Gjurmë qitjeje, analiza që çoi në arrestimin e Valter Bamit pas vra.sjes në Larushkë

169
Sigal

Valter Bami është ndaluar këtë mbrëmje, konfirmoi policia, që sqaron se ka zbatuar një urdhër të prokurorisë së Tiranës ndaj 37-vjeçarit pas analizave kanë zbuluar “faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri”.

Burime zyrtare nga blutë bënë me dije se analizat u morën gjatë shoqërimit të 37-vjeçarit fill pas vrasjes, ku dyshohet se objektiv ishte Gentian Bejtja.

Analiza

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit Gentian Bejtja është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi Ramazan Sino (kunati i Gentian Bejtjas). Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë”, njoftoi policia.

Ndërsa këtë të enjte, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar sot urdhrin e ndalimit për të për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps – Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë Valter Bami, banues në Nikël – Fushë Krujë.

“Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme”, mbyllet njoftimi i bluve.

Vrasja

Atentati që ndodhi në orët e para të 4 korrikut, kishte objektiv Gentian Bejtjan i cili kishte ardhur para dy javësh në Shqipëri. Por nga breshëria e plumbave ka humbur jetën 29-vjeçari Ramazan Sino, kunat i Bejtjas, si dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të Bejtjas, 10 dhe 13 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës.

Në atentat dyshohet se morën pjesë 3 persona, të cilët lëviznin me makinë. Pasi lëshuan breshëri plumbash në drejtim të shtëpisë së Bejtjes, mjetin e dogjën rreth 6 kilometra larg. Më pas dyshohet se autorët u ndihmuan nga persona të tjerë.

Për identifikimin e tyre, të martën policia e Fushë-Krujës ushtroi kontrolle në 3 banesa, si dhe shoqëroi 3 persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen, Durim e Valter Bamin dhe Marklen Haka.

Të shoqëruarit kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.

Dyshimet

Në media është përfolur se ka dyshime që shënjestra e atentatit të 4 Korrikut dyshohet si i përfshirë dhe në atentatin me 3 viktima në masakrën e Fushë Krujës 17 korrikun e vitit të kaluar, ku u vra Brilant Martinaj, Diklemn Vata dhe Bemsir Hoxha. Ai rezulton se ka qenë dhe kontakti i fundit i Iljas Çalit, para se të ekzekutohej si dhe edhe kontakti i fundit i Enver Stafukës para se ta rrëmbenin.

42-vjeçari, është akuzuar si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt më 24 shkurt të vitit 2013. Por me vendim të Gjykatës së Lartë, Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm më 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Ai është shoqëruar në polici edhe pas atentatit ndaj Marklen Hakës dhe dyshohet si i përfshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale.