VIDEO/ U arrestua për tritol ndaj biznesmenit, kush është i riu, miku i Emiljano Shullazit

442
Klajdi Gjeçi është vënë në pranga gjatë natës, pasi është i dyshuar për vënien e tritolit në makinën e një biznesmeni inertesh. Por i riu nga Tirana nuk është një emër i panjohur. Ai është i akuzuar për disa krime në kryeqytet, por përherë ka dalë triumfues ndaj drejtësisë.
Më së shumti ai ka bërë 4 muaj burg, për një plagosje të rëndë të ndodhur në vitin 2015.
Por Klajdi Gjeçi njihet edhe si një nga pjesëtarët e bandës së Emiljano Shullazit, i cili është në gjykim tek Krimet e Rënda.
Më poshtë janë disa prej ngjarjeve ku është i përfshirë Klajdi Gjeçi:
Klajdi Gjeçin i cili u mor peng në 23 dhjetor 2015 nga 3 persona dhe u lirua pas disa orësh nga patrulla “Shqiponja” e cila po ashtu arrestoi edhe dy autorë të dyshuar të pengmarrjes.
Por Gjeçi nga ana e tij, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ka qenë i proceduar penalisht për dy vepra penale “armëmbajtje pa leje” në vitin 2012 dhe “plagosje e rëndë” në vitin 2015. Por në të dyja këto raste Gjeçi është lënë i lirë nga gjykata.
Në dhjetor të vitit vitin 2012, Gjeçi u arrestua për armëmbajte pa leje, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij iu gjet dhe iu bllokua një armë zjarri pa leje pistoletë. Kontrolli u krye në bazë të dyshimeve të policisë, pasi Gjeçi hetohej se kishte gisht në vendosjen e eksplozivit në banesën e zv/drejtorit të policisë së Tiranës, më 8 dhjetor 2011.
Ai dyshohet se është i përfshirë, si pjesë e grupit të Shullazit. Kjo pasi Shullazi ishte ndaluar dhe proceduar disa herë nga policia gjatë asaj periudhe. Pavarësisht se në banesën e Gjeçit, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, Gjeçi u lirua.
Ndërkohë në datë 15 maj 2015 Gjeçi u akuzua për plagosje të rëndë të Enton Nushajt. Por edhe këtë herë Gjeçi u la i lirë pasi 4 muaj më vonë i dëmtuari tërhoqi padinë ndaj tij, duke deklaruar se mosmarrëveshjet mes tyre ishin sheshuar.
Edhe në këtë rast vendimi duket i çuditshëm, pasi rastet e plagosjes apo krimet ndaj jetës nuk ndiqen me heqje dorë por ndiqen kryesisht nga organet e hetimit dhe të procedimit penal.
Sigal