Protesta për Martinin/ Mesazhi i familjarëve: Një akt i trishtë dhe i pashpirt të mori nga ne, mos harrojmë të duam, falim dhe mbrojmë njëri-tjetrin

Prindër dhe qytetarë janë mbledhur sërish këtë të martë për të protestuar për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani, pas një përplasjeje me bashkëmoshatarë të tij. Ata janë mbledhur para shkollës ‘Fan Noli’ fillimisht e ku më pas kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, ku edhe më herët kanë protestuar duke kërkuar dorëheqje të zyrtarëve të arsimit.

Pjesë e protestës kanë qenë dhe prindërit e Martin Canit, 14-vjecarit që humbi jetën, ku shprehën dhe dhimbjen e madhe që i ka kapluar nga kjo tragjedi.

Sigal

‘Një akt i trishtë dhe i pashpirt na mori ty nga kjo botë, por ne e dimë se tani je lart, mes engjëjve, duke na mbrojtur.’– janë shprehur familjarët e tij

Ata dhanë ditën e sotme edhe një mesazh të fortë duke na kujtuar sa shumë duhet të dashurojmë, falim dhe të mbrojmë njëri-tjetrin.

Fjalimi;

Martini ynë shtrenjtë ✨

Sot dhimbja është e pafund, zemrat tona janë të copëtuara nga humbja jote e padrejtë dhe e pakuptueshme. Ti ishe një dritë e pastër, një fëmijë plot ëndrra dhe dashuri, i cili preku zemrat tona me qetësinë dhe gëzimin tënd të brendshëm.

Një akt i trishtë dhe i pashpirt na mori ty nga kjo botë, por ne e dimë se tani je lart, mes engjëjve, duke na mbrojtur. Tani je një yll që shkëlqen në qiell, një ëngjëll që na sheh me buzëqeshjen tënde të ëmbël, duke na dhënë forcë dhe ngushëllim në këtë kohë të vështirë.

Nuk është e lehtë ta pranojmë këtë dhimbje, por kujtimi yt do të mbetet i gjallë përgjithmonë. Çdo herë që shohim qiellin, do të të ndjejmë pranë, duke na kujtuar të dashurojmë më shumë, të falim dhe të mbrojmë njëri-tjetrin.

Martinin, pusho në paqe, engjëlli ynë i vogël. Të duam pafund dhe do të të mbajmë gjithmonë në zemrat tona. Kujtimi yt do të jetë gjithmonë një dritë që na udhëheq.

Përgjithmonë i yni 🙌🙏
Familja dhe të gjithë ata që të deshën pa masë. ❤️