Nën efektin e drogës & pa patentë, policia arreston 19-vjeçarin që rrezikoi nxënësit pranë një shkolle në Tiranë

13
Sigal

Një 19-vjeçar u vu në prangat e policisë këtë të enjte në Tiranë, pasi po kryente manovra të rrezikshme me makinë pranë shkollës së mesme “Feti Vogli”. I riu jo vetëm që nuk kishte patentë, por rezultoi se ishte edhe nën efektin e drogës.

“Ditën e sotme me datë 11.04.2024, Oficerja e Sigurisë dhe Drejtoresha e Shkollës së mesme “Feti Vogli”, Tiranë, kanë njoftuar se një nxënës i vitit të tretë në shkollën e tyre, shtetasi L.L 19 vjeç, ka qenë duke kryer manovra të rrezikshme me automjet në afërsi të shkollës, duke rrezikuar edhe nxënësit e tjerë. Pas verifikimeve të kryera me drogëtestues, ky shtetas rezultoi nën efektin e lëndëve droguese “Cocaine”, si dhe i pa paisur me leje drejtimi. Sa më sipër, u bë menjëherë kapja në flagrancë dhe arrestim i drejtuesit të automjetit si i dyshuar për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, tha Policia Rrugore në një njoftim për mediat.

Kjo e fundit thekson se është angazhuar në terren për rritjen e sigurisë rrugore në lidhje me sjelljen e fëmijëve në rrugë, si këshillues, si mbështetje dhe si imazh, të cilit i besohet mbarëvajtja dhe garantimi i rendit dhe sigurisë në shkolla.