Tronditet Burreli, shpërthim me eksploziv para derës së shtëpisë së kreut të bashkisë Mat

746
Qyteti i Burrelit është tronditur mesnatën e kaluar nga një shpërthim i fuqishëm. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në lagjen “Drita” në katin e katërt të një pallati. Mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e shesh pushimit, 2 metra larg banesës së kryetarit të bashkisë Mat, Nezir Rizvani. Fatmirësisht në dy banesat që ndodheshin pranë eksplozivit nuk ka pasur njeri dhe nuk ka të lënduar. Dyert e dy banesave janë dëmtuar.
Zyrtarisht policia njofton se rreth orës 00.40, Policia e Komisariatit Mat, ka marrë njoftim se në lagjen “Drita”, Burrel, në shesh pushimin e brendshëm të një pallati është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ku nga verifikimet paraprake rezultoi se:
Në lagjen “Drita”, Burrel, në shesh pushimin e brendshëm në katin e katërt të një pallati pesë katësh, midis dy hyrjeve, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Lënda plasëse ishte vendosur në shesh pushim me një distancë 160 cm larg derës së banesës të shtetasit M.B, rreth 55 vjeç, dhe 2 metra larg derës së banesës të shtetasit N.R, 53 vjeç, Kryetar i Bashkisë Mat.
Në të dy banesat e shtetasve M.B., dhe N.R., nuk ka pasur asnjë njeri në banesë. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar pjesërisht dy dyert e banesave të shtetasve të lartpërmendur. Dyshohet se sasia e lëndës plasëse të ketë qenë rreth 50 deri në 100 gramë.
Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes, si dhe po punohet në mënyrë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.


Sigal