Policia sekuestron 23 900 euro në Kakavijë, në pranga dy shtetas

94
Sigal

Policia Kufitare gjatë ditës së sotme ka sekuestruar 23 900 euro dhe ka vendosur të procedojë penalisht dy shtetas në akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi. Ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare të Kakavijës, dhe sipas raportimit janë proceduar penalisht shtetasit P. M., 53 vjeçe, banuese në Memaliaj dhe D. B., 45 vjeç, resident në Greqi.

Njoftim i Policisë:

“Kakavijë

Goditen brenda pak orëve, 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 23 900 euro, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas që nuk i deklaruan në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

Bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantën e shtetases P. M., gjetën 11 850 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kjo shtetase nuk e kishte deklaruar këtë shumë parash, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Gjithashtu, në dalje të RSH-së, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit D. B., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 050 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. M., 53 vjeçe, banuese në Memaliaj dhe D. B., 45 vjeç, rezident në Greqi, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”