Policia e Shtetit humbet betejën në luftën kundër krimit

591
Sigal

Sukth/ Vrasje makabër e komisarit të Policisë, Adem Tahiri, qytetarët nën terror

Në orën 18:00 të pasdites një breshëri plumbash, është drejtuar ndaj makinës së Policisë së Shtetit, në të cilën gjendej shefi i komisariatit me gradë Kryekomisar, nga një automjet tjetër, ndërsa, dëshmitarë të ngjarjes kanë qenë banorët e fshatit Katund Sukth, të cilët panë makinën e policisë të shpuar nga breshëria e kallashnikovit dhe shefin e tyre të pajetë brenda në makinë. E para, e cila ka parë edhe ngjarjen ka qenë Lena Ndoji, e cila ka hapur portën dhe është përballur me breshërinë e plumbave që shkëmbenin dy makinat, ajo e policisë dhe automjeti privat në të cilin gjendeshin disa persona. Shefi i komisariatit është qëlluar për vdekje me 7 plumba, pasi kishte shkuar në mision për kapjen e një personi, i cili posedonte armë pa leje. Forca të shumta të policisë, kanë mbërritur në vendngjarje duke shoqëruar me dhjetëra persona midis tyre edhe dy të rinj, të dyshuar si autorë të vrasjes. Policia nuk ka bërë të ditur detaje se cili ka qenë lloji i operacionit të drejtuar nga Kryekomisari, i cili sipas të dhënave ka qenë i shoqëruar edhe nga kolegë të tjerë të tij, në një tjetër mjet. Mësohet se para ngjarjes ku u ekzekutua Kryekomisari, është përballur me tone të ashpra me personat e përfshirë në ngjarje. Policia ka shpallur në kërkim shtetasit Ilir Xhakja, 38 vjeç, një person me precedentë penal, i dënuar 25 vjet burg  dhe i larguar nga qelitë e  burgut si dhe A.Xhakja, të dyshuar si autorë të vrasjes. Ndërkaq, forcat RENEA pas krehjes që i bënë të gjithë zonës, kanë dërguar në policinë e Durrësit dhjetëra banorë në cilësinë e dëshmitarit, midis tyre edhe dy të dyshuar si autorë të ngjarjes makabre. Prej një viti Adem Tahiraj ushtronte detyrën si Kryekomisar i policisë së Shijakut, ndërsa në forcat e policisë kishte 17 vjet që punonte. Tahiraj, 49 vjeç ishte babai i dy fëmijëve, ish- komandant i Njësisë Speciale të repartit GOS, dhe njihte shumë mirë operacionet në terren.  Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një kalimtare e rastit. Mësohet se e plagosura, Elena Ndokaj, 64 vjeç, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, prej ku mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Pak minuta pas ngjarjes policia ka gjetur një makinë të braktisur, tip ‘Benz’ VG 140 HG, pranë vendit, ku ndodhi vrasja, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes. Policia ka shpallur në kërkim shtetasit Ilir Xhakja, 38 vjeç, një person me precedentë penal, i dënuar 25 vjet burg dhe A.Xhakja, të dyshuar si autorë të vrasjes.

Policia

Mbrëmë, rreth orës  18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën. Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Paralelisht, grupi i ekspertëve të hetimit ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj”,- bëri të ditur Policia e Shtetit. Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 1 shtator 1963, lindur në Kërrnajë, Tropojë, e banues në Tiranë, i martuar, me arsim të lartë. Ka një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, në radhët e të cilës ka punuar prej mbi 20 vite.  Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe Gradën Kryekomisar.

Autorët e vrasjes të Kryekomisarit Adem Tahiraj,  sipas policisë

Ilir dhe Arben Xhakja dhe Ledio Krasniqi identifikohen nga Policia e Shtetit si autorë të dyshuar të vrasjes së Adem Tahir (Tahiraj), shefi i Komisariatit të Shijakut, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Sukthit në Durrës. Ata po kërkohen nga policia dhe pritet arrestimi i tyre. Burime nga Policia e Shtetit i thonë se, Ilir Xhakja, 38 vjeç, i dënuar më parë me 25 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes, ishte liruar nga qelitë para pak kohësh. Xhakja ishte arrestuar bujshëm në një operacion me RENEA, në plazhin e Durrësit dhe pikërisht në derdhjen e lumit Erzen, më 5 korrik 2007, pasi kërkohej për vrasjen e Rudin Shahinit nga Katundi Sukth. Këtë te fundit ai dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë mbas daljes se këtij nga burgu pasi ai kishte vrare xhaxhanë e tij, Hamdiun. Ilir Xhakja njihet si personazhi që padyshim ka bërë jehonë me futjet dhe daljet e tij nga burgu në periudhën 1993-2003, dhe vetëm në korrik të pesë viteve më parë është kapur nga policia. I njohur si kapobanda i Shijakut, kur u arrestua kishte qenë i armatosur, por nuk ka bërë rezistencë ndaj rrethimit të specialeve nga Tirana. Në fundvitin e 2007 në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ku u zhvillua analiza e punës vjetore të kësaj drejtorie, Drejtori i atëhershëm i Policisë Qarkut, N/Komisar Sokol Harapi, përmendi dhe faktin se, “grupi i kryesuar nga Ilir Xhakja, u ndalua për veprat penale të vrasjes dhe kryerje të krimeve nga bandat e armatosura e organizatat kriminale”.