“Gjyshi” hajdut po bën namin me vjedhje, reagon policia: E kemi proceduar, s’është arrestuar!

300
Sigal

Prej më shumë se një jave, janë publikuar pamjet e disa grabitjeve në Tiranë, ku protagonist është një i moshuar, i cili pa u shqetësuar fare zgjedh disa biznese, hyn brenda, gjen momentin kur nuk është askush dhe grabit çfarë t’i shohin sytë.

Të gjitha rastet e vjedhjeve, janë publikuar me pamje nga kamerat e sigurisë. Gjithashtu, është publikuar edhe një video, ku grabitësi identifikohet nga qytetarët dhe pyetet për ato që ai ka bërë.

I moshuari, i identifikuar si Lilo Skëndo, nuk pranon asnjë nga akuzat ndërkohë që pi birrë dhe ha mish në një zgarë në Tiranë. Sipas një njoftimi, policia e ka proceduar dy herë të moshuarin, por nuk e ka arrestuar.

Sqarim i Policisë Tiranë:

Në lidhje me një video të postuar në portalin tuaj, e cila bën fjalë për një rast denoncimi të një qytetari, për një shtetas që ka kryer vjedhje në qytetin e Tiranës, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë, pas kallëzimeve të bëra nga dy shtetas, për rastet e dy vjedhjeve të ndryshme, të ndodhura në qytetin e Tiranës, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, dhe konkretisht:

– Më datë 03.02.2022, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë proceduar penalisht shtetasin L. S., 76 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se ka vjedhur telefonin dhe çantën e shtetasit Z. K.;

– Më datë 07.04.2022, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë proceduar penalisht shtetasin L. S., 76 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se ka vjedhur një portofol në klinikën në pronësi të shtetasit A. H.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.