PS: Do t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese pavlefshmërinë e ligjit!

457
Sigal

Parlamenti miraton aktin normativ të qeverisë, i cili do të nxjerrë nga shtëpia 3.600 familje

Dje në Parlament, u zhvillua në tone shumë të ashpër debati i  diskutimit të aktit normativ “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish- pronë të subjekteve të shpronësuara”. Deputeti i PS-së, Tahiri e cilësoi këtë akt normativ si: “Nga ky ligj përfitojnë Nishani. ministra dhe deputetë të PD-së”. Ndërsa si replikë, mori përgjigjen e Topallit: “Partia Socialiste urren pronarët”. Ky Akt Normativ i qeverisë, u miratua me 67 vota, ndërsa abstenuan 4 deputetë. Duhet thënë se është hera e tretë që qeveria përpiqet që ta kalojë këtë  Akt Normativ. Hera e parë është në vitin 2005, e cila, pas ankimimit të bërë nga banorët që banojnë në këto banesa të ish-pronarëve, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Hera e dytë ishte në 2007-n, ku përsëri, pas ankimimit, u hodh sërish poshtë nga Gjykata Kushtetuese, duke rrëzuar pikërisht, rrugëzgjidhjet që propozoi qeveria. Konflikti social nuk është midis banorëve që jetojnë deri tani në këto banesa me pronarët e tyre, por kërkojnë zgjidhje të strehimit të tyre. Propozimet e qeverisë, sikurse marrja e kreditit nga bankat, me interes zero për një ndërkohë shumë të gjatë, është kundërshtuar nga familjarët, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë anën ekonomike. Një e metë e këtij Akti Normativ, që rrit edhe më shumë konfliktin social, është se ish-pronarët që kanë të drejtë të marrin pronën e tyre, banesën, deri tani edhe ata jetojnë në shtëpitë që kanë marrë falas nga shteti dhe që i kanë privatizuar. Duhet që shteti të shoqërojë këtë Akt Normativ, të rikthimit të banesave, njëkohësisht, me dhënien e lirimin e banesave në të cilat ish-pronarët banojnë deri tani. Ajo nuk është pronë e tyre, por pronë që u është dhënë falas nga shteti, sikurse shteti u dha falas banorëve ish-shtëpitë e pronarëve. Pra, për të vendosur drejtësinë sociale, duhet të bëhet këmbimi i banesave, falas, midis ish-pronarëve dhe familjeve që banojnë në to. Me këtë Akt Normativ, qeveria u jep shtëpinë ish-pronarëve, kur u ka falur më parë edhe një banesë, ndërkohë, familjet që banojnë deri tani në ish-shtëpitë e pronarëve, do të humbasin gjithçka. Kjo është padrejtësia dhe konflikti social, që artificialisht krijohet në aktin normativ të qeverisë. PS-ja, sipas deputetit Tahiri, do ta çojë për herë të tretë në Gjykatën Kushtetuese këtë akt normativ, për të mbrojtur familjet, ose që qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e strehimit të 3.600 familjeve që banojnë në këto shtëpi të pronarëve.