Spiunoi operacionin, prokuroria e Kavajës kërkon ‘arrest me burg’ për policin

554
Me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Engrit H., inspektor policie në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në bazë të veprimeve proceduriale të kryera nga Prokuroria e Kavajës, në vijim të informacionit të dërguar nga Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA), ka rezultuar se:

Prokuroria e Kavajës ka pasur person nën hetim shtetasin Fation Lila, i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim, me pasoja të rënda. Ai dyshohej se, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë vjedhur tre automjete në një kompleks magazinash në Kavajë.

Ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, vendim i cili për disa kohë nuk u bë e mundur të ekzekutohej, pasi ai fshihej.

Gjatë kohës që ka qenë në kërkim, ai komunikonte shpesh me një punonjës policie, i cili më pas rezultoi se ishte shtetasi Engrit H. Ky i fundit e informonte të kërkuarin që në fazat e para të hetimit për vjedhjen, pra që në momentin kur ndaj tij nuk kishte dalë akoma masa e sigurimit.

Në komunikimet telefonike ndërmjet tyre, punonjësi i Policisë ishte i pari që e informoi se emri i Fation Lilës ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e automjeteve.

Gjithashtu, punonjësi i policisë e informoi që ndaj tij kishte dalë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Pas disa javësh, Policia e Kavajës arrestoi Fation Lilën dhe ndaj tij tashmë ka nisur procesi gjyqësor pranë Gjykatës së Kavajaës. Ndërkohë, Prokuroria vijoi hetimet për personin që e informonte Lilës gjatë kohës që ai ishte në arrati. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se ai ishte shtetasi Engrit H., I cili ishte punonjës policie pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Në këto kushte, Prokuroria e Kavajës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Engrit H, e cila u pranua nga gjykata dhe u zbatua nga ana e SHÇBA-së.
Sigal