nga SPAK ka të bëjë me ish-kryetarin e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i cili, pasi kaloi pa kurrfarë shqetësimi procesin e vetingut, u arrestua për bashkëpunim me krimin e organizuar me episodin e njohur gjerësisht si Toyota Auris. Rasti i Zarkës, për aq sa ka rrjedhur sakaq në media, ka të bëjë me ndërhyrje të shumëfishta në sistemin e drejtësisë për të sabotuar apo devijuar hetimet në lidhje me 3,4 milionë euro të kapura në vitin 2019 në Durrës, ku synimi final ishte rrëzimi i akuzës për pastrim parash, zëvendësimi i saj me akuzën e lehtë të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi dhe, në instancë finale, lirimin e shumës së sekustruar nga masa e sekuestros. Lufta kundër korrupsionit Alegoria e peshkut të madh duket se lindi nga një shprehje, vite më parë, e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili shpalli në nëntor 2017 se objektivi i reformës në drejtësi ishte që të merrej me peshqit e mëdhenj të politikës.
‘Kanë përdorur SKY ECC’, Klodiana Lala: SPAK ka kërkuar informacion në Francë për dy politikanë socialistë!
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një bilanc të punës së SPAK për vitin 2024. Lala përmendi rastet në goditjen e krimit të organizuar. Ajo deklaroi se SPAK ka kërkuar informacion për dy politikanë socialistë që dyshohet se kanë përdorur SKY ECC.
‘Prokuroria dhe SPAK kanë patur sukses në goditjen e krimit të organizuar. Siç janë Metamorfoza me grupin kriminal Bajri, Plarent Dervishaj te banda e Durrësit, Durim Bami i konsideruar si i forti i Niklës, Arben Ndoka ish-deputet socialist, organizata kriminale e Suel Çelës me lidhje të forta me të gjitha qelizat e qeverisë, Elton Reçi i një grupi kriminal në veri të vendit; grupi i Troplinëve në Shkozet; Aleksandër Laho ose i njohur si Rrumi i Shijakut; Çopja-Alibeaj në qytetin e Elbasanit, por që e kanë patur aktivitetin jashtë. Ke edhe goditjen e Jurgis Çyrbjas. Në të gjitha këto raste që unë ju përmenda direkt apo indirekt mund të përfliten politikanë. SPAK sa i përket SKY ECC ka mbajtur këtë qëndrim: deri tani ka dërguar për akuzë zyrtare ose ka firmosur masa sigurie për ata që kanë përdorur direkt aplikacionin dhe të dhënat e përftuara janë përputhur me të dhëna dhe prova të tjera. Është rasti Çyrbja, janë kërkuar kodet. Në dijeninë time, nuk mund të them emra për shkak të sekretit hetimor, kanë kërkuar të dhëna për dyshime, se të paktën dy politikanë mund ta kenë përdorur. Është kërkuar informacion në Francë përmes letër-porosive nëse janë ata, sepse duhet bërë identifikimi, janë socialistë.’- tha Lala.




















