Falimenton Bashkia e Sarandës, qyteti në kaos

502
Sigal

Këshilltarët e Majtë miratuan ndihmën ekonomike, por nuk miratuan taksat dhe tatimet që duhet të paguhen nga bizneset dhe shoqëritë, me të cilat do të paguhet kjo ndihmë

Nëse nuk do të mblidheshin brenda datës 20 prill 2014 Këshilli Bashkiak i Sarandës  do të shpërndahej. Kjo situatë ka ardhur për shkak të problemeve të lindura nga të deleguarit dhe agallarët e Tiranës dhe vendorëve apo vendalinjve sarandjotë. Si ka mundësi që qyteti i resurseve dhe perla e turizmit të Mesdheut Saranda, lihet me qëllim në mëshirë të fatit. Dhe për të zhvilluar qytetin njerëzit duhet të punojnë. Që njerëzit e papunë dhe ata që po tundin këmbët rrugëve për një copë bukë të jetojnë, duhet patjetër që të marrin atë që shteti i jep nëpërmjet minimumit jetik dhe që ka të bëjë me ndihmën sociale. Por këta njerëz kanë muaj të tërë pa e marrë asistencën pasi këshilltarët e Majtë ata që u përbetuan në 23 Qershor se do sillnin zhvillimin dhe do të ishin më pranë të varfërve i harruan këto premtime. Hipokrizia ka të bëjë me faktin se dje me urgjencë, për t’i shpëtuar vetëshkrirjes, këshilltarët e Majtë u grumbulluan dhe miratuan ndihmën ekonomike, por nuk miratuan taksat dhe tatimet që duhet të paguhen nga bizneset  dhe shoqëritë që kanë aktivitet tregtar dhe ekonomik  në qytet. Si mund të paguash ndihmën ekonomike dhe me çfarë lekësh, kur ti nuk mbledh lekët dhe të ardhurat, pikërisht se të kanë bllokuar këshilltarët e tu me një urdhër politik që zbret sipas të deleguarve të qendrës jo nga ata, por nga maja e piramidës. Ky është një skandal dhe një nonsense. Nëse Kryeministrit nuk ja kanë thënë ose ja kanë keqinterpretuar, kjo përbën një skandal, i cili duhet zgjidhur sa më shpejt sepse po u dëmtua baza edhe maja nuk do e ruajë dot lavdinë e lartësisë. Të anashkalohet Kryetari i partisë në qytet apo edhe më keq, kreu i bashkisë kjo është një marrëzi, e cila nuk mund të përtypet nga qytetarët që dinë t’i vënë “qylafin” kujtdo vendaliu apo të ardhuri nga larg si ish-vendali. Nëse kreu i bashkisë jep dorëheqjen atëherë Saranda do futet në zgjedhje dhe ky rast do të përmbajë  fillimin e rënies  së socialistëve, të cilët zhgënjejnë  votuesit e tyre vetëm 10 muaj pas ardhjes në pushtet. Emërimet e bëra nga qendra pa marrë miratimin e strukturave  partiake  dhe lokale nuk  sjellin pozitivitet përveçse pakënaqësi popullore. Elektorati i shëndoshë i së Majtës nuk pranon që një trafikant i Djathtë që vjedhur votat e së Majtës, apo më keq, që ka vjedhur banka, emërohet drejtor në një institucion. Është e pafalshme që drejtuesit e rëndësishëm të qendrës merren edhe me bizneset e vetë, edhe me lokale luksi, por duan edhe kioskën e fakir –fukarait, që mezi mbanë frymën me bukë. Dhe kjo pastaj bënë që lidhjet e shkurtra  mes një deputeti dhe një kapteri, anashkalojnë shefin e policisë apo atë të bashkisë. Kryebashkiaku nuk mbledh dot këshilltarët sepse urdhrin ja japin jashtë bashkisë, jashtë partisë dhe koalicionit të Majtë, duke e futur në kaos të vërtetë qytetin bregdetar. I pyetur në lidhje më këtë situatë, Kreu i PS-së Sarandë Feruz Basha  deklaron se: “Ka pasur probleme para disa kohësh mes Këshillit Bashkiak dhe Kryetarit të Bashkisë, por kjo situatë është qetësuar dhe po shkon drejt normalitetit. Sot (dje) kaloi asistenca dhe brenda javës që vjen do të mblidhemi për të kaluar edhe taksat dhe tarifat.  Shpresojmë që kjo situatë të mos përsëritet më dhe secili të bëjë punën e vetë dhe të mbajë përgjegjësi për ato që bën”. Ndërsa Kreu i Bashkisë Stefan Çipa i pyetur dje për situatën e rënduar në qytet deklaron se, “nuk di gjë pasi kam qenë jashtë qytetit”. Ndërkohë që, burime të besueshme bëjnë me dije se ai ka qenë dje në qytet. Përfaqësuesit e PD-së në Këshillin Bashkiak thanë dje të pyetur nga “Telegraf” se: “Ne u skandalizuam kur me urdhër u mblodh këshilli dhe po me urdhër këshilltarët e Majtë votuan vetëm asistencën dhe ikën në mënyrë të rrufeshme. Ne nuk do ta firmosim këtë mbledhje pasi është një turp i madh që përfaqësuesit nga Tirana po i bëjnë qytetit tonë”. Ndërkohë që, qeveria në kuadrin  e milionave që po hedh nga “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”  të vetmet zona që ka lënë pa i akorduar qoftë edhe një qindarkë është Saranda, Ksamili, Lukova, Vlora qytet, Orikumi dhe Delvina. Kjo është më shumë se marrëzi dhe se në zgjedhjet që do të vijnë goditja ndaj së Majtës dhe përfaqësuesve të emëruar në këtë qeveri do të jetë e paimagjinueshme.  Së shpejti, do të shohim me fakte se ku po venë paratë e Jugut, kush po i mer, firmat që mbyllen dhe të rejat që hapen për të marrë fondet e taksapaguesve shqiptarë.