22-vjeçarja ra nga dritarja e hotelit pas sherrit me 39-vjeçarin, reagon policia

17
Sigal

Policia e Durrësit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pak më parë në lagjen nr.2, ku një vajzë u raportua se u hodh nga dritarja e hotelit.

Sipas asaj që njofton policia, e reja nga Venezuela është konfliktuar fizikisht me një 39-vjeçar nga Shijaku, por ende nuk dihet motivi. Ata janë dëmtuar lehtë të dy por mbetet e paqartë nëse 22-vjeçarja u hodh vetë apo e shtyu 39-vjeçari.

“Rreth orës 14:40, në rrugë, në lagjen nr. 2, dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht shtetasi I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak dhe shtetasja nga Venezuela, D. L., 22 vjeçe. Si pasojë janë dëmtuar lehtë të dy të përfshirët në konflikt, të cilët po marrin asistencë mjekësore në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të konfliktit”-njofton policia e Durrësit.

22-vjeçarja ka rënë mbi tendën e një lokali dhe pasi ka marrë informacion për situatën, policia ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës të Durrësit, që ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur zbritjen e vajzës nga tenda. Gjendja e saj fizike ka qenë e mirë, por jo ajo psikologjike. Autoambulanca që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes e ka dërguar në spital për një kontroll mjekësor.