Krimi nuk ndalet, rendi publik, në rrezik

598
Sigal

Ngjarja e dhimbshme e djeshme, ku persona me precedentë penale qarkullojnë të lirë, dëshmon që krimi në Shqipëri nuk ndalet dhe rendi publik është në rrezik. I dyshuari për vrasjen e kryekomisarit të policisë së Shijakut, sipas pohime të vetë policisë, është një i dënuar 25 vjet me burg, i cili, ndodhet aktualisht i lirë. Përse një i dënuar me 25 vjet burg është i lirë? Cilado qoftë arsyeja, kjo dëshmon që shteti me mekanizmat e vet, me policinë, prokurorinë, me gjykatën nuk mund të sigurojnë dot rendin publik nga njerëz të implikuar të krimit. Kjo, edhe për arsye se shumë punonjës të policisë, të gjykatave, të prokurorive, direkt apo indirekt kanë lidhje me botën e krimit. Kurrsesi nuk mund të jetë përgjegjës vetëm paaftësia profesionale. Gjendja është mjaft kritike, për arsye se përballë rritjes së krimit, askush nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, të organeve të prokurorisë e gjyqësorit nuk mban përgjegjësi, nuk mundohet askush që të nxjerrë përgjegjësitë dhe të japë përgjegjësi. Ngjarja e djeshme në Katund-Sukth, ku në një kontroll të rëndomtë automjeti, vritet me breshëri automatiku, është dëshmia më e pakundërshtueshme, që  njerëzit e botës së krimit lëvizin të pashqetësuar midis nesh, sepse e dinë, që policia është e paaftë profesionalisht, policia është e dorëzuar te bota e krimit dhe se rendin publik e kontrollon dhe e manipulojnë njerëzit që kanë lidhje me krimin. Do të ishte një naivitet moral, shoqëror po të pranonim se njerëzit e krimit kanë kaq kurajo, sa të qarkullojnë të lirë, me gjithë arsenalin e tyre ushtarak, në bagazhet e makinave, thua se mbartin thesin me miell, pa asnjë ndihmesë të njerëzve që punojnë në strukturat shtetërore të policisë, prokurorisë, gjykatave. Korrupsioni ka paralizuar shtetin, drejtësinë.  Para ca ditësh, 50 metra larg Presidencës, dy kriminelë grabitën te porta e shtëpisë kambistin dhe akoma nuk është bërë e mundur kapja e kriminelëve. Vritet te dyqani i vet 52- vjeçari në Yzberisht dhe policia nuk mund të gjejë kriminelin, edhe pse ka video. Kriminelët, ditën, në rrugët më të populluara të Tiranës grabitin nga qafa dhe nga veshët e grave varëset dhe në qoftë se do të kundërshtojë ndokush, kriminelët edhe të vrasin. Në mes të Tiranës, makinat bien në Lanë, ose përfundojnë brenda në lokale, sepse policia është e paaftë që të kultivojë ndjenjën e rendit dhe qetësinë publike. Është ironi, që, ndërsa krimi po sundon kudo, në polici ka eufori dhe vetëlavdërime dhe nuk ka asnjë rast të shkarkimit të asnjë funksionari, nuk kemi asnjë rast të dorëheqjes, qoftë për pranim të përgjegjësive morale dhe shtetërore, qoftë edhe për të pranuar paaftësinë profesionale. Dhe më e keqja, siç ndodh rëndom të kësi fatkeqësisht, politikanët janë të parët që nxitojnë të japin deklarata, për të shfrytëzuar momentin për një kredibilitet politik.