Lazarat, arrestohet i shumëkërkuari, i dënuar me 22 vite burg për rrëmbim personi

456
Policia e Gjirokastrës ka arritur të vërë në pranga sot një 28-vjeccar të shumëkërkuar, të akuzuar për një sërë veprash penale të rënda dhe i dënuar me 22 vite burg. Zyrtarisht bëhet e ditur se në orët e pasdites së ditës së sotme, pas një operacioni të mirëorganizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme e Drejtorisë së Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë kapja e shtetasit në kërkim Alfons Buzheri, banues në fshatin Lazarat.
Buzheri është dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale “Rrëmbim personi kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim të torturës”.
Gjithashtu ky person ishte i shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar Masën e sigurisë në mungesë, “Arrest me burg” për “Vrasje të punonjësit të policisë e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.
Po ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ka caktuar Masë sigurisë në mungesë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhim e shitje të narkotikeve” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndaj tij u bë ekzekutimi i vendimeve penale për t’ju vënë në dispozicion të drejtësisë.
Sigal