Kur do të kemi Polici të Shtetit për qytetarët dhe jo për shtetarët?

233

Jakup B. GJOÇA

Shqipëria mbyt Italinë me drogë, krimi dhunon biznesmenin në qendër të qytetit, policia ka ikur në drejtim të paditur

Kohët e fundit, kanë munguar “aksionet” policore kundër krimit, edhe pse kanë ndodhur ngjarje shumë të renda kriminale. Dje, konkretisht, në grykëderdhjen e lumit Vjosë në Vlorë është kapur një mjet lundrues, i cili ngarkuar me më shumë se 1,2 ton drogë, e cila ishte nisur të transportohej drejt Italisë, ndërkohë, që sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, trafikantët ikën në drejtim të paditur nga Policia. Siç ndodh gjithmonë, në rastet, kur Policia e Shtetit “arreston” taksitë” e drogës, trafikantët i ikin policisë në drejtim të paditur. Mirë, trafikantët i ikën policisë në drejtim të paditur, po a mundet dot Policia e Shtetit, të japë llogari, si mundën trafikantët të transportojnë 1,2 ton drogë, nga “magazinat, deri në “port’? Nga cilat rrugë kaluan trafikantët? Po postblloqet e policisë, si ka mundësi që nuk gjetën asnjë ngarkesë në makina? Apo postblloqet e policisë janë vetëm për t vënë gjoba ndaj qytetarëve?… Çuditërisht, për habinë e policisë së Shtetit u gjend 1,2 ton drogë, në një kohë që Policia e Shtetit predikon se vitin që shkoi nuk është kultivuar drogë asnjë rrënjë. Dihet që ajo vendndodhje në bregdet është “porti” i nisjes së “taksive” të drogës, mirëpo, përherë “taksitë” e drogës nuk mundet dot që të diktohen, të kapen nga Policia e Shtetit. Paaftësi profesionale e Policisë apo bashkëpunim i Policisë së Shtetit? Kur policia arrin “suksesin” që kap një skaf me 1,2 ton drogë, sa skafe të tilla i kanë shpëtuar vigjilencës së Policisë së Shtetit dhe kanë mbërritur në brigjet e Italisë? Kur, ndërkohë, raportet e Policisë Italiane të Antimafies për çdo vit raportojnë se Italia mbytet nga droga që vjen nga Shqipëria. Përse drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit mbajnë akoma gradat dhe ofiqet, kur nuk janë të zotët të zbulojnë dot skafet e ngarkuara me tonelata droge? Apo akoma ka drejtues policie që bashkëpunojnë me trafikantët e drogës?

Kriminelët terrorizojnë qytetarët në mes të qytetit, në mes të ditës

Dje në mbrëmje, në qytetin e Memaliaj, një një kambist është qëlluar me qytën e pistoletës në kokë nga një person ende i pa identifikuar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të qendrës së qytetit të Memaliajt, ndërsa i plagosuri është shtetasi Mustafa Mustafai 70 vjeç. Burime bëjnë me dije se pasi është sulmuar kambisti, dy personat e maskuar kanë qëlluar edhe bashkëshorten e këtij të fundit, Thëllëza Mustafai, 67 vjeçe, e cila ka qenë duke mbyllur derën e biznesit. Policia e Shtetit ishte zhdukur në drejtim të paditur, prandaj edhe kriminelët terrorizojnë “qetësisht” qytetarët, biznesmenët në mes të qytetit, në mes të ditës, sepse e dinë, që policia e Shtetit është e paaftë, që të garantojë qetësinë publike për qytetarët. Kriminelët në mes të ditës, në qendër të qytetit ekzekutojnë kundërshtarët dhe policia e Shtetit, pas çdo krimi të ndodhur, bën vetëm inventarizimin e gëzhojave që mund të gjejë në vendin e krimit.