Naftë, vaj dhe raki kontrabandë, arrestohen dy persona në Tepelenë

32
Sigal

Policia e Tepelenës ka sekuestruar 1000 litra naftë, 3 800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki), të dyshuara si të kontrabanduara.

Policia thotë se gjatë operacionit “Akciza” janë arrestuar dhe 2 persona (pronari i magazinës ku u sekuestruan këto lëndë, si dhe drejtuesi i kamionit në të cilin ndodhej nafta).

Njoftim i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, si rezultat i një pune hetimore të kryer bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Akciza”.

Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në magazinën e shtetasit A. Z., ku u konstatua kamioni i shtetasit P. Q., i mbushur me një sasi nafte, një depozitë me rreth 1000 litra naftë, pajisje për peshimin dhe shkarkimin e naftës, 3 800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki), të dyshuara të kontrabanduara.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë (pronari i magazinës), dhe P. Q., 58 vjeç, banues në fshatin Qesarat (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme,” thuhet në njoftim.