Krimi dhe aksidentet gjunjëzojnë Tahirin

321
Sigal

 Banorët: Jemi të pasigurt, viktima si në luftë. Ministri Tahiri të japë dorëheqjen!

Dy të vdekur e tre të plagosur në gjendje kritike për jetën janë shënuar mbrëmjen e djeshme në dy aksidente automobilistike, njëri në qytetin e Korçës dhe tjetri në Fushë-Krujë. Aksidentet, sipas konfirmimeve zyrtare, kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë. Një 18-vjeçar, drejtues automjeti ka aksidentuar me vdekje dy kalimtare në Korçë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes (arrestuar më vonë), ndërsa në aksidentin e ndodhur në Fushë-Krujë kanë mbetur të plagosur dy persona dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën. Nisur nga numri në rritje e me pasoja i aksidenteve automobilistike, i krahasueshëm me një bilanc lufte, qytetarët ndjehen të pa sigurt dhe kërkojnë dorëheqjen e drejtuesve të qarkullimit rrugor dhe të ministrit Saimir Tahiri.

AKSIDENTI NË KORÇË

Dy gra të moshuara kanë humbur jetën mbrëmjen e djeshme në periferi të Korçës, pasi janë përplasur nga një automjet. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se, ngjarja ka ndodhur në Lagjen nr.10 të qytetit, kur dy gratë ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Mësohet se makina tip “Benz” me targë AA084GM i ka përplasur për vdekje kalimtaret dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka identifikuar drejtuesin e mjetit dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij pak minuta pas aksidentit. Drejtuesi 18-vjeçar, Marjo Pajo u arrestua në lagjen nr.17 të Korçës. “Nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Marjo Gjergji Pajo, 18 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë në lagjen numër 17, të qytetit pasi dyshohet se rreth orës 19:45, në lagjen 10 Korçë, me automjetin tip “Benz” me targë AA 084 GM, në pronësi të tij, ka aksidentuar me pasojë vdekjen dy shtetase kalimtare”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës. Mësohet, gjithashtu se, menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, pa ndaluar të shikojë pasojat e tragjedisë. “E kemi jetën të pasigurt në rrugë. Në mes të qytetit, në rrugë e rrugica, të rinj, deri dhe fëmijë me automjete, bëjnë gara shpejtësie. Na aksidentojnë rëndë, na marrin jetën. Ndërsa policia rrugore, nuk i ndalon, por vjen vetëm për të munguar viktimat. Kaq viktima sa ka në aksidente, nuk ka dhe në një front lufte. Të japin dorëheqjen drejtuesit e policisë, ministri Saimir Tahiri, se po vriten njerëz përditë në rrugë”,- shton 67-vjeçarja S. Matani, banore e lagjes nr.10.  Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë mungesa e ndriçimit dhe lagështira në rrugë.

AKSIDENTI NË FUSHË-KRUJË

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë -Krujë, ku tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se si pasojë e përplasjes, dy persona kanë ngelur të plagosur dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Njëri prej tyre mësohet të jetë identifikuar si Besnik Murri, ndërsa identiteti i personit tjetër nuk është bërë ende i ditur. Ata janë transportuar me shpejtësi për në spital. Po të njëjtat burime informojnë se midis tyre janë përplasur mjeti tip “Peugeot” me targë AA 212 GP, furgoni tip “Sprinter” me targë KR 4700 A si dhe mjeti tip “Ford Fokus” me targë KR 28 66 A. Ndërkaq, policia ka mbërritur me shpejtësi në vend ngjarje dhe është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë është shkelja e rregullave të qarkullimit në rrugë nga drejtuesit e automjeteve. Në aksident, mendohet të ketë ndikuar errësira, kushtet e pamjes së kufizuar dhe reshjet e shiut.

Shpërthim tritoli në derën e Komisariatit të Fushë-Krujës

 FUSHË-KRUJË- Sulmet me tritol në Fushë-Krujë nuk kanë të ndalur. Një sasi eksplozivi është hedhur mbrëmjen e djeshme në derën e pasme të Komisariatit të Fushë-Krujës, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Megjithëse, të mësuar me shpërthimet e fuqishme, banorët e zonës janë terrorizuar dhe kërkojnë marrjen fund të këtij seriali tmerri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, të cilët kanë nisur hetimin për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Njëkohësisht, nga hetimet e para rezulton se ka qenë një sasi e konsiderueshme tritoli që është vënë në derën e godinës së policisë dhe është aktivizuar. Dera është shkatërruar si dhe ka pasur dhe disa dëme të tjera, por jo në njerëz. Shpërthimet seri me eksploziv në Fushë -Krujë kanë alarmuar policinë. Më 20 janar të këtij viti, rreth orës 19:00 dhe më 3 mars po në të njëjtën orë është sulmuar me tritol godina e komisariatit të policisë së Fushë-Krujës.