Rreth 400 kg kokainë të kapur në Kosovë, ngarkesa u nis nga Brazili, kaloi përmes Portit të Durrësit

267
Sigal

Rreth 400 kg kokainë u sekuestruan sot nga policia në Kosovë, në një operacion disa javor të nisur nga DEA amerikane, policia italiane, e cila ka njoftuar SPAK dhe më pas janë vënë në dijeni edhe autoritetet policore kosovare.

Konteineri me kokainë u nis nga Brazili, ndaloi në Gioia Tauro në Itali dhe më pas ndaloi në Durrës. Nga Durrësi kamioni, i cili monitorohej përmes GPS, ka udhëtuar drejt Kosovës, atje ku autoritetet policore bënë sekuestrimin, ndërsa lënda narkotike, ishte në rreth 20 pako, që përdoren si ambalazh për pulat.

Nga raportimet mësohet se vlera e kokainës së kapur është rreth 8 milion euro. Ngarkesa ka qëndruar për rreth dy javë në Portin e Durrësit dhe më pas është lejuar kalimi i saj, gjithmonë duke e monitoruar me GPS.

Raportohet se policia ka ndaluar 2 persona, që janë marrë në pyetje lidhur me sasinë e narkotikëve.

Bazuar në të dhënat e raportuara, lënda narkotike është konstatuar nga autoritetet në kontenierin, në portin e Durrësit, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.

Pasi kanë kryer procedurat, kamioni është nisur në udhëtim, duke kaluar nga territori shqiptar në atë të Kosovës, atje ku edhe është sekuestruar lënda narkotike.

Droga është sekuestruar në Lipjan dhe fillimisht u raportua për një ngarkesë prej 2.2 ton, por më pas autoritetet policore kosovare bënë të ditur për një sasi rreth 400 kg.

Shoferi i kamionit ka thënë se nuk ka pasur dijeni që në ngarkesën që transportonte të kishte drogë. Nga të dhënat e fundit që raportohen nga Kosova, autoritetet atje, kanë nisur peshimin e lëndës narkotike, për të saktësuar se sa kilogram janë sekuestruar, ndërkohë që shifrat e raportuara flasin për një nga sasitë më të mëdha të kokainës që trafikohej përmes portit të Durrësit, me kontenierë që vijnë nga vendet e Amerikës Latine.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelca, në një reagim u shpreh se gjatë një aksioni të koordinur me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë.

“Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre.

Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.

Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, shprehet Svelca.