Kultivonin bimë narkotike në fshatin Borizanë, arrestohen dy kushërinjtë

1
Sigal

Policia e Krujës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, duke asgjësuar 212 fidanë të dyshuar kanabis në fshatin Borizanë.

Në pranga ranë Fabian Farruku 25 vjeç, dhe Klajdi Farruku 21 vjeç, të cilët janë kushërinj dhe banues në fshatin Borizanë. Ata u kapën në vendin e kultivimit të fidanëve narkotikë dhe tani po përballen me akuza për kultivim të bimëve narkotike.

Policia ka sekuestruar një sasi të vogël kanabisi, një aparat celular dhe automjeti që ata përdornin për të shkuar në vendin e mbjelljes së fidanëve narkotikë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit operacional të koduar “Koordinata”, kanë intensifikuar kontrollet në territore të hapura të rrethit të Krujës, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Borizanë, Krujë, u gjetën të kultivuar 212 fidanë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, u kapën në flagrancë shtetasit F. F., 25 vjeç dhe K. F., 21 vjeç(kushërinj), banues në Borizanë, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e vogël e fidanëve narkotikë, një sasi e vogël kanabisi, 1 aparat celular dhe automjeti që këta shtetas përdornin për të shkuar në vendin ku kishin kultivuar fidanët narkotikë.

Kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e rrethit Krujë.”- njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.