Ministria e Arsimit pezullon mësuesen për dhunë ndaj nxënësve

359
Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra mësuesen e gjuhë-letërsisë Nevila Duraj, në bashkinë e Vaut të Dejës, menjëherë pas një videoje të transmetuar në media dhe në rrjete sociale, në të cilën ajo shfaqej duke ushtruar dhunë fizike mbi një nxënës gjatë orës së mësimit. MAS bën me dije, se pas marrjes së këtij informacioni, Ministria e Arsimit nëpërmjet Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër nisi grupin e inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video.
“Pas verifikimit, rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike është Nevila Duraj, mësuese prej 18 vitesh në profilin gjuhë-letërsi. Ngjarja ka ndodhur rreth një viti më parë, gjatë orës së gjuhës në klasën e VII-të të shkollës 9-vjeçare “Gjon Doci” në Bashkinë e Vaut të Dejës. Në këto kushte, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër në bashkëpunim me shkollën kanë mbledhur menjëherë Komisionin e Disiplinës për marrjen e masës së pezullimit nga detyra të mësueses Duraj, si edhe për të analizuar shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarjeje”, nënvizon në njoftimin zyrtar MAS.
Në këtë kuadër, ministria e Arsimit sqaron se një nga prioritetet e saj është garantimi i formimit të një personaliteti të shëndoshë të fëmijëve shqiptar në institucionet arsimore parauniversitare për vitin e ri shkollor 2015-2016, si dhe zhvillimi i një fushate kombëtare për parandalimin e dhunës në shkolla. Ky plan veprimi është hartuar paraprakisht me ministritë e linjës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile, si edhe i është përcjellë të gjitha shkollave të vendit për t’u kthyer në plan kombëtar veprimi “Stop Dhunës në Shkollë”.
Gjithashtu, MAS dënon ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit dhe fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune, i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.
Sigal