Stërvitja e “Ushtari Eagle 17”, Meta: Bashkëpunimi i shkëlqyer me FA-në e Britanisë

397
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vizitoi Bazën Ushtarake Detare të “Kepit të Palit” në kuadër të “Ditës së Vizitorëve të Shquar”, ku ndoqi dhe u njoh nga afër me stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Ushtari Eagle 17”.
Gjatë kësaj veprimtarie stërvitore ku ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman MBE, Shefi i Shtabit të Britanisë së Madhe, Chief Marshall Sir Stuart Peach, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, etj. të pranishmit u prezantuan dhe u njohën me programin e stërvitjes duke ndjekur demonstrimin në terren të operacionit ushtarak shqiptaro-britanik si aleatë në kuadër të NATO-s. Në prononcimin e tij për mediat e pranishme, Presidenti i Republikës u shpreh: “Ishte një kënaqësi e veçantë për të marrë pjesë në këtë stërvitje të përbashkët ‘Ushtari Eagle 17’. Akoma më kënaqësi është që në këtë vizitë, përveç trupave britanike, merr pjesë edhe Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Chief Marshall Peach. Dua të theksojë kënaqësinë tonë për këtë bashkëpunim të shkëlqyer midis Forcave tona të Armatosura dhe Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, pasi Britania e Madhe ka një rol të jashtëzakonshëm në aleancën ku ne bëjmë pjesë, në NATO.
Roli i Britanisë së Madhe ka qenë historikisht mjaft i rëndësishëm dhe padyshim që angazhimi i saj edhe për të ardhmen është i rëndësishëm për sigurinë e Evropës, të gjithë hapësirës atlantike, por edhe për të përballuar gjithë së bashku me sukses sfidat globale.
Aleanca jonë me Britaninë e madhe është e hershme. Të mos harrojmë që në Luftën e Dytë Botërore, 53 ushtarë dhe oficer britanik dhanë jetën duke luftuar për lirinë e popullit shqiptar, por edhe për lirinë e Evropës nga nazi-fashizmi. Dhe natyrisht që kjo aleancë është ripërtërirë sot në kuadër të aleancës më të madhe të lirisë dhe paqes në botë që është e NATO-s. Falënderojmë Britaninë e Madhe për këto eksperienca të shkëlqyera që sjell, për mbështetjen që ka dhënë deri tani, por që sigurisht jam i bindur që do të japi edhe në të ardhmen për modernizimin e Forcave tona të Armatosura dhe për rritjen e kapacitete të forcave tona të armatosura.”
Sigal