TIMS: Klement Balili nuk e ka kaluar kufirin

558
Prej çastit që dha dorëheqjen paraditen e së enjtes, Drejtori i Transporteve të Sarandës është zhdukur pa lënë asnjë shenjë. Ai është shpallur në kërkim nga policia greke, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, pas bllokimit të një sasie prej gati 700 kg droge më 8 maj, në brigjet e Zakinthos.
Ndonëse nuk konfirmohet se ndaj Klement Balilit pala jonë të ketë një urdhër ndalimi, një kontroll në shtëpinë e tij provoi largimin në drejtim të paditur të 44 vjeçarit. Një ditë më parë, efektivë të Komisariatit të Policisë në Sarandë, në bashkëpunim edhe me forcat e FNSH-së, të ardhura nga Tirana, kanë kryer kontroll në banesën e Klement Balilit, në fshatin Stjar, Bashkia Delvinë.
Burime konfidenciale thanë se fillimisht policia u ka kërkuar familjarëve nëse ndodhej në banesë Klement Balili, ndërkohë që ka vijuar më tej kontrolli i banesës. Burimet thanë që në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e Klement Balilit dhe dy fëmijët e tij. Njëri prej vëllezërve të 44-vjeçarit tregoi dje se paraditen e së enjtes, i vëllai është larguar drejt Tiranës dhe që prej atëherë, nuk kanë pasur më kontakte me të. 
Ndërkohë, edhe telefoni i Balilit gjatë ditës së djeshme rezultoi i fikur. Nga ana e familjarëve të tij, pyetjes se nëse drejtori i shkarkuar ishte larguar nga Shqipëria, iu përgjigjën se nuk kishin asnjë dijeni. Pas verifikimit në sistemin TIMS, nuk rezulton që ai të ketë lënë në rrugë zyrtare vendin. Që prej ditës së djeshme, në qytetin e Sarandës janë shtuar edhe dy furgonë me efektivë policie.
Sigal