Policia bën “tym” 53 mijë litra karburant, për t’u vënë zjarrin “mullarëve” të hashashit

396
Arjan ZADRIMA
Vetëm 1 muaj më parë, konkretisht në datën 27 korrik 2016, prej drejtuesve të Ministrisë së Brendshme u zhvillua një “Mësim shembullor”, ku u aplikua një model i ri pune për të ndaluar vjedhjen e karburantit prej shërbimeve policore, duke prezantuar projektin e furnizimit me karburante me “Kartë elektronike” të makinave të zyrtarëve të policisë dhe të makinave të grupeve të shërbimeve policore në terren. Mirëpo, rezulton se ky “rregull” transparence e bllokazhi për abuzimin me karburantet prej shërbimeve policore, nuk po zbatohet këto ditë, kur benzina dhe nafta po derdhen lumë nëpër fusha, lugina, përrenj, kodra e faqe mali në aksionet e policisë kundër hashashit. Sipas informacionit të ardhur ën redaksi, thuhet se përveç sëpatave, kosoreve e draprinjëve me të cilët policët po korrin hashashin, prej tyre po përdoren edhe lëndë djegëse për asgjësimin fizik të bimëve, me qëllim për t’i kthyer në hi. Siç dihet, prej disa ditësh policia ka zbritur në të gjithë zonat e Shqipërisë për të asgjësuar hashashin e mbjellë. 

Sasia e madhe që është mbjellë, përveç forcave dhe pajisjeve luftarake e të mekanikës bujqësore, kërkon edhe sasi të mëdha lëndësh djegëse, për të realizuar me sukses këtë aksion kombëtar. Siç duket nga kronikat që transmetohen nëpër televizione, Policia e Shtetit i ka marrë masat edhe për këtë “armë” të luftës kundër hashashit. Me një urdhër special, Ministria e Brendshme ka shkelur rregullin e furnizimit me karburante me “Kartë elektronike”, duke përdorur furnizimin pa kartë elektronike por “me shënim” në 2 firma karburantesh, tek të cilat i mbushin policisë fuçitë me naftë e benzinë me “listë”, për të bërë likuidimet pasi “të kaloj halli”. Sipas informacionit, policia e shtetit ka caktuar 53 mijë litra karburante për të djegur hashashin e kapur e të korrur nëpër zona. Kjo vlerë i shtohet kostos së shërbimeve policore jo prej buxheti të shtetit, por duke “kalkuluar” buxhetin e miratuar që ka kjo ministri, pra duke hequr nga një “lugë” nga çdo “tenxhere” shpenzimesh të shërbimeve të tjera. natyrisht që është një kosto e lartë, që nuk dihet se fondet e cilit shërbim do të “hajë”, por burime nga sindikata e policisë thoin se kjo kosto e karburanteve që po përdoret për t’i vënë zjarrin “mullarëve” të hashashit, do të spostoj shlyerjen e pagesave të orëve të natës dhe të pagesave për shërbime speciale që bëjnë policët!
Sigal